Ministri italian i ekonomisë Pier Carlo Padoan tha në intervistën e botuar të dielën se besonte që rritja në vitin 2014 mund të jetë më shumë se 0.8 për qind, por ai nuk mund të thotë se sa ekzaktësisht.
Në intervistën e gazetës Corriere della Sera, Padoan u pyet nëse rritja do të mund të arrijë më shumë se parashikimi prej 0.8 për qind në fillim të këtij muaji në të ashtuquajturin Dokumenti Ekonomik dhe Financiar i qeverisë (DEF) i cili përmban objektiva të reja për vitet e ardhshme.
‘Unë me të vërtetë mendoj kështu, edhe pse nuk mund të japë një vlerësim të saktë se me sa do kemi rritje’ u citua të ketë thënë ai.
Ekonomia e Italisë, e treta më e madhe në eurozonë, u tkurr në vitin 2012 dhe 2013, dhe iu rikthye rritjes në bazë tremujore për herë të parë në më shumë se dy vjet gjatë tre muajve të fundit të vitit të kaluar.
Një konsensus i 20 ekonomistëve të anketuar nga Reuters në fillim të këtij muaji parashikoi se produkti i brendshëm bruto (PBB) do të rritet vetëm 0.6 për qind në vitin 2014.
Padoan tha gjithashtu se ai besonte që vendimi i qeverisë për të ulur taksat me rreth 80 euro në muaj për personat me të ardhura minimale duke filluar muajin e ardhshëm duhet të bëhet e përhershme nëse dëshirohet të ketë efektin e duhur.
‘Nëse një masë e tillë nuk është e përhershme, nuk do të fitojë besueshmëri dhe paratë nuk do të shpenzohen,’ deklaroi ai.