Paga minimale për punëtorët kosovarë është më e ulëta në rajon. Ajo nuk ka ndryshuar që nga viti 2011, e njëkohësisht është e kategorizuar në bazë të moshës: për punëtorët nën 35 vjeç është 130 euro, kurse ata mbi 35 vjeç – 170 euro.
Sindikalistët vazhdojnë të kundërshtojnë zërat për rritje page, po ashtu edhe kategorizimin e të punësuarve, thotë nënkryetari i BSPK-së, Alush Sejdiu.
“Ne si BSPK asnjëherë nuk e kemi pranuar kategorizimin e pagës minimale, mirëpo Qeveria ka nxjerrë një udhëzim administrativ për implementimin e pagës minimale në Kosovë dhe ajo është në afat trevjeçar”, thotë Sejdiu për televizionin publik.
Ndërkaq, kreu i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini thotë se brenda këtij viti duhet të debatohet rreth kësaj çështjeje dhe të shikohen mundësitë nëse rritja e pagës minimale ngarkon sektorin privat dhe rrit informalitetin.
“Në kategori nuk guxon të ndahet pasi e humb efektin e vet. Ne atëherë patëm menduar se kjo do të inkurajojë kategoritë e moshave, e që më vonë është parë se nuk është në rregull. Mbetet te përfaqësuesit e punëdhënësve dhe punëtorëve të debatojnë përsëri”, thotë ai, shkruan Telegrafi.
Këshillin Ekonomik Social tani e udhëheq ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, i cili nuk u prononcua për këtë çështje.
Me propozim të KES-it, pagën minimale e cakton Qeveria e Kosovës në fund të çdo viti për vitin vijues. Ajo është e obligueshme të zbatohet nga punëdhënësit vendorë dhe të huaj. Gjatë përcaktimit të pagës minimale duhet të merren parasysh kostoja e shpenzimeve jetësore, përqindja e shkallës së papunësisë, gjendja e përgjithshme në tregun e punës dhe shkalla e konkurrencës dhe produktivitetit në vend.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.