Rruga Orikum – Dukat është pjesë e paketës së koncesioneve “One Billion”, që ka përmasat e një rruge turistike lokale e tipit C2 me dy korsi, me gjerësi pak më shumë se 7 metra. Mirëpo qeveria ka vendosur të japë me koncesion vetëm pjesën e parë të saj Orikum-Dukat, kundrejt 50 milionë eurove, duke e bërë nul eficencën e segmentit si në rastin e Thumanë – Rrogozhinë, ku është dhënë me koncesion vetëm gjysma. Pjesa nga Orikumi në Dukat do të jetë një rrugë e kategorisë C2, në të cilën shpejtësia e projektuar e lëvizjes do të jetë mes kuotave 60-80 kilometra/orë sipas zonave ku kalon. Kosto për kilometër 3.5 milionë kilometër shumë herë më e lartë se praktikat e mëparshme në Shqipëri për të ndërtuar një rrugë të C2.
Në vitin 2009, qeveria shqiptare ka ndërtuar 35 kilometër rrugë të tipit C2, të cilat sipas të dhënave të Ministrisë së Financave kanë kushtuar 664 mijë euro për kilometër. Një kilometër rrugë lokale me dy korsi do të ndërtohet me kosto 5 herë më të lartë se në vitin 2009. Madje, rruga që lidh fshatrat e Vlorës dhe nuk është pjesë e planeve strategjike të transportit të Shqipërisë, po kushton më shtrenjtë se autostradat që qeveritë e mëparshme kanë ndërtuar dekadën e kaluar.
Rruga e Arbrit, vit pas viti kostot fluturuan
Rruga e Arbrit, me gjatësi mbi 70 kilometër, e cila lidh Tiranën me Maqedoninë nëpërmjet Dibrës, nisi si ide në vitin 2008. Projekti i propozuar ishte një rrugë e tipit C, me gjerësi 7 metra, kostoja totale e të cilit fillimisht u llogarit 150 milionë euro, për shkak të punimeve të vështira në një terren malor me shumë tunele. Për shkak se të gjitha studimet e nxorën rrugën jo fizibël, qeveria nisi ndërtimin e saj me fondet e veta, mirëpo kriza e vitit 2008 dhe shpenzimet e larta për Rrugën e Kombit kufizuan mundësitë për të ndërtuar Rrugën e Arbrit, edhe pse disa segmente të saj rreth 20 kilometra, kanë përfunduar, ndërsa pjesa më e vështirë me tunelet brenda mbeti e papërfunduar. Duke parë vështirësitë e financimit të rrugës, inxhinieri i njohur Faruk Kaba i kishte propozuar qeverisë shqiptare një variant për të ndërtuar kilometrat e mbetura me vetëm 70 milionë euro. Mirëpo propozimi i zotit Kaba nuk është marrë parasysh, i cili është një nga ideatorët e projekteve më të mëdha rrugore në vend.
I konsideruar si një projekt populist, Rruga e Arbrit u përfshi në paketën 1 miliard euro, me financim 250 milionë euro për 53 kilometra. Kosto e një kilometri në këtë segment nga koncesioni është 4.5 milionë euro për kilometër, pak a shumë logjike për terrenin me shumë tunele dhe nuk ka diferencë të madhe me rrugën Orikum – Dukat që nuk ka të njëjtën vështirësi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.