Forcimi i monedhës së përbashkët euro duket se është frenuar sot për shkak të afrimit të datës së fundit të pagimit të sigurimeve, duke u këmbyer sot me 137.24 lekë për një euro, thuajse e pandryshuar me një ditë më parë. Gjatë muajve të fundit monedha vendase, në datat 15 deri në 20 të çdo muaji kishte trend rritës të këmbimit me euron, duke qenë se njerëzit nxitonin të këmbenin të ardhurat në valutë për të paguar sigurimet.
Pas përfundimit të efekteve sezonale, dhe kapërcimit të euros nga nivelet më të ulëta të nëntë viteve të fundit, duket se monedha europiane është vlerësuar duke kapërcyer pragun prej 137 lekësh për një euro. (Kompanitë e huaja transferojnë fitimet, euro kërcen mbi 137 lekë)
Ndryshe nga muaji dhjetor, kur euro kapi nivelet më të ulëta, duke u këmbyer me 134 lekë, ky efekt është balancuar me transferimet e fitimeve jashtë nga kompanitë e huaja që operojnë në vend, ku lëvizja e kursit nga dje sot ka qenë e papërfillshme.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.