AKEP: Si do ta rregullojmë konkurrencën në treg. Ulen fort tarifat e terminimit drejt Vodafone, AMC dhe Eagle. Edhe ofertat do të kenë të njëjtin numër minutash brenda me jashtë rrjetit
Shqiptarët do të shpëtojnë nga mbushja e xhepave me dy-tre aparate celularë, duke filluar nga 1 dhjetori 2014, pasi AKEP ka zgjidhur përfundimisht problematikën e thirrjeve shumë të shtrenjta jashtë rrjetit dhe falas brenda rrjetit.
Shqipëria është ndër vendet e fundit të rajonit që do të barazojë tarifat për thirrjet telefonike në celularë brenda dhe jashtë rrjetit. Dokumenti i analizës së tregut të telefonisë së lëvizshme i AKEP ka dhënë një sërë argumentesh se përse duhet të barazohen këto tarifa si për thirrjet standarte ashtu edhe për ofertat.
Sipas AKEP, tarifat në vendet e rajonit me zhvillim dhe madhësi të ngjashme me Shqipërinë, në ekonomi dhe sektorin celular tregojnë se nuk ka dallime të ndjeshme në tarifa on-net/off-net dhe tarifat standarde janë shumë më të ulëta se në Shqipëri
Sipas dokumentit, shkalla e përqendrimit të tregut celular në Shqipëri po vjen në rritje dhe rezultatet financiare negative të operatorëve më të vegjël në ndryshim të madh me fitimet neto të dy operatorëve më të mëdhenj.
Rregullimi përfshin edhe ofertat ku aktualisht operatorët ofrojnë mijëra minuta falas brenda rrjetit dhe më pak minuta jashtë rrjetit.
AKEP thotë se struktura e tarifave celulare paraqet probleme, pasi fokusi kryesor i operatorëve në treg janë ofertat/promocionet dhe ka një disproporcion të madh midis tarifave mesatare të ofertave dhe tarifave standarde, të cilat stimulojnë së tepërmi përdorimin e ofertave dhe thirrjet on-net, duke bërë që një grup përdoruesish të përfitojnë nga tarifa shumë të ulëta dhe përdorues të tjerë të paguajnë tarifa shumë të larta.
“Struktura e tarifave me parapagim dhe me kontratë paraqet probleme strukturore, të cilat çojnë në shpenzime më të larta për përdoruesit me kontratë, në mënyrë të padrejtë për të njëjtin konsum me përdoruesit me parapagim. Shpenzimet më të larta për përdoruesit me kontratë kanë efekte negative në biznesin në tërësi, pasi nuk përfiton apo ka përfitime më të ulëta nga shërbimet celulare në raport me përdoruesit me parapagim”, shkruhet në dokument.
Në konkluzion, AKEP ka vendosur që operatorët celularë duhet të ndërmarrin masa për ndryshime strukturore në planet tarifore me parapagim dhe me kontratë.
Rregullimi i tregut
AKEP, në versionin final të dokumentit të analizës së tregut celular, ka vendosur reduktim të mëtejshëm të tarifave të terminimit, si dhe masa shtesë për mosdiskriminimin për tarifat e thirrjeve on-net/off-net.
Sipas AKEP, tarifat e terminimit të Vodafone, AMC dhe EM, duke filluar nga 1.12.2014, do të reduktohen në 1.48 lekë/minutë që përbën tarifën mesatare benchmark për vendet anëtare dhe kandidate në BE që kanë aplikuar LRIC (kosto inkrementale në afatgjatë) të pastër në 2013 (të përcaktuar në dokumentin e miratuar nga AKEP më 13.03.2014).
Tarifa e terminimit në rrjetin Plus do të qëndrojë 6.52 lekë/minutë deri në një vendim tjetër të AKEP. Niveli i tarifës së terminimit në rrjetin Plus dhe përcaktimi i afatit të arritjes së simetrisë do jetë objekt rishikimi nga AKEP, pas shqyrtimit të efekteve të masave rregulluese të vendosura për operatorët celularë nëpërmjet vendimeve përkatëse për Fuqi të Ndjeshme në Treg, sipas këtij dokumenti analizë tregu.
Të katër operatorët celularë, si pjesë të detyrimit të mosdiskriminimit, do të kenë detyrim që tarifat e thirrjeve me pakicë të mos kenë dallim on-net/off-net, dhe kjo përfshin jo vetëm tarifat e paketave standarte, por edhe oferta/promocionet, si dhe sasitë e minutave të përfshira në pagesa fikse/oferta. Ky detyrim është i zbatueshëm pasi, megjithëse tarifa e terminimit e Plus është më e madhe se tarifa e terminimit të tre operatorëve të tjerë, tarifa mesatare e ponderuar që secili prej tre operatorëve të tjerë do paguajë, vlerësohet të jetë 1.80-2.08 lekë/minutë, duke filluar nga 1.12.2014.
Njëkohësisht AKEP ka vendosur masa shtesë për përdorimin e ofertave/skontove, me qëllim rritjen e konkurrencës edhe në paketat standarte dhe zgjerimin e përfitimeve për përdoruesit fundorë.
AKEP do të monitorojë me kujdes zbatimin e këtyre masave për mosdiskriminim nga operatorët dhe në rast moszbatimi do të aplikojë përcaktimet e ligjit 9918 për shkeljet e kryera. AKEP, njëkohësisht, do të bashkëpunojë edhe me Autoritetin e Konkurrencës, në bazë të përcaktimit të nenit 61 të ligjit 9918:
Kur AKEP-i, me nismën e vet, ose nëpërmjet njoftimit nga sipërmarrës të tjerë apo palë të tjera të interesuara, gjykon se sipërmarrësi me fuqi të ndjeshme në treg po abuzon me pozitën e tij, e parashtron rastin përpara Autoritetit të Konkurrencës, duke i kërkuar fillimin e procedurave përkatëse ligjore.
Moszbatimi nga operatorët i detyrimeve të vendosura për mosdiskriminim në tarifa/skonto/oferta të thirrjeve/SMS-ve on-net/off-net, do të konsiderohet sjellje abuzive me pozitën dominuese (FNT) në terminimin e thirrjeve.
Tarifat jashtë rrjetit, 30 lekë/min
AKEP thotë se një nga problemet më evidente është niveli shumë i lartë i tarifave të paketave standarde. Siç mund të vihet re nga tarifat e dhëna, tarifa e thirrjeve drejt rrjeteve të tjera celulare, në programet standarde me parapagim, është në nivelin 29-39 lekë/minutë.
Me gjithë uljet në muajt e fundit në disa programe tarifore për grupe (nga nivele 48-54 lekë/minutë), tarifa off-net në programet standarde në nivele 29-39 lekë/minutë është shumë e lartë në raport me kostot që kanë operatorët për origjinim të thirrjeve dhe për terminimin e tyre (sidomos në kushtet kur tarifat e terminimit janë ulur dhe po reduktohen më tej), si dhe në raport me tarifat mesatare të aplikuara realisht nëpërmjet ofertave.
Ofertat kanë zbritje të shumta për tarifat on-net, duke përfshirë sasi shumë të madhe minutash on-net, dhe njëkohësisht ato janë në numër të madh dhe me kohëzgjatje të madhe, çmimi mesatar i ofertave i bën ato shumë më të favorshme për përdoruesit se paketat standarde.
AKEP thotë se, siç është theksuar edhe në analizat e tregut për terminimin e SMS-ve, megjithëse tarifat e terminimit të SMS-ve janë reduktuar ndjeshëm këto vite, tarifa standarde me pakicë për SMS është shumë e lartë në nivele deri në 17 lekë/SMS (on-net dhe off-net).
Operatorët duhet të barazojnë tarifat on–off net
AKEP, bazuar në analizën e kryer të shumë treguesve dhe tendencave në Shqipëri dhe vende të tjera, si dhe në rekomandimet e AK, gjykon se duhet të vendosen rregulla detyruese për mosdiskriminim në tarifa me pakicë (on-net dhe off-net) si dhe të ketë një kufizim apo rregullim të mënyrës së aplikimit të ofertave e promocioneve që bëjnë operatorët, me qëllim rritjen e përdorimit të paketave standarte dhe përfitimeve nga paketat/tarifat standarde.
Sipas rregullatorit “një mënyrë e reduktimit të problemit të diskriminimit on-net/off-net është vendosja e detyrimit të mosdiskriminimit të brendshëm (internal non-discrimination) në nivel me shumicë për FNT për terminimin e thirrjeve në rrjetet e operatorëve celularë. Kjo kërkon përllogaritjen e tarifave mesatare on-net dhe ato nuk duhet të jenë më të ulëta se tarifa e terminimit, pra tarifa terminimit në rrjetin e vet shërben si një çmim dysheme për operatorin për thirrjet on-net. Ose një mënyrë aplikimi është që tarifa e terminimit për thirrjet drejt një rrjeti celular të barazohet me tarifën mesatare on-net të operatorit të këtij rrjeti celular”.
AKEP ka shqyrtuar kompleksitetin, proporcionalitein dhe efektin direkt të kësaj mase të mundshme dhe gjykon se eliminimi i diskriminimit on-net/off-net, apo mosdiskriminimi i brendshëm mund të arrihet duke vendosur në mënyrë më të thjeshtë detyrimin që tarifat brenda rrjetit të jenë të barabarta me tarifat jashtë rrjetit. Ky detyrim mosdiskriminimi në retail on-net/off-net konsiderohet si masë rregulluese në nivel me shumicë, duke e formuluar si pjesë e detyrimit të mosdiskriminimit për FNT në terminim: Operatori X ndalohet të aplikojë tarifa në nivel me pakicë që kanë efekt diskriminues për thirrjet brenda dhe jashtë rrjetit, d.m.th. tarifa të ndryshme brenda dhe jashtë rrjetit.
Nga janari, ofertat jo më shumë se tremujore
Sipas vendimit të AKEP, secili operator celular duhet që në muajin janar të çdo viti të paraqesë në AKEP tarifat e planeve standarde dhe ndryshimet e kryera në vitin paraardhës ofertat/promocionet apo skontot e përkohshme në tërësi të cilat (a) duhet të kenë afat vlefshmërie të përcaktuar qartë që në fillim të aplikimit dhe jo më të gjatë se 3 muaj, (b) operatori nuk duhet të paraqesë të njëjtën ofertë me emër të ndryshuar, kur elementi kryesor i saj nuk ka ndryshuar; dhe (c) skontot në oferta që zgjasin më shumë se 3 muaj duhet të përfshihen në paketat/tarifat standarde.
AKEP, bazuar në ecurinë e tarifave me pakicë në Shqipëri, masat e marra në nivel me shumicë dhe efektet e tyre, përvojën në vende të tjera, si dhe rekomandimet e AK, gjykon të vendosë masa rregulluese shtesë për problematikën e tarifave on-net/off-net.
Rregullat për normimin e ofertave dhe masat e tjera çojnë në reduktim të tyre dhe fleksibilitetin e operatorit, por njëkohësisht çojnë në ulje të konfuzionit të konsumatorëve/biznesit nga numri i madh i tyre, dhe reduktim të shpenzimeve marketing.
Niveli i tarifave të terminimit të përcaktuara nga AKEP në mars 2014 dhe të përcaktuara me këtë dokument drejt LRIC të pastër, çojnë normalisht (teorikisht) në reduktim të stimujve të operatorëve për diferenca on-net/offnet (pra detyrimet përputhen me stimujt e operatorit).
Vodafone thellon dominancën në tregun e celularëve
Më shumë se gjysmën e tregut të pakicës e zotëron një kompani, tre të tjera vetëm 49%. Rënie pjesëve të tregut për AMC, Plus rritet me 1%, Eagle humbet 1%
Kompania më e madhe në tregun e telefonisë, Vodafone Albania, ka rritur pjesët e tregut vit pas viti dhe tashmë zotëron 51% të tregut të shitjeve me pakicë të telefonisë celulare, duke i lënë tre konkurrentëve të saj më pak se gjysmën e tregut.
Të dhënat e dokumentit të analizës së tregut të celularëve të miratuara së fundi nga Bordi Drejtues i AKEP tregojnë se në tre vitet e fundit, Vodafone e ka rritur me 1% pjesën e tregut të pakicës (ku përfshihen thirrjet zanore, SMS dhe interneti) duke përforcuar dominancën në treg.
Shifrat zyrtare tregojnë se humbjen më të madhe të pjesëve të tregut të pakicës e ka operatori i parë që hyri në treg, AMC, që për dy vitet e fundit, ka humbur 4% të tregut sipas të ardhurave. Me rënie në 1% në vit është edhe Eagle Mobile, tashmë i përthithur nga Albtelecom, ndërkohë që rritje të lehtë ka kompania më e re në treg, Plus.
Në tërësi, tregu është i dominuar qartë nga Vodafone dhe konkurrenti i dytë pas tij ka thuajse gjysmën e të parit dhe i njëjti raport është edhe mes Eagle dhe Plus.
AKEP pranon dominimin e Vodafone
AKEP i referohet dominimit të tregut nga Vodafone sipas shkresës nr. 38, datë 25.01.2014 që Autoriteti i Konkurrencës ka dërguar në AKEP lidhur me vendimin nr. 303, datë 16.01.2014, “Për mbylljen e hetimit të thelluar në tregun e telefonisë celulare me pakicë ndaj ndërmarrjes Vodafone Albania sh.a. dhe rekomandime për AKEP”.
Vendimi nr. 303, datë 16.01.2014 është marrë në përfundim të procedurës së hetimit të thelluar të nisur nga AK, me Vendimin nr. 275, datë 25,03.2013, “Për hapjen e procedurës së hetimit të thelluar ndaj ndërmarrjes Vodafone Albania sh.a. në tregun e telefonisë celulare me pakicë”. Nga shqyrtimi i arsyetimit të Vendimit të AK vihet re se: Vendimi arrin në përfundim se Vodafone, gjatë periudhës objekt hetimi (2011-2012), zotëron pozitë dominuese (sipas kritereve të nenit 8 të Ligjit të Konkurrencës), por nuk ka abuzuar me pozitën e saj dominuese.
Në lidhje me sjelljen e Vodafone, vendimi konkurrencës arrin në përfundimin se nga analiza e sjelljes së ndërmarrjes objekt hetimi rezulton se strategjia e ndjekur nga ky operator shkakton shqetësime për konkurrencën në tregun përkatës, si dhe efekte negative për konkurrencën në periudha afatgjata ndaj konkurrentëve më të vegjël, nëpërmjet aplikimit të strategjisë diferencuese të çmimit të thirrjeve brenda me jashtë rrjetit (on-net vs off-net).
Autoriteti i Konkurrencës thotë se diferencimi i çmimeve brenda me jashtë rrjetit mund të përdoret si një mekanizëm i mbylljes së tregut nga operatorët e mëdhenj për operatorët e vegjël, të cilët mund të rrezikojnë daljen nga tregu përkatës, dhe ky fakt përbën një shqetësim për mirëfunksionimin e tregut në një periudhë afatgjatë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.