Bizneset dhe individët kanë marrë kredi më të shtrenjtë në janar, pavarësisht politikës lehtësuese monetare të Bankës së Shqipërisë, që prej mëse dy vitesh po synon uljen e kostos së parasë.
Statistikat mujore të publikuara nga Banka e Shqipërisë bëjnë të ditur se interesi mesatar i ponderuar për kreditë e reja në muajin janar 2015 ishte 8.1%, duke shënuar rritje me 0.35 pikë përqindjeje në krahasim me muajin e mëparshëm.
Që nga shtatori i vitit 2011, institucioni monetar qendror ka reduktuar 13 herë normën bazë, me synimin uljen e kostos së lekut dhe nxitjen e kreditimit dhe investimeve në ekonomi. Ulja e fundit ishte në fund të janarit 2015, kur norma bazë zbriti në nivele historike minimale prej 2% (një reduktim me 3.5 pikë përqindjeej në krahasim me shtatorin 2011).
Për të njëjtën periudhë, interesat e kredive në lekë janë reduktuar me 3 pikë përqindjeje.
Por, segmenti që ka reflektuar më shumë këtë politikë ka qenë ai I interesave të depozitave, të cilat shënuan një tjetër rënie në janar, duke zbritur në 1.42% për depozitat 12 mujore, një rënie me 4.5 pikë përqindjeje në krahasim me shtatorin 2011, sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë.
Si rrjedhojë diferenca mes interesave të kredive e depoztave shënoi rritje në janar, në 6.35% nga 5.49% në dhjetor 2014.
Ndërkohë, kredia për ekonominë shënoi rënie si në dhjetor, ashtu dhe në janar 2015. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, totali i kredisë për ekonominë në fund të muajit janar 2015 arriti në 557.7 miliardë lekë, duke shënuar një rënie prej 0.4% në raport me muajin e mëparshëm. Ky është muaji i dytë radhazi me rënie, pas tkurrjes prej 0.25% me bazë mujore që u konstatua dhe në dhjetor. http://www.monitor.al/kredia-bie-per-dy-muaj-radhazi
Në kahun tjetër, yield-i i bonove të thesarit ka shënuar rritje muajt e fundit, për të arritur në 3.59% në ankandin e fundit, për shkak të tërheqjes së bankave nga blerja e letrave me vlerë të qeverisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.