Më shumë se dy shekuj. Sipas Raportit Global të Barazisë Gjinore, kjo është periudha kohore e nevojshme për të arritur barazinë gjinore. Por sigurisht që askush nuk mund të presë kaq gjatë.
Të shumta janë organizatat që kanë diskutuar dhe vazhdojnë të diskutojnë në lidhje me barazinë gjinore, e megjithatë progresi ka qenë i vogël. Prandaj një numër shumë i madh grash janë skeptike në lidhje me ndryshimin që mund të vijë nga diskutimet e ndryshme. Përveç pikave të tjera ky raport ka vënë në dukje edhe disa prej sfidave më të mëdha me të cilat janë përballuar gratë.
Prandaj çfarë duhet ndryshuar dhe si duhet të veprojnë liderët për të mbështetur barazinë gjinore, në mënyrë që edhe grave t’u jepet e drejta njësoj si burrave për të qenë lidere.
Në fillim të këtij muaji, PwC kreu një sondazh për t’i dhënë përgjigje pikërisht këtyre pyetjeve.
Rreth 3,600 gra të punësuara në 27 industri të ndryshme ndanë pikëpamjet në lidhje me përvojën e tyre në punë dhe me aspiratat që gjithsecila prej tyre kishte. Ky anketim u përqendrua kryesisht tek gratë e grupmoshës 28-40 vjeç, sepse është pikërisht kjo moshë në të cilën ndeshen edhe diskriminimet më të shumta për sa i përket barazisë gjinore, duke qenë se edhe përgjegjësitë e grave në jetën e tyre personale rriten, pasi martohen dhe bëhen nëna.
Studimi nxori në pah disa rezultate pozitive.
Gjithnjë e më shumë gratë po shfaqen me më shumë besim në vetvete dhe më ambicioze se kurrë: 82 për qind kanë besim te vetja dhe në aftësitë që kanë për të qenë të suksesshme; 77 për qind e tyre kanë besim në aftësitë e tyre për të qenë lidere të suksesshme dhe 73 për qind e tyre janë në kërkim të vazhdueshëm të mundësive më të mira profesionale.
Por, fatkeqësisht ky studimi theksoi edhe faktin që duhet një rrugë shumë e gjatë, përpara se të arrihet barazia gjinore.
Ai identifikoi edhe 3 strategji të cilat janë shumë të rëndësishme për të krijuar një mjedis pune ku hendeku i barazisë gjinore të mos jetë kaq i madh por të punojnë në mënyrë të suksesshme me njëri-tjetrin.
1. Transparenca dhe besimi janë të rëndësishme. Madje shumë!
Një numër i madh i grash të anketuara u shprehën se ato nuk u besojnë fjalëve të drejtuesve të tyre për sa i përket zhvillimit të karrierës së tyre dhe promovimeve të ndryshme. Për të rritur mundësitë e zhvillimit të karrierës ato u shprehën se një faktor i rëndësishëm është transparenca (rreth 58 për qind e tyre).
2. Mbështetja
Gratë nuk mund të bëhen kurrsesi lidere të suksesshme pa mbështetjen e njëra-tjetrës dhe pa mbështetjen e kolegëve të tyre burra. Mungesa e mbështetjes nga ana e këtyre të dyve do të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë në suksesin e grave. Ky nivel mbështetje mund të duket i vështirë dhe shumë kompleks por jo i pamundur, sepse tek e fundit edhe burrat e kanë pasur një mbështetje të tillë nga gratë për vite me radhë.
3. Mëmësia dhe sfida e fleksibilitetit
Rreth 97 për qind e grave të anketuara u shprehën se për to është shumë i rëndësishëm ambienti i punës dhe mbi të gjitha, që të punojnë në një punë të cilën ato e pëlqejnë. Për 95 për qind të tyre ishte shumë i rëndësishëm fleksibiliteti, madje shumica e tyre e quajtën si “sfida e fleksibilitetit”. ndërsa për 48 për qind prej tyre ishin shumë të rëndësishme rritjet në detyrë, sidomos për nënat e reja dhe për gratë që u përkasin grupeve të ndryshme etnike, sepse ato do të ndiheshin shumë të vlerësuara nëse kjo do të ndodhte. Madje punëdhënësit duhet të tregohen shumë të kujdesshëm ndaj këtyre kategorive të caktuara, duke mos e kthyer mëmësinë si një penalitet i karrierës profesionale, duke qenë se është i madh numri i grave që e humbin vendin e punës pasi bëhen nëna.