One Region, One Economy” duket se është më shumë ëndërr se realitet i prekshëm për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Në vitin e nëntë radhazi u organizua në Sarajevë, Forumi i Biznesit Rajonal. Motoja e këtij viti ishte “Një Rajon, Një Ekonomi” dhe qëllimi kryesor ishte zgjerimi i bashkëpunimit rajonal dhe përthithja e investimeve në rajon. Gjatë forumit u mbajtën panele të ndryshme diskutimi, ku përfaqësues të biznesit, të cilët vinin kryesisht nga Lindja, folën për mundësitë që paraqet rajoni për investimet e huaja.
Të ftuarit në panel, përfaqësues qeveritarë nga rajoni dhe përfaqësues të Samitit të Ballkanit Perëndimor, prezantuan se cilat janë mundësitë që ofron rajoni dhe sfidat që duhet të përballen për të rritur bashkëpunimin midis tyre. Një ndër të ftuarat në panel ishte edhe Doris Pack, presidente e European People Party dhe ish-presidente e delegacionit në Europën Juglindore. E pyetur nga “Monitor” se sa pranë është arritja e objektivit për një treg të përbashkët rajonal, Doris Pack, tha se gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë ende larg arritjes së këtij objektivi.
Pengesat për Shqipërinë
Nëse vendet e tjera të rajonit duhet të zgjidhin problemet e tyre etnike dhe të krijojnë raporte të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën, për Shqipërinë sfida kryesore mbetet korrupsioni dhe krimi i organizuar.
Sipas Doris Pack, presidente e European People Party dhe ish-presidente e delegacionit për Europën Juglindore në Parlamentin Europian, sfida kryesore e Shqipërisë është lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, i cili është gjerësisht i përhapur edhe në politikë. Zonja Pack solli në vëmendje Parlamentin e kaluar, ku 10-11 deputetë u detyruan të linin Parlamentin, sepse ishin kriminelë. “Besoj se ka shumë gjëra për të bërë, por duhet të ulet niveli i korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend”, – tha Pack. Shqipëria ka problemin e saj me kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike, përpara zgjedhjeve të fundit, askush nuk fliste për këtë çështje, përveç meje, shtoi Pack e pyetur nga “Monitor” mbi sfidat e Shqipërisë.
Pack nënvizoi se për të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, anëtarësimi në Bashkimin Europian do të jetë një realitet i prekshëm vetëm pasi të plotësojnë kushtet e vendosura. Disa nga problemet në rang rajonal që theksoi Pack janë: niveli i punësimit në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, korrupsioni në secilin prej këtyre shteteve, sistemi i dobët arsimor.
Pack, si politikane e vjetër, iu drejtua me një mesazh të drejtpërdrejtë politikanëve të pranishëm në Forumin e nëntë të Biznesit në Sarajevë. “Fjalët nuk janë të mjaftueshme, duhet t’i zbatoni ato që thoni në letra”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.