Edhe një herë është Europa e Veriut ajo që feston. Por nuk ka asgjë për t’u habitur. Kur flitet për politika mjedisore efikase, në lojë është gjithnjë kjo pjesë e Kontinentit të Vjetër. Edhe këtë vit, loja për të kurorëzuar “Kryeqytetin e gjelbër” dhe “Gjethen e gjelbër” të ardhshme europiane ka parë të triumfojë dy vende të Skandinavisë (Norvegjinë dhe Suedinë) dhe një vend të pozicionuar pak më poshtë (Belgjikën).
Komisioni Europian ka vendosur që Oslo do të jetë European Green Capital 2019. Ky çmim u jepet qendrave të mëdha europiane që nga viti 2010, që dallohen se kanë zbatuar masa për mbrojtjen ekosistemit, të cilat janë reflektuar në përmirësimin e jetës së banorëve të tyre.
Por Bashkimi Euriopian, që prej vitit 2015, ka dashur t’u japë një sinjal edhe qyteteve të vogla – me më pak se 100 mijë banorë – për t’u bërë laboratorë të vegjël ku mund të eksperimentosh praktikat më të mira mjedisore. Kështu, në vitin 2018 do të jenë Vaxjo dhe Leuven që do të ndajnë mes tyre titullin ‘European Green Leaf 2018’ (EGLA).
OSLO
Kryeqyteti norvegjez dëshiron të bëhet “carbon free” brenda vitit 2030. Marrja e masave dhe vëmendja ndaj ndryshimeve klimatike – këto janë dy pika të rëndësishme të “Climate Budget” një listë me 42 masa për t’u marrë në 30 vitet e ardhshme – që e kanë bërë Oslon të marrë këtë titull prestigjioz.
Kjo detyrë ndoshta është thjeshtuar nga popullsia e saj (pak më shumë se 650 mijë banorë) dhe pozicioni gjeografik – rrethohet nga pylli Marka – një zonë e mbrojtur në nivel kombëtar – por angazhimi i Oslos rreth temës së “mjedisit” është prej vitesh konstant dhe konstruktiv. Jo rastësisht, Oslo është bërë “kryeqyteti botëror i makinave elektrike” – më shumë se 30 për qind e mjeteve të transportit publik që qarkullojnë nëpër rrugë nuk përdorin motor endotermik. Kjo e dhënë reflektohet në përmirësimin e ajrit.
Parashikohet që Oslo, të arrijë të reduktojë emisionet e CO2 (krahasuar me vitin 1990) me 50 për qind brenda vitit 2020, me 95 për qind brenda vitit 2030 dhe për t’u bërë përfundimisht “carbon free” në vitin 2050 (100 për qind me makina elektrike). Për të arritur këtë objektiv do të përmirësohen infrastrukturat e transportit me biçikleta dhe mjeteve publike.
LEUVEN
Sa i përket Leuven, atij i është dhënë titulli “Gjethja e gjelbër europiane” për vitin 2018. Leuven është një nga qytetet e para të Kontinentit të Vjetër për të adoptuar sjellje të virtytshme për të mbrojtur mjedisin. Rol kyç ka luajtur sigurisht projekti ‘Leuven Klimaatneutraal 2030’, një organizatë jofitimprurëse, që bën bashkë 60 aktorë dhe më shumë se 300 anëtarë shoqatash dhe qytetarë.
Të gjithë së bashku kanë ndërmarrë objektiva ambiciozë për të reduktuar në mënyrë të ndjeshme nivelin e dioksidit të karbonit në atmosferë deri sa t’i zhdukë tërësisht atë në vitin 2030. Për ta arritur këtë objektiv, Leuven synon një sistem transporti që të jetë sa më shumë të jetë e mundur “ekologjik”. Ky aksion po zhvillohet në dy fronte paralele: kthimin e qendrës në një zonë vetëm për këmbësorë dhe rritjen e shërbimeve car sharing, për të reduktuar në mënyrë të ndjeshme numrin e mjeteve në qarkullim.
VÄXJÖ
Në Suedi, “monumenti” i vërtetë është natyra: këtu gjendet qyteti më i gjelbër i Europës.
Växjö është mushkëria e gjelbër e kontesë së Kronoberg (në jug të vendit).
Këtu njeriu është thuajse një mysafir, duke u detyruar ta ndajë hapësirën me zona të mëdha natyrore të mbrojtura dhe kopshte urbane (që zënë rreth 70 për qind të territorit).
Për këtë, strategjia e Växjö synon kryesisht në ruajtjen e këtyre zonave se sa industrializimit të qytetit. Në këtë optikë, kanë lindur politika të tilla që këto zona të gjelbra të jenë të arritshme për qytetarët, duke krijuar rrugë për biçikleta dhe rrugë për këmbësorët, duke shkurajuar në këtë mënyrë përdorimin e mjeteve. Nëse ju duhet të lëvizni në qytet është e këshillueshme të përdorni mjete publike. Vitet e fundit, flota e mjeteve publike është rritur më shumë se 40 për qind dhe përbëhet nga mjete që përdorin gaz natyror. Kufizimi i trafikut synon ndër të tjera edhe reduktimin e ndjeshëm të ndotjes akustike, falë përdorimit të një “Asfalti special”. Objektivi strategjik – i cili daton që nga viti 1996 – është eliminimi i karburanteve të përftuara nga mbetjet fosile.
Nga pikëpamja turistike, Växjö nuk ka shumë për të ofruar: për banorët e saj (dhe për turistët që vijnë në këto anë) atraksioni kryesor turistik është natyra: pyje, parqe, liqene e shëtitje në ajër të pastër janë “monumentet” e saj. Dhe jo më kot është cilësuar “qyteti më i gjelbër” i Europës”.