Në “qarqet hi-tech”, lajtmotivi është gjithnjë i njëjti: një ditë, smartphone do të zhduket dhe do të zëvendësohet nga pajisje të tjera. Se cilat do të jenë, tani për tani, nuk dihet.
Ndërkohë, dikush po nis të hedhë hapa përpara. Si për shembull Origami Labs, që ka shpikur një unazë që e shndërron gishtin në telefon.
Kjo pajisje futuristike quhet Orii dhe në pamje të parë duket një aksesor i zakontë. Në të vërtetë është shumë më tepër. Ajo premton se do të zëvendësojë në të ardhmen smartphone-n.
Mjafton të afrosh unazën pranë veshit, njësoj si kur përdor telefonin. Orii përdor përçueshmërinë e kockave për të transmetuar impulset deri në vesh. Dhe jo vetëm. Ky sistem ju lejon edhe të përgjigjeni. Dhe gjithçka thjesht duke përdorur një unazë që e vini në gisht. Po ashtu është i mundur edhe dërgimi i mesazheve.
Si funksionon Orii
Për të aktivizuar Orii mjafton të prekni veshin dhe unaza inteligjente e kompanisë Origami Labs nis të funksionojë. Siç e thamë më parë, pajisja shfrytëzon përçueshmërinë e kockave duke dërguar impulse nëpërmjet gishtit. Dhe duket se cilësia audio është shumë e lartë, edhe në kushtet kur në ambientin rreth e qark ka shumë zhurmë.
Mikrofoni është i pajisur me një sistem që redukton zhurmën. Po ashtu, përcjellshmëria e kockës siguron një transmetim shumë të qartë të sinjalit audio.
Unaza flet nëpërmjet Siri dhe Google Assistant
Edhe pse unaza inteligjente mund të zërë vendin e telefonit, që të funksionojë ka ende nevojë për smartphone-n “e vjetër”. Orii, në fakt, lidhet me pajisjen smartphone nëpërmjet Bluetooth. Janë me të vërtetë të shumta gjërat që mund të bëni me këtë pajisje.
P.sh., nëpërmjet kontrollit zanor mund të përdorni Orii për të bërë përkthime, të vini alarmin e zgjimit, të lexoni dhe t’u përgjigjeni mesazheve. Pajisja inteligjente “punon” me asistentët virtualë të Apple dhe Google. Orii gjithashtu është rezistent ndaj ujit dhe i disponueshëm në ngjyra të ndryshme.
Çmimi dhe data e daljes në treg
Për të financuar projektin, Origami Labs ka nisur një fushatë financimi në Kickstarter, një nga platformat kryesore “crowfunding”. Çmimi fillestar nis nga 99 dollarë. Unazat e para do të dalin në shitje duke filluar nga shkurti i vitit 2018.