Tatimet janë rritur më së miri në një bazë të gjerë, por në shumë vende, kjo bazë është tepër e ngushtë
“Më pëlqen të paguaj taksat”, – tha Oliver Wendell Holmes. “Me to blej qytetërimin”. Shumica e njerëzve mendojnë se taksat paguajnë për shërbimet publike, por pak janë të prirë t’i vlerësojnë sikundër bënte Justice Holmes. Taksat e larta mbi të ardhurat kanë tendencë të dekurajojnë përpjekjen dhe sipërmarrjen, ndërsa inkurajojnë të gjithë mënyrat për t’i shmangur ato. Kjo është arsyeja se pse një parim bazë i politikës së mirë tatimore i referohet prej kohësh një norme të ulët mbi një bazë të gjerë.
Ky është një objektiv, i cili u mungon shumë vendeve, dhe hendeku vijon në rritje. Taksat mbi të ardhurat, një nga burimet kryesore të të ardhurave tatimore në të gjithë botën e pasur, paguhen gjithnjë e më shumë nga një pakicë e vogël e më të pasurve. Në Britani, punësimi është rritur me 1.3 milionë në pesë vitet e fundit, por numri i tatimpaguesve ka rënë me 2.2 milionë. Më shumë se 40% e familjeve amerikane nuk paguajnë asnjë taksë mbi të ardhurat. Në të kundërt, pjesa prej 1% e punëtorëve që paguhen më shumë në Britani paguajnë 28% të të gjithë tatimit mbi të ardhurat, ndërsa në Amerikë kjo shifër është 46%. Në vitin 1979, këto shifra kanë qenë 11% dhe 18% respektivisht. Tatimet mbi të ardhurat e korporatave tregojnë të njëjtin përqendrim. Në Britani, vetëm 830 firma paguajnë pothuajse gjysmën e të gjitha taksave të korporatës. Pesë industritë amerikane përbëjnë 81% të të ardhurave nga tatimet e korporatave të vendit, por vetëm një të tretën e kompanive të saj.
Ky ngushtim i bazës tatimore është pjesërisht pasojë e natyrshme e zgjerimit të pabarazisë. Që kur pjesa gjithnjë e më e madhe e të ardhurave të përgjithshme shkon te personat me të ardhura më të mëdha, dhe derisa tatimet mbi të ardhurat janë progresive (me një normë më të lartë vjelje ndaj të ardhurave më të mëdha), është e pashmangshme-që më të pasurit duhet të paguajnë një pjesë në rritje të shifrës së përgjithshme të taksave. Përpjekjet ‘dashamirëse’ për të nxitur punën në mesin e të varfërve kanë ndikuar në përqendrimin e numrit të taksapaguesve.
Earned Income Tax Credit (EITC) e Amerikës, e cila plotëson të ardhurat e më të varfërve, është një nga skemat e saj më të mëdha në luftën kundër varfërisë. Falë EITC, miliona persona sigurojnë një çek nga Uncle Sam në vend që të paguajnë tatimin mbi të ardhurat. Rënia e numrit të taksapaguesve britanikë ka ardhur si pasojë e përjashtimeve të reja bujare për personat me të ardhura me të ulëta.
Për fat të keq, ngushtimi i bazës tatimore, si personale dhe të korporatave, gjithashtu reflekton dy dështimet e politikës së taksave.
E para është përhapja e përjashtimeve dhe zbritjeve që shkojnë shumë përtej politikave të arsyeshme në luftën kundër varfërisë. Amerika është shkelësi më skandaloz. Tatimi i saj mbi të ardhurat (e cila kontribuon një pjesë më të madhe të të ardhurave të përgjithshme sesa në vendet e tjera të pasura) është i mbushur me zbritje të panumërta, nga sigurimi mjekësor te kreditë hipotekore, që në mënyrë kolektive kushtojnë 7% të PBB-së dhe nënkuptojnë se tatimi mbi të ardhurat caktohet në një bazë shumë më të ngushtë. Vende të tjera të pasura, nga Italia në Australi, aplikojnë shumë zbritje të panevojshme.
Problemi i dytë, i cili vlen kryesisht për taksat mbi të ardhurat e korporatave, është se rregullat tatimore kanë dështuar të ecin paralelisht me realitetin e ekonomisë së shekullit të 21. Një web i traktateve misterioze tatimore dypalëshe u mundëson kompanive më të zgjuara të zhvendosin fitimet e tyre nga juridiksionet e taksave të larta drejt atyre të taksave të ulëta, si duke regjistruar patenta ashtu edhe duke aplikuar kredi brenda kompanisë. Faturat tatimore të një firme varen më shumë se në çfarë është e përfshirë industria dhe se sa të zgjuar janë kontabilistët e saj se sa në rentabilitetin e saj. Amerika, me normën më të lartë margjinale, ka çrregullimet më të mëdha.
Më mirë më të thjeshtë dhe më mirë së bashku
Këto probleme duhet të zgjidhen. Një bazë e ngushtë e taksave është ekonomikisht dhe politikisht e rrezikshme, veçanërisht në qoftë se logjika për ata që paguajnë taksat shfaqet kapriçioze. Qeveritë në të gjithë botën e pasur, por veçanërisht në Amerikë, duhet të zvogëlojnë zbritjet në mënyrë agresive. Dhe ato duhet të punojnë së bashku për të arritur një marrëveshje ndërkombëtare se si firmat duhet të regjistrojnë fitimet e tyre. Projekti i fundit nga OECD është një fillim i mirë. Sikundër ndodh me tregtinë, një qasje shumëpalëshe ndaj traktateve tatimore është shumë më mirë se marrëveshjet dypalëshe. Në këtë mënyrë, më shumë vende kanë shanse më të mira të rrisin taksat që ndihmojnë ndërtimin e qytetërimit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.