Gjatë vitit 2018, treguesi i hendekut gjinor i pagave në Shqipëri tregonte një diferencë prej 10.7 %, çka nënkupton se gratë paguhen mesatarisht 10.7% më pak sesa burrat. Shqipëria renditet e shtata krahasuar me vendet anëtare të BE-së për sa i përket këtij treguesi.
Megjithatë në 2014-n, viti më i hershëm që INSTAT ka publikuar të dhëna në lidhje me këtë tregues, hendeku midis pagës së një gruaje dhe një burri ishte 10 %. Kjo do të thotë për çdo 100 lekë që fitonte nga paga një burrë, një grua merrte 90 lekë. Pabarazia u thellua gjatë 2015-s dhe 2016-s, ku treguesi shënonte përkatësisht 11.47 % dhe 11.44 %.
Hendeku gjinor i pagave tregon diferencën midis pagës bruto që merr një burrë dhe asaj që merr një grua. Sipas një vlerësimi të Eurostat, gratë punojnë falas dy muaj çdo vit, në krahasim me një burrë. Me fjalë të tjera, në BE gratë paguhen 84 cent për çdo 1 euro që paguhet një burrë.
Eurostat ka vlerësuar se ka qenë një progres tepër i ulët në zbutjen e këtij hendeku në vitet e fundit.
Sipas të dhënave të Eurostat, hendeku gjinor më i ulët te pagat është shënuar në Rumani me 3.5 %. E ndjekur nga Luksemburgu dhe Italia me 5 %, dhe më pas nga Belgjika me 6 %, Polonia me 7.2 % dhe Sllovenia me 8 %.
Në Bashkimin Europian, sipas Eurostat, vlerësohet se hendeku mesatar gjinor i pagave është 16%.
Nga ana tjetër, Estonia është vendi me hendekun më të lartë të pagave. Kështu diferenca midis pagës së një burri dhe një gruaje atje është 25.6 %. Po ashtu edhe në Mbretërinë e Bashkuar, në Gjermani dhe në Çeki, hendeku gjinor i pagave vlerësohet më i lartë se 20%.
Hendeku gjinor i pagave është një tregues i pabarazisë së përgjithshme të punës midis grave dhe burrave. Në vendet ku niveli i punësimit është i ulët, hendeku i pagave duhet të jetë më i ulët se mesatarja. Hendeku i lartë i pagave është zakonisht karakteristikë për një treg pune në të cilin gratë janë të përqendruara në disa sektorë / ose profesioneve, ose në të cilat një pjesë e konsiderueshme e grave punojnë me kohë të pjesshme.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.