Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) ka mbyllur procedurën e optimizimit të portofolit të saj ekonomik, duke dalë me një bilanc pozitiv për muajin tetor me të paktën 242 mijë euro.
Referuar të dhënave zyrtare kompania publike e gjenerimit priti oferta nga 11 operatorë të interesuar të tregut me të cilët lidhi të paktën tre kontrata për shitje energjie dhe tetë për blerje.
Nga KESH blenë për periudhën 8 deri më 31 tetor të paktën tre kompani me një sasi prej 17 850 megavat, që në total rezultoi me një çmim mesatar prej 66.7 euro për megavat. Vlera totale ishte 1.19 milionë euro.
E gjithë kjo sasi do të lëvrohet gjatë orëve që konsiderohen si orë piku, pra kur konsumi është më i lartë e për rrjedhojë dhe çmimi është më i lartë.
KESH nga ana tjetër do të blejë nga tetë kompani sipas tetë loteve të bëra publike dhe për të cilat janë nënshkuar edhe kontratat.
Totali i energjisë së blerë nga KESH prej kompanive të tjera është 17 850 MW me një vlerë 947.6 mijë euro që i korrespondon një çmimi mesatar prej 53 euro/MW.
Duke parë edhe diferencën mes shitjes dhe blerjes rezulton që KESH të ketë fituar mbi 242 mijë euro nga kjo procedurë.
Optimizmi i portofolit nuk është diçka e re për korporatën. Kjo është një praktikë e ndjekur edhe më pare, në funksion të përmirësimit të bilancit të saj financiar. Kjo do të thotë që më sasinë hidrike të disponueshme në kaskadën e Drinit të sigurohet përfitim më i lartë.
Shitja në oraret e pikut garanton edhe më shumë të ardhura ndërkohë qe konsumi në vend në këtë orë sigurohet nga OSHEE e cila bleu për tetorin të paktën 6 milionë euro energji.
KESH gjithashtu është në periudhë importesh falë transhit të dytë të kredisë së Bankës Botërore dhe për tetorin blerja ishte më e lirë se ne shtator.
Viti 2017 rezultoi, të paktën deri në tetor si një vit i veshtirë për kompanitë e sektorit, të cilat kanë shpenzuar afërsisht 100 milionë euro për importe.
Një vit më parë KESH siguroi po kaq para nga eksportet por duket se ky vit do të jetë i vështirë, diçka e pranuar edhe nga vetë korporata.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.