Paga, natyrisht. Por, jo vetëm. Përveç shpërblimit në para ka shumë përfitime (jo monetare) që sot shumë kandidatë, përpara se të pranojnë një ofertë për një punë të re dhe të hedhin firmën në kontratën e punësimit apo bashkëpunimit, vendosin të kërkojnë apo të negociojnë.
Këtë e thotë një studim i fundit i kryer nga Hunters Group, një kompani e specializuar në kërkimin dhe përzgjedhjen e personelit.
Në krye të klasifikimit të përfitimeve më të “dëshiruara” gjejmë, ndoshta çuditërisht për disa drejtues të Burimeve Njerëzore, zëra të tillë si orari fleksibël, mundësinë për të punuar nga shtëpia, programe për trajnim dhe azhurnim të vazhdueshëm të shërbimeve të mbështetjes ndaj jetës së përditshme dhe familjare.
“Aspekti ekonomik – thotë Matteo Columbo, drejtues ekzekutiv i Hunters Group – është sigurisht një element shumë i rëndësishëm, por jo i mjaftueshëm për të tërhequr në kompani njerëzit më të aftë. Të bësh bashkë një paketë konkurruese që ndërthur gjithë këto elemente mund ta ndihmojë kompaninë të tërheqë kandidatë të interesuar për një rrugëtim në karrierë dhe rritje për një kohë të gjatë”. Përfitimet që ofron korporata shndërrohen në një instrument “inteligjent” për të motivuar një kandidat, në rastet kur nuk ka kushte për të ofruar një pagë më të lartë se mesatarja në treg.
Për këtë arsye, ndërthurja e përfitimeve me të cilat të plotësoni propozimin ekonomik mund të jetë një nxitje shtesë për t’ia ofruar një personi të talentuar apo një profesionisti me përvojë, i interesuar për të ndryshuar kompani. Sipas ekspertëve të Hunters Group, duke synuar te përfitimet që përmirësojnë cilësinë e jetës së punonjësit marrin një rëndësi më të madhe edhe përfitimet që lidhen me një qasje më të orientuar ndaj personit. Duke u ndier i mbështetur edhe jashtë punës, kandidati do të jetë më i kënaqur dhe i motivuar në kryerjen e aktiviteteve profesionale, me një përmirësim të vazhdueshëm në ecurinë e punës.
Përveç përfitimeve të përmendura më lart në drejtim të fleksibilitetit të orarit dhe aftësinë për të punuar nga shtëpia, si dhe garantimin e një trajnimi dhe përditësimin e shërbimeve, kandidatët vënë në tryezën e bisedimeve edhe përfitimet e llojeve të ndryshme.
Nga përfitimet tradicionale, si për shembull në restorante apo mensa në kompani, vënia në dispozicion e një makine, mundësia për të pirë falas lëngje frutash, pushime të paguara, lidhja me internet në shtëpi, celular, kompjuter e tablet te përfitime të tjera më pak të shpeshta si polica sigurimit apo pensionesh, zbritje për shërbime komerciale të dobishme për punonjësit, palestra, çerdhe për fëmijët pranë kompanisë etj., etj. janë ndër kërkesat e tjera që punonjësit kërkojnë para se të pranojnë një punë të re.
Burimi: Il Sole 24 Ore