Pas rreth 12 vjetësh, ligji për prodhimet biologjike do të ndryshojë, duke dhënë më shumë garanci e duke shërbyer si një guidë për ata që i përkasin këtij sektori. Në projektligj parashikohet i gjithë zinxhiri që duhet të ndjekë një produkt që të konsiderohet i tillë, ndërsa parashikohen edhe sanksione për rastet e abuzimeve
Bujqësia biologjike në Shqipëri duket se po kalon një periudhë të vështirë. “Sa herë ikin donatorët, aq herë i largohemi edhe bujqësisë organike”. Kështu shprehet specialisti Enver Isufi, drejtor i Institutit të Bujqësisë Bio, në Durrës. Sipas tij, shkaqet janë të shumta dhe nuk kanë të bëjnë vetëm me mungesën e subvencioneve, por edhe me faktin se bujqësia është e lidhur me tokën dhe duhen të paktën tre vjet që ajo të jetë optimale për të prodhuar. Kthimi i investimit nuk është i shpejtë dhe rreziku është i lartë. Por, për dr. Isufin, lajmi se projektligji i bujqësisë organike (për të cilin ka kontribuar) ka mbërritur tashmë në tavolinë është pozitiv.
“Ligji në fuqi është hartuar në vitin 2004, ndërsa ky draft përafron të gjitha nocionet me ato të standardeve të Bashkimit Europian. Është një ligj i mirë, që përcakton rregulla të qarta për të gjithë zinxhirin nga duhet të kalojë një produkt organik, nga A-ja te Zh-ja”.
Projektligji “Për prodhimin biologjik, etiketimin e produkteve biologjike dhe kontrollin e tyre”, sipas prof. Isufit është konsultuar gjerësisht dhe vendos parime të qarta. Së pari, mbi përkufizimet se cili quhet prodhim bio dhe së dyti, se si shkohet te ky prodhim, duke nisur nga fidanët që nuk duhet të jenë të modifikuar gjenetikisht, burimet që nuk duhet të jenë kimike e deri tek ambalazhimi e paketimi.
Parashikohet që me miratimin e këtij ligji, do të funksionojë edhe kontrolli i tregut të produkteve biologjike. Rritja e besimit do të shtojë numrin e operatorëve që më së shumti kanë nevojë për një treg të sigurt ku të mund të shesin produktet dhe që investimi të mos shkojë dëm. Produktet biologjike zakonisht shiten disa herë më shtrenjtë sesa produktet e tjera, por sot për sot, në Shqipëri mungojnë vendet.
Që tregjet e huaja të pranojnë produkte bio është i nevojshëm identifikimi i këtyre produkteve si të tilla. Ekspertët thonë se procesi duhet të jetë i saktë dhe rigoroz.
Në fakt, ka një kompani shqiptare, Albinspekt, e cila është e para e listuar nga Bashkimi Europian në Listën e Trupave Inspektuese dhe Certifikuese. Deri tani janë 58 kompani shqiptare (një pjesë e të cilave janë në proces) të certifikuara, nga të cilat 18 janë me origjinë nga Kosova e që i përkasin fushave të ndryshme të prodhimtarisë.
Po cilat janë ndryshimet kryesore që pritet t’i bëhen ligjit?
Në relacion, hartuesit shprehen se projektligji përcakton në mënyrë më të qartë objektivat, parimet dhe rregullat për prodhimin biologjik, që të sigurohet transparenca dhe besimi i konsumatorit; përcakton produktet dhe substancat që lejohen të përdoren në prodhimin biologjik; përcakton metodat që duhet të përdoren në bujqësinë biologjike dhe në përpunimin e ushqimit biologjik; ndalon përdorimin e organizmave të modifikuar gjenetikisht (OMGJ-të) në bujqësinë biologjike; vendos rregullat për etiketimin e produkteve biologjike; ngre sistemin e kontrollit për prodhimin biologjik dhe përcakton autoritetet përgjegjëse për kontrollin në çdo hallkë të prodhimit biologjik; sanksionon rregullat për importin e produkteve biologjike nga vendet e tjera.
Gjithashtu parashikohet që në Ministrinë e Bujqësisë do të ngrihet Komisioni për Prodhimin Biologjik, i cili do të jetë përgjegjës për miratimin dhe mbikëqyrjen e trupave të kontrollit.
Por, si do të dallohen produktet bio nga konsumatori?
Etiketat e produkteve bio do të shoqërohen me emërtimin “bio”, “biologjik” ose “eko”.
Ndërsa, për produktet e përpunuara, kushti që të konsiderohen biologjike është që të paktën 95% e peshës së përbërësve të tij me prejardhje bujqësore të jenë biologjikë.
Projektligji përcakton edhe përmbajtjen që duhet të ketë etiketimi i një produkti bio, në të duhet të cilësohet qartë se kemi të bëjmë me “bujqësi shqiptare”, kur lënda e parë bujqësore është kultivuar në Shqipëri dhe me “Bujqësi joshqiptare”, kur lënda e parë bujqësore është kultivuar në vende të tjera.
“Identikiti” i një produkti 100% të pastër
Që të quhet bio, një produkt ushqimor duhet të jetë rritur pa pesticide sintetike, pa hormone të rritjes artificiale, pa antibiotikë, pa plehra kimikë apo modifikues gjenetikë.
Nëse mendoni se një produkt është bio ngaqë është natyral, kjo është pjesërisht e vërtetë. Produkti bio është produkti natyror, që rritet sipas cikleve specifike natyrore, në një tokë të trajtuar mirë nga ana bujqësore, pa agresorë të huaj, që dëmtojnë përbërjen e produktit, mjedisin, por edhe konsumatorët fundorë.
Sipas statistikave të vitit 2015, të raportit “Bota e bujqësisë organike” thuhet se Shqipëria ka 662 hektarë tokë organike që përbën 0.1% të totalit të tokës bujqësore.
Në Ballkan, sipas statistikave, bujqësia organike zë vetëm 0.6% të sipërfaqes totale bujqësore, shifër kjo e cila është 10-15 herë më e vogël sesa mesatarja e vendeve të BE-së. Më mirë paraqitet Kroacia, e cila 3.7% të sipërfaqes bujqësore e ka bio. Menaxhohet me praktikat e standardeve bio, ose organike. Mali i Zi, Maqedonia dhe Kosova janë pak a shumë në të njëjtat nivele ku gjendet edhe Shqipëria.
Ekspertët thonë se, deri diku, bujqësia organike në Shqipëri ka qenë (dhe është) e ndërvarur nga donacionet e huaja, projekte të ndryshme që synojnë të nxisin zhvillimin e bujqësisë organike.
Që nga viti 2001, projekte të ndryshme kanë ndihmuar në promovim, ku më të rëndësishmit kanë qenë: projekti “Sustainable Agriculture Support in Albania” – SASA – (2001–2011), zbatuar nga FiBL Zvicër; projekti PAB-Interreg IIIA (2004 – 2007) – Projekt i integruar për përhapje dhe asistencë teknike në zbatimin e metodave të prodhimit organik – zbatuar nga IAM-Bari; si dhe Bio-84/01 (Balkans provision for the Italian Partecipation in Stabilization, Reconstruction and Development of the countries of the Balkan area) për trajnimin e ekspertëve teknikë në bujqësinë organike, në mbështetje të zhvillimit rural dhe emergjencave të ushqimit në rajonin e Ballkanit.
Bujqësia organike ka përfituar nga aktivitete të financuara nga agjencitë dhe donatorë të huaj si Oxfam, GTZ, SNV, FAO, etj.
Sipas Ministrisë së Bujqësisë, si rezultat i kësaj ndihme është bërë e mundur rritja e kapaciteteve prodhuese dhe tregtuese e produkteve organike, brenda dhe jashtë vendit, sidomos në prodhimin e vajit të ullirit organik.
USAID ka qenë dhe është aktiv në promovimin e produkteve organike shqiptare në panairet si “BioFach” apo dhe atyre të organizuara në SHBA e vende të tjera europiane.
Edhe qeveria shqiptare ka bërë disa përpjekje për të mbështetur këtë sektor, me disa skema mbështetëse që e kanë nisur që nga viti 2008, ku si rezultat pati rritje të numrit të operatorëve organikë. Në vitin 2013 u llogaritën 137 ferma, 126 kultivues, nga të cilët 25 janë kultivues/përpunues; 14 janë grumbullues dhe 17 janë eksportues.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, sipërfaqja e certifikuar është 274,413 hektarë, nga e cila sipërfaqe e kultivuar është 440 hektarë dhe 273.972 janë bimët e egra mjekësore/aromatike.
Ndër produktet kryesore organike përmenden: ulliri, kryesisht për prodhim vaji, vreshtat për tavolinë dhe verë, perimet dhe frutat.
Mbi 99% e produkteve që vijnë nga mbledhja spontane eksportohen në SHBA, Gjermani, Zvicër, Francë, Belgjikë, Lihtenshtajn, Austri, Itali dhe vende të tjera si Bullgaria dhe Turqia.
Sanksionet
Projektligji ka një kre të dedikuar edhe për sanksionet që operatorët privatë të këtij tregu mund të marrin nëse shkelin rregullat:
“a) Kur në prodhimin biologjik përdoren produkte dhe substanca që nuk përfshihen në listën e përcaktuar në nenin 16, të këtij ligji, produkti nuk certifikohet si biologjik;
b) Në rast konstatimi të kontaminimit të produktit, sipas përcaktimit të bërë në shkronjën “nj”, të nenit 3, produkti nuk certifikohet si biologjik;
c) Në rastin e gjetjes së një mashtrimi nga operatori, trupa e kontrollit i heq certifikatën operatorit.
ç) Në rast se operatori përsërit mbi dy herë shkeljet, të cilat cenojnë statusin biologjik të produktit, operatori decertifikohet dhe nuk ka të drejtë aplikimi për një periudhë 12-mujore, nga data e decertifikimit.
Avantazhet
Drafti i ri ka disa përparësi ndaj atij ekzistues, që janë:
– Përcakton në mënyrë më të qartë objektivat, parimet dhe rregullat e zbatueshme për prodhimin biologjik, në mënyrë që të sigurohet transparenca dhe besimi i konsumatorit dhe një perceptim i harmonizuar i konceptit të prodhimit biologjik;
– Krijon një kuadër të përgjithshëm dhe të detajuar rregullash për prodhimin biologjik, në lidhje me prodhimin bimor, blegtoral, akuakulturës, algave të detit; rregullat për kalimin drejt prodhimit biologjik, si dhe rregullat për prodhimin e ushqimit të përpunuar, përfshirë ushqimin për kafshë, si dhe majatë biologjike;
– Përcakton produktet dhe substancat që lejohen të përdoren në prodhimin biologjik;
– Përcakton metodat që duhet të përdoren në bujqësinë biologjike dhe në përpunimin e ushqimit biologjik;
– Ndalon përdorimin e organizmave të modifikuar gjenetikisht (OMGJ-të) dhe produkteve të prodhuara me apo nga OMGJ-të në bujqësinë biologjike apo në përpunimin e produkteve biologjike;
– Përcakton rregullat e përgjithshme dhe të veçanta për etiketimin e produkteve biologjike, si dhe logon kombëtare;
– Përcakton sistemin e kontrollit për prodhimin biologjik dhe përcakton autoritetet përgjegjëse për kontrollin në çdo hallkë të prodhimit biologjik, si dhe rregullat e veçanta për kryerjen e kontrollit biologjik;
– Ngre sistemin e informacionit për prodhimin biologjik;
– Siguron përshtatshmërinë për zbatimin e rregullave të prodhimit, sipas kushteve lokale klimatike ose gjeografike, praktikave specifike të mbarështimit dhe fazave të zhvillimit;
– Përcakton rregullat për importin e produkteve biologjike nga vendet e tjera.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.