Ministria e Zhvillimit Urban ka prezantuar për herë të parë sistemin elektronik të aplikimit për leje ndërtimi, që do të thjeshtojë punën e bashkive në shqyrtimin e lejeve, do të rrisë transparencën në procedimin e kërkesës për leje, do të lehtësojë përpunimin e të gjithë informacionit administrativ.
Në një intervistë të posaçme për Monitor, Ministrja e Zhvillimit Urban, znj. Eglantina Gjermeni shpjegon me detaje të gjitha risitë e këtij sistemi.
Si do të funksionojë dhënia e lejeve të ndërtimit nëpërmjet one shop stop?
Puna për krijimin e sistemit elektronik për aplikimin për lejet e ndërtimit, është një tjetër nismë e qeverisë shqiptare që drejtohet nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe Agjencia e Zhvillimit të Territorit.
Kjo risi, ashtu si dhe të gjithë nismat e ndërmarra gjatë këtyre dy viteve në fushën e planifikimit mbështesin vizionin tonë si qeveri për t’i ofruar qytetarëve dhe investitorëve vendas dhe të huaj shërbime më të mira me një teknologji moderne.
Ky sistem, i cili do të jetë pjesë e platformës e–Albania, do t’u vijë në ndihmë të gjithë institucioneve të përfshira në procesin e lejedhënies dhe veçanërisht njësive të qeverisjes vendore, si institucionet përgjegjëse për planifikimin vendor, duke lehtësuar ndërveprimin institucional, duke shkurtuar afatet për pajisje me leje ndërtimi dhe duke rritur transparencën.
Ngritja e sistemit elektronik të aplikimit për leje ndërtimi, vjen si një hallkë plotësuese dhe e domosdoshme mbas nismave të ndërmarra në fushën e planifikimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm të territorit.
Së bashku me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe kompaninë zbatuese të projektit (IkubINFO), që prej tetorit të vitit të kaluar nisën punën për ngritjen e Sistemit Elektronik të Lejeve të Ndërtimit, duke u bazuar edhe në modelet e aplikuara në vende të tjera në rajon si Maqedoni dhe Serbi, ku aktualisht sistemi funksionon.
Javën e kaluar, në një takim publik me përfaqësues nga të 61 bashkitë e vendit, donatorë dhe grupet e interesit si Shoqata e Ndërtuesve, Shoqata e Arkitektëve, profesionistë dhe ekspertë të fushës, ne lançuam për herë të parë sistemin elektronik të aplikimit për leje ndërtimi.
Ofrimi i shërbimit të lejedhënies nëpërmjet këtij sistemi do të thjeshtojë punën e bashkive në shqyrtimin e lejeve, do të rrisë transparencën në procedimin e kërkesës për leje, do të lehtësojë përpunimin e të gjithë informacionit administrativ për qytetarët, zhvilluesit dhe ndërtuesit që aplikojnë për leje ndërtimi, si dhe shton akoma më shumë përgjegjësitë për të gjitha bashkitë dhe institucionet e përfshira në dhënien e lejeve.
Sistemi, i cili do të monitorohet sa u përket vonesave, do të informojë në kohë reale qytetarin se në cilin institucion ka mbetur praktika e tij, dhe mbi të gjitha do të gjenerojë automatikisht vendimet e miratimit, në rast heshtjeje nga institucionet përgjegjëse. Kuptohet që, në rast se miratimi në heshtje ka rezultuar në një vendim që është në shkelje të ligjit, nëpunësit që me heshtjen e tyre kanë shkaktuar këto shkelje do të mbajnë përgjegjësi sipas ligjit.
Për të gjithë qytetarët dhe investitorët, të interesuar për të aplikuar për lejet e ndërtimit, më vjen mirë të them se që prej muajit prill aplikimi për leje ndërtimi do të kryhet online në portalin e-Albania, ku secili aplikues do të aksesojë me kredencialet e tij.
Me të drejtë lind pyetja se si do të mundësohet lehtësimi i procesit për pajisje me leje?
Sistemi elektronik që ne kemi krijuar do të bëjë të mundur ndërveprimin elektronik ndërmjet bashkive dhe të gjitha institucioneve të përfshira në procesin e lejedhënies, duke shmangur kësisoj vonesat në vendimmarrje.
Aplikuesi do të plotësojë hap pas hapi të dhënat që i kërkohen lidhur me llojin e kërkesës që paraqet (p.sh. leje ndërtimi, shtyrje afati, leje përdorimi, plotësim dokumentacioni etj.), llojin e kategorisë së ndërtimit dhe të dhënat e pronës ku ndërtohet.
Sistemi do të lidhet dhe do të marrë automatikisht të dhënat nga regjistrat e gjendjes civile, Qendra Kombëtare e Biznesit dhe Qendra Kombëtare e Licencimit dhe sapo të përfundojë procesi i dixhitalizimit, edhe nga Zyrat e Pasurive të Paluajtshme.
Më pas, dokumentacioni i nevojshëm për shqyrtimin e kërkesës do të ngarkohet online nga aplikuesi, pasi të jetë nënshkruar prej personave përkatës me firmë elektronike, bashkë me një deklaratë të vetë aplikuesit lidhur me vërtetësinë dhe autenticitetin e dokumentit të ngarkuar në sistem.
Pasi aplikimi të jetë dërguar përmes portalit e-Albania, sistemi do të njoftojë përmes një email-i zyrtar, nëpunësit e bashkisë respektive ose të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit (në rastin e lejeve që jepen nga Këshilli Kombëtar i Territorit).
Për shqyrtimin e kërkesës, nëpunësi i bashkisë e dërgon aplikimin, përmes sistemit, edhe në institucionet e tjera përgjegjëse dhe merr mendimet e tyre po ashtu përmes sistemit.
Në përfundim të procesit, kërkesa bashkë me raportin teknik të nëpunësit përgjegjës, i drejtohet Kryetarit të Bashkisë për vendimmarrje. Pas vërtetimit të pagesës së taksës së ndikimit në infrastrukturë, sistemi do të gjenerojë vendimin përkatës të nënshkruar me firmë elektronike nga Kryetari i Bashkisë dhe vendimi i dërgohet aplikuesit në llogarinë personale të tij në portalin e-Albania dhe i njoftohet me email. Për të gjithë procesin, aplikuesi do të njoftohet me email, si për hapat ashtu edhe për vendimet që merren sa i takon aplikimit të tij.
Cilat janë kostot që duhet të paguajë një qytetar apo një biznes për t’u pajisur me leje nëpërmjet sistemit online?
Thjeshtimi i aplikimit nëpërmjet sistemit online nuk do të rëndojë xhepat e qytetarëve. Tarifa që do të paguhet për aplikimin për lejet e ndërtimit në sistemin elektronik do të jetë e njëjtë me tarifën e paguar deri më sot.
Çfarë ndodh me të interesuarin nëse refuzohet leja e kërkuar, a i propozohet një truall tjetër ku mund të ndërtojë?
Një nga risitë e këtij sistemi lidhet pikërisht me shkurtimin e afatit për kthimin e përgjigjes për aplikimin për leje ndërtimi, nga 60 ditë në 45 ditë.
Duke filluar nga muaji prill, që nis funksionimi i plotë i sistemit jo vetëm thjeshtohen procedurat, por njëkohësisht shkurtohet edhe afati për miratimin apo refuzimin e lejes së ndërtimit.
Me këtë sistem, që aplikohet për herë të parë në vendin tonë, kryetarët e bashkive kanë vetëm 45 ditë afat që nga dita e paraqitjes së kërkesës për t’u shprehur për lejen e ndërtimit.
Në rast se kur kryetari i bashkisë nuk merr vendim brenda këtij afati 45-ditor dhe raporti i vlerësimit teknik i përgatitur nga zyra përgjegjëse në bashki nuk është shprehur negativisht lidhur me kërkesën për leje, atëherë kjo leje konsiderohet automatikisht e miratuar në heshtje dhe sistemi elektronik i regjistrit e njeh vendimin si të miratuar.
Por, në rast se kërkesa për leje ndërtimi refuzohet, vendimi duhet të japë qartësisht arsyet e refuzimit.
Në vijim, bazuar edhe në arsyet për refuzim, qytetari mund të riaplikojë, pasi të ketë plotësuar mungesat e evidentuara.
Çfarë efektesh do të ketë për bizneset e ndërtimit kjo mënyrë e re e dhënies së lejeve?
Mënyra e re e aplikimit, shqyrtimit dhe dhënies së lejeve të ndërtimit përmes këtij sistemi, jo vetëm do të mundësojë thjeshtimin e procedurave, shkurtojë kohën e dhënies së vendimit, në kushtet kur ndërveprimi institucional do të kryhet elektronikisht në kohë reale, por dhe do të rrisë transparencën dhe përgjegjshmërinë që kanë bashkitë si institucionet përgjegjëse për dhënien apo refuzimin e lejes së ndërtimit ndaj qytetarëve dhe bizneseve.
Me ngritjen e këtij sistemi, bizneset do të mund të kryejnë aplikimin për leje ndërtimi dhe të ndjekin statusin e shqyrtimit të kërkesës së tyre direkt nga kompjuteri i zyrës, duke kursyer kohë dhe duke kontrolluar punën e çdo institucioni.
Ndërkohë që për qytetarët, aplikimi online shmang kohën e harxhuar për marrjen e dokumenteve nga një institucion në tjetrin dhe mbi të gjitha, i jep mundësinë për të ndjekur vetë procesin nga momenti i aplikimit dhe deri në marrjen e vendimit.
Sa do ta përmirësojë klimën e biznesit, kur dihet se në renditjen e Bankës Botërore, Shqipëria renditet e fundit për vështirësitë në marrjen e një leje ndërtimi?
Aktualisht, në zbatim të vendimeve të Këshillit të Ministrave dhe Këshillit Kombëtar të Territorit, Ministria e Zhvillimit Urban ka informuar të gjitha bashkitë mbi mundësinë e dhënies së lejeve dhe ka punuar ngushtësisht me partnerët ndërkombëtarë dhe Bankën Botërore për përmirësimin e indikatorit të lejeve të ndërtimit.
Unë dua të bëj të qartë edhe një herë nëpërmjet jush se, procesi i dhënies së lejeve nuk është as i bllokuar dhe as i pezulluar dhe se është detyrim ligjor i secilës bashki të pranojë dhe shqyrtojë aplikimet e qytetarëve. Sikurse e kam theksuar edhe në shkresat e mëparshme që ju janë dërguar kryetarëve të bashkive dhe grupeve të interesit, të cilat janë bërë edhe publike në media. Bazuar në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 408, datë 13.05.2015 “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit”, i ndryshuar, neni 45, si dhe në vendimin nr. 1, datë 30 korrik 2015, të Këshillit Kombëtar të Territorit:
a) Në territoret e ish-bashkive ku ka plane të përgjithshme vendore të miratuara (Bashkitë Himarë, Lushnjë, Berat, Kamëz, Tiranë, Fier, Vorë, Mamurras, Durrës, Shkodër, Rrogozhinë, Fushë-Krujë, Bulqizë, Korçë), bashkitë mund të vijojnë normalisht me shqyrtimin dhe dhënien e lejeve të ndërtimit, në përputhje me planet vendore përkatëse, për territoret administrative bashkiake përpara reformës territoriale.
b) Në të gjitha zonat e tjera të vendit, deri në miratimin e planeve të përgjithshme vendore në proces hartimi, bashkitë mund të vijojnë me dhënien e lejeve të ndërtimit për të gjitha objektet e parashikuara në vendimin nr. 1, datë 30.07.2015 të Këshillit Kombëtar të Territorit (si p.sh. objekte me funksion prodhues, industrial, bujqësor, turistik, banesa familjare etj.), duke respektuar kufijtë e zonave të urbanizuara të përcaktuara me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit. Jashtë zonave të urbanizuara lejohen ndërtime me funksion bujqësor ose blegtoral, si dhe ndërtime në toka të kategorisë truall.
c) Deri në miratimin e planeve të përgjithshme vendore, për objektet mbi 6 kate, leja e ndërtimit do të jepet nga bashkitë përgjegjëse pas një kontrolli paraprak, pa vërejtje të Këshillit Kombëtar të Territorit lidhur me përputhshmërinë me instrumentet kombëtare dhe/ose vendore të planifikimit në proces.
ç) Në zonat me rëndësi kombëtare të trashëgimisë kulturore dhe historike, si dhe përgjatë brezit bregdetar, deri në miratimin e planeve të përgjithshme vendore në proces hartimi, ndërtimet e reja do të jenë objekt shqyrtimi nga Këshilli Kombëtar i Territorit.
Unë jam e sigurt se vendimi i marrë disa muaj më parë dhe ngritja e sistemit elektronik do të ndikojnë pozitivisht në përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri, pasi lehtëson procedurat, shkurton burokracitë dhe eliminon korrupsionin.
Sa do t’i frenojë procedura e re ndërtimet pa leje dhe abuzimet me territorin?
Një prej sfidave më të mëdha të qeverisë së drejtuar nga Kryeministri Rama, që në krye të herës, ka qenë vendosja e kontrollit mbi territorin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të tij Objektivi parësor i saj është të krijojë një mjedis institucional, ekonomik e social për zhvillimin e qëndrueshëm të territorit, nëpërmjet transparencës në planifikimin dhe zhvillimin e territorit, si dhe në proceset ligjore që rregullojnë planifikimin e zhvillimin.
Më duhet të pohoj se në këto dy vite qeverisje kemi arritur që planifikimin tashmë ta vendosim në një rrugë të re zhvillimi me një qasje gjithëpërfshirëse e udhëhequr nga bashkëpunimi ndërmjet të gjithëve aktorëve, si çelësi i suksesit për të garantuar një menaxhim sa më të mirë të territorit dhe administrimit të tokës.
Reforma e re territoriale ka sjellë padyshim një frymë të re koordinimi dhe bashkërendimi ndërmjet qeverisjes qendrore dhe asaj vendore, duke e rivendosur theksin tek ofrimi me cilësi i shërbimeve për qytetarët dhe mirëplanifikimi i integruar urban dhe rural, duke mos lejuar mbi të gjitha një degradim edhe më të madh të territorit.
Procesi për hartimin dhe miratimin e tre instrumenteve themelore në nivel kombëtar, konkretisht të Planit të Përgjithshëm Kombëtar, Planit të Integruar Ndërsektorial për Bregdetin, Planit të Integruar Ndërsektorial për Zonën Ekonomike Tiranë-Durrës, është drejt fazës përmbyllëse. Vizioni i shprehur në këto dokumente përfaqëson shtyllat kryesore të zhvillimit afatgjatë urban, ekonomik, social dhe mjedisor për 10-15 vitet e ardhshme.
Paralelisht me këtë proces në nivel kombëtar, iniciuam edhe një proces shumë të rëndësishëm, madje historik do ta quaja, për të mbështetur financiarisht nga buxheti i shtetit me një vlerë rreth 560 milionë lekë, 26 Bashki të vendit për hartimin e Planeve të Përgjithshme Vendore, ndërkohë që 5 bashki të tjera po mbështeten nga Programi për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore të USAID.
Lajmi i mirë është se brenda vitit 2016, Shqipëria do të ketë të miratuara 3 plane kombëtare dhe 31 nga 61 bashki do të kenë Planet e tyre të Përgjithshme Vendore.
Ndaj dhe unë jam e sigurt se të gjithë hapat që ne kemi ndërmarrë, si hartimi i Planit të Përgjithshëm Kombëtar, të Planeve të Përgjithshme Vendore, ngritja e një sistemi online për aplikimin e lejeve të ndërtimit janë historike, pasi parandalojnë kaosin, spontanitetin në zhvillimin e territorit në vendin tonë, duke e orientuar atë drejt një zhvillimi të qëndrueshëm, të planifikuar dhe duke respektuar mjedisin.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.