Selami Xhepa thotë se në kushtet e rënies së konsumit, qeveria duhet të kishte reaguar më parë me rritjen e pagave dhe pensioneve, pasi do të kishte një efekt pozitiv direkt në ekonomi. Ai nuk është dakord që në kurriz të kësaj rritjeje të kemi një shtim të borxhit, apo zbritje nga fondet për investime publike. Xhepa sqaron se ka hapësira ku qeveria mund të rritë të ardhurat, që nga lufta kundër informalitetit dhe heqja e lehtësive fiskale për sektorë të ekonomisë që nuk sjellin mirëqenie për popullsinë e saj.
Z. Xhepa, sa i vlen ekonomisë sot një rritje pagash dhe pensionesh dhe si ju duket në thelb si nismë?
Deri tani jemi në fushën e deklaratave politike dhe dëshirave që ka qeveria aktuale për të bërë një reformë të pagave dhe pensioneve, pasi për të folur në mënyrë më konkrete, duhet të presim projektbuxhetin për vitin 2017. Aty do të shihet mënyra se si do të gjenden këto para, nga do të rialokohen, nga do të hiqen, apo nëse do të krijohen të ardhura shtesë nga taksat dhe tatimet. Personalisht, besoj se rritja e pagave dhe pensioneve duhet të jetë një pjesë permanente konsistente e qeverisë, dhe fakti që kjo vjen thjesht në vitin elektoral, sigurisht që shfaq një natyrë populiste për mënyrën se si është adresuar. Shqipëria ka qenë në periudhat më të vështira të krizës, duke filluar nga viti 2011, 2012 dhe 2013 dhe ndoshta atëherë duhet të ishte momenti që qeveritë duhet të kishin bërë një stimul më të madh dhe të shtuar, duke rritur kërkesën konsumatore. Një prej mënyrave të sugjeruara dhe nga literatura është pikërisht politika e pagave dhe pensioneve, qoftë edhe të përkohshme, gjë që nuk është ndërmarrë. Kështu që ardhja e sforcuar pranë vitit elektoral e bën pak kontrovers këtë debat.
Z. Xhepa, duke qenë se tashmë është bërë e qartë nisma e qeverisë për të rritur pagat dhe pensionet, për pensionet është premtuar për një vlerë prej 3%, por ajo që do të marrë fondin më të madh është rritja e pagave mesatarisht me 10%, mendoni se qeveria i ka paratë për të realizuar këtë rritje?
Sidoqoftë, duke parë që rritja e të ardhurave në Shqipëri ka qenë në nivele stagnante, pasi ekonomia nuk ka arritur që të prodhojë më shumë të ardhura se sa ka qenë trajektorja historike prej 25 – 26% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, mendoj se rritja e pagave varet nga ky komponent. Duhen parë me kujdes projeksionet ekonomike, sepse nëse të ardhurat do të vijojnë të mbeten në të njëjtat nivele, atëherë thjesht do të kemi ose një rialokim të shpenzimeve për investime drejt konsumit. Por kjo gjë sigurisht që ndikon pozitivisht në përmirësimin e standardit të jetesës së popullsisë, por pengon dhe nuk është shumë frytdhënëse sa i takon zgjerimit të mundësive për një rritje ekonomike sa më afatgjatë. Kjo lëvizje bën që të kalosh nga investime produktive në investime joproduktive. Por nëse bëhet fjalë për financimin e kësaj rritjeje përmes një huamarrjeje të shtuar, sigurisht që kjo do të ishte tërësisht populiste dhe mendoj se do të ishte e papranueshme, jo thjesht nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, por edhe nga opinioni publik i vendit.
A shihni pas kësaj politike të rritjes së pagave një mundësi për rritjen e taksave, mbase dhe të fshehur…
Qeveria mendoj se është në një vështirësi të madhe sa i takon nevojës së konsolidimit financiar, sepse projeksionet për reduktimin e deficitit buxhetor sigurisht që kërkojnë ose rritje të të ardhurave ose shkurtim të shpenzimeve. Në konditat kur niveli i shpenzimeve të qeverisë në vendin tonë është më pak se 30% e Prodhimit të Brendshëm Kombëtar, mendoj se nuk do të ketë alternativë tjetër përveç rritjes së të ardhurave. Besoj se konsolidimi fiskal i vendit duhet të vijë detyrimisht nga rritja e të ardhurave, përndryshe qeveria rrezikon që të kryejë edhe shpenzimet më të nevojshme të saj të funksionimit të vetë shtetit. Mendoj se qeveria është në kushte që të kërkojë burime alternative për të shtuar të ardhurat si në sajë të vijimit të luftës kundër informalitetit, që ka ende shumë hapësira, dhe së dyti nga rikonsiderimi i të gjitha përjashtimeve fiskale të cilat janë më shumë të dëmshme për ekonominë, sesa ndihma që u japin sektorëve të caktuar. Kjo mendoj se është rruga e vetme që ka qeveria për të ndjekur.
Po rritja e pensioneve do të krijojë një deficit më të madh në skemë?
Politikat e pagave dhe pensioneve, sidomos sa u përket pensioneve, kam parasysh që gjendja e shtresës së pensionistëve është problematike në Shqipëri, por shëndoshja e skemës është sërish rruga e vetme që qeveria duhet të ndjekë. Nuk mund të ketë politika bujare për pensionet nëse nuk shëndoshet vetë skema e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, pra të rriten të ardhurat nga kontributet dhe jo të bëhet nga paratë e taksapaguesve apo transfertat e buxhetit të shtetit. Kjo do të shkaktonte probleme serioze sërish për konsolidimin fiskal të financave publike.
Mendoni se kjo rritje pagash dhe pensionesh do të japë efekte pozitive në rritjen e konsumit?
Një nga instrumentet më të rëndësishme për të vënë ekonominë në lëvizje, sidomos në situata krizash apo në gjendje stanjacioni ekonomik, siç ka qenë në vitet e fundit ekonomia jonë, politikat e pagave dhe stimulimi i konsumit është mënyra më e shpejtë për një zgjidhje. Por çdo nismë e tillë për të rritur konsumin jep efekt në kontekstin afatshkurtër. Sepse nëse ne rrisim konsumin dhe marrim paratë nga investimet, atëherë çfarë bëjmë? Rritim ekonominë në afatin e shkurtër, por e dëmtojmë në afatin e gjatë. I humbasim shanset për një rritje të qëndrueshme. Por në kushtet ku ndodhet realiteti social dhe ekonomik i vendit, mendoj se kjo është një çështje e domosdoshme.
Si do të ndikojë rritja e pagave të buxhetorëve në sektorin privat?
Rritja e pagave në sektorin publik shërben dhe si një lloj magneti për të shtuar presionin në sektorin privat. Shqipëria vijon të mbetet në vendet me nivelin më të ulët të pagave po të krahasohet me shtetet e tjera dhe kjo nuk i atribuohet produktivitetit cilësisht më të ulët të fuqisë punëtore shqiptare në raport me fuqinë e vendeve të tjera të rajonit. Ka hapësira që dhe sektori privat të indeksojë politika të rritjes së pagave dhe këtë do ta shihja jo si një rritje të kostove të biznesit, por më shumë si një stimul që vetë biznesi duhet të krijojë mbi fuqinë e saj punëtore, për të rritur dhe më shumë produktivitetin.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.