Kosova dhe Shqipëria ende nuk kanë arritur t’i largojnë barrierat tregtare mes vete. Vlera e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve po cilësohet tejet modeste nga njohësit e çështjeve ekonomike. Duke iu referuar shifrave zyrtare të Doganës së Kosovës, nga janari i këtij viti deri më tani, Kosova ka importuar nga Shqipëria mallra në vlerën e 167 milionë eurove, derisa vitin e kaluar vetëm 127 milionë e vlera e eksporteve në këtë shtet është shumë më e vogël, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Importet e këtyre mallrave përfshijnë kryesisht industrinë ushqimore dhe atë ndërtimore. Kështu ka treguar për gazetën “Zëri” zyrtari për informim në Doganë, Adriatik Stavileci. “Derisa nga Shqipëria kemi importuar 167 milionë euro gjatë këtij viti kryesisht në industrinë ushqimore dhe atë ndërtimore, vitin e kaluar nga Shqipëria kishim rreth 127 milionë, pra kemi rritje të shkëmbimeve tregtare me Shqipërinë”, ka treguar Stavileci.
Ndërkohë, Kosova deri më tani ka importuar nga Serbia mallra në vlerën e 381 milionë e 489 mijë e 375 eurove. Deri në vendimin e Qeverisë për vendosjen e taksës 100 për qind ndaj produkteve serbe të Bosnjë e Hercegovinës nga kjo e fundit janë importuar mallra në vlerën e 68 milionë e 857 mijë e 153 eurove. Përfaqësuesit e bizneseve kosovare janë skeptikë se do të rritet bashkëpunimi me Shqipërinë, ndonëse thonë se kanë pritur intensifikim të bashkëpunimit pas ndërtimit të autostradës.
/ZERI/
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.