Orkestra filarmonike e “La Scala”-s do të hapë Samitin Botëror të G7 dhe më pas do të performojë në sheshin e Milanos dhe Triestes.
Orkestra filarmonike e “La Scala”-s do të mbajë gjatë kësaj vere turne në qytete të ndryshme dhe secilin prej tyre do ta zhvillojë në disa prej shesheve më të njohura italiane.
Në Sicili, më 26 maj, kjo filarmoni nën drejtimin e dirigjentit Myung-Whun Chung do të hapë Samitin Botëror të G7-s, në të cilin do të jenë të pranishëm disa prej liderëve më të rëndësishëm të botës, ndër të cilët mund të përmendim Presidentin e Amerikës, Donald Trump, kancelaren gjermane Angela Merkel dhe të sapozgjedhurin, Presidentin e Francës, Emmanuel Macron.
Më pas, më 11 qershor, kjo orkestër nën drejtimin e Riccardo Chailly, do të performojë në sheshin “Duomo” në Milano, ku çdo vit mblidhen 4 – 5 mijë veta. Ndërsa më 18 qershor ajo do të japë shfaqje nën drejtimin e Chung-ut në sheshin “Unita d’Italia” në Trieste.
Përcaktimi i programit që do të luhet për hapjen e G7, nuk ka qenë aspak i lehtë, shprehet drejtori artistik i orkestrës, Ernesto Schiavi. Janë të shumtë dhe të kombësive të ndryshme të pranishmit në këtë takim, prandaj nuk mund të arrihej kurrë në një zgjedhje që t’i kënaqte të gjithë. Kjo ishte edhe arsyeja se përse u zgjodh që vepra që do të luhet është: akti i III i Madame Butterfly të Puçinit, më pas do të vijohet me Traviatën e famshme dhe me simfoninë “Forza del Destino” të Verdit.
Në fund të sezonit veror, kjo orkestër do të niset për turne të tjerë në vende të ndryshme të botës, si në Londër, Berlin, Bukuresht dhe Freiburg.