Oda Ekonomike e Kosovës ka vlerësuar se në Kosovës bisedohet për koalicione dhe kombinime të mundshme politike e për aktualitetin ekonomik fare pak.
Kjo sipas OEK vjen si pasoj e një agjende politike të stërngarkuar në Kosovë gjatë gjithë këtij viti, si dhe të vakumit institucional të krijuar pas zgjedhjeve të qershorit.
“Deri sa në Kosovë shumë pak bëhet për zhvillim ekonomik dhe për përmirësim të ambientit biznesor e në veçanti në tërheqjen e investitorëve të huaj vendet e regjionit dhe më gjerë kanë përgatitur strategji dhe kampanja agresive për tërheqjen e tyre dhe po ia dalin me sukses në këtë drejtim”.
Bizneset vendore sipas OEK janë duke u përballe me sfida të natyrave shumta qoftë të natyrës interne apo eksterne, por mbi të gjitha janë pre e mungesës së sundimit të rendit dhe ligjit.
Në qoftë se sipas OEK nuk bëhet më shumë për përmirësimin e ambientit biznesor për biznesin vendor atëherë është utopike të mendohet në tërheqjen e investitorëve të huaj.
“Deri sa në Kosovë humbet kohë në kërkim të arsyeve për dështim të tjerët gjejnë rrugë për të arritur synimet e zhvillimit ekonomik. Duhet të mësojmë nga të tjerët dhe përvojat e të tjerëve në këtë drejtim e besoj që qasja e Maqedonisë në këtë drejtim duhet të analizohet fare mire nga të gjithë ne”, thekson OEK në komunikatë
Maqedonasit janë koncentruar në tërheqjen e investimeve të huaja të drejtpërdrejta gjatë këtyre pesë viteve të fundit dhe rritjen e prodhimeve, sidomos në industrinë rëndë dhe atë automobilistike dhe përcjellëse te të njëjtit sektor.
Maqedonia gjatë pesë muajve të parë të vitit 2014 ka pasur një rritje prej 18.5 për qind të eksportit në vlerë mallrash në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Nga Janari deri në Maj të këtij viti, Maqedonia ka eksportuar mallra në vlerë prej 1,450 miliardë euro, përkatësisht ka pasur një eksport afro dy herë më të madh sesa Kosova dhe Shqipëria – që të dyja së bashku.
Kosova dhe Shqipëria bashkë kishin gjatë të njëjtës periudhë vetëm 883,982 milionë eksport. Kosova në këtë shifër kontribuon me 113, 864 milion euro ndërsa Shqipëria me 770, 118 milion euro eksport.
Vetëm nga zonat industriale në lindje të Shkupit, ku është përqendruar lobimi i Gruevskit për tërheqje investimesh të huaja të drejtpërdrejta, eksporti i kalon 550 milion euro në periudhën Janar – Maj 2014, dhe është dy herë më i madh sesa vëllimi i eksportit gjatë të njëjtës periudhë të vitit 2013. Në këtë zonë tashmë disa vite Gruevski ka tërhequr për të investuar, prodhuesin belg të autobusëve, Van Hool në zonën Shkup 2, apo edhe prodhuesit e tjerë si Johnson Controls në Shtip, Johnson Matthey në zonën Shkup 1 etj.
Në këto dy zona që nga viti 2009 është duke prodhuar edhe prodhuesi gjerman i pajisjeve elektronike për vetura, Draexlmaier Automotive Eletronics, i cili në verën e vitit 2008 pati tentuar që të instalohet në zonën Prishtinë-Fushë Kosovë, e të prodhoj të njëjtat aty për të punësuar 100+500 punëtorë vendor.
Qeveria maqedonase tregoi qasje te veçanta ndaj prodhuesit gjerman i cili e braktisi Kosovën pas tre muajsh (Korrik – Shtator) dhe vetëm pas një viti arriti marrëveshje për të prodhuar në lindje të Shkupit të njëjtat prodhime.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.