Ministri Gjiknuri u bë pjesë sot e operacionit të kontrollit të cilësisë së karburanteve në pikat e tregtimit me shumicë, lajmëruar nga kryeministri Rama në fillim të këtij muaji dhe ku vetëm disa ditë më parë, ministri i MZHETTS Ahmetaj deklaroi rezultatet e dy javëve të para të operacionit.
Gjiknuri sakaq tha para mediave se “lufta” e nisur është kundër problematikave të sektorit hidrokarbur, kryesisht evazionin fiskal, problemet e cilësisë dhe standardeve të produkteve.
“ Në këtë operacion janë së bashku disa institucione. Në krahun tim ndodhet edhe drejtoresha e Inspektoratit Shtetëror, Teknik dhe Industrial. Ky inspektorat përgjegjës po ushtron të gjitha kompetencat brenda kapaciteteve ligjore, për të mbrojtur konsumatorin shqiptar dhe për të mbrojtur tregun përmes standardeve të kërkuara. Operacioni ka një intensitet të lartë, deri më tani kanë kaluar në filter mbi 16% e subjekteve që tregtojnë karburante. Mund të themi se kemi konstatuar një pjesë të problemeve, të cilat po adresohen si me masa ndëshkimore, ashtu edhe me masa të karakterit korrektues. ” – tha ministri.
Gjiknuri shtoi edhe se përveç revokimeve të licencave, përmes ndryshimeve ligjore të bëra në vitin e fundit dhe aktet respektive, përmes këtij procesi i është dhënë fund edhe procesit të përpunimit të naftës bruto në mënyrë të pakontrolluar .
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.