Nga procedurat e regjistrimit në QKR, kreditimi i biznesit të vogël, tarifat doganore për drurin dhe kafenë, shpenzimet e njohura për bonuset e deri te pesëfishimi i gjobave dhe heqja e TVSH-së
Këshilli Konsultativ i Biznesit trajtoi javën e kaluar ndryshimet në disa projektligje fiskale. Prezantimi i risive u bë nga zëvendësministri i Financave, Alfred Rushaj, në prani të biznesit, e cili nuk pati shumë ndërhyrje për paqartësi. Një pjesë e ndryshimeve, siç është heqja e TVSH-së për importin e makinerive dhe pajisjeve janë miratuar në Këshillin e Ministrave, kurse pjesa tjetër do të kalojë shumë shpejt. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Edmond Haxhinasto, e konsideroi një paketë të plotë fiskale në ndihmë të biznesit, kurse Rushaj e cilësoi një hap më tej kundër evazionit fiskal dhe informalitetit, duke pasur parasysh ndryshimet në ligjin për procedurat tatimore sa i takon deklarimit të punonjësve.
Janë shtatë projektligje, që drejtojnë një mori çështjesh, duke nisur me tarifat doganore të importit të kafesë së papjekur, e cila përpunohet në vend, me vendosjen e një tarife të re për eksportin e lëndëve të drurit, aplikimin e nivelit të ri për gjobat në deklarimin e punonjësve, procedurat e reja të regjistrimit në QKR për përfaqësuesit tatimorë, çregjistrimin e biznesit, modeli i ri, heqja e TVSH-së për importin e makinerive dhe pajisjeve, si dhe për organizimin e Këshillit Konsultativ të Biznesit (KKB), i cili u shty për diskutim në mbledhjen e ardhshme.
Revista “Monitor” disponon të plotë draftet e diskutuara, bashkë me sqarimet përkatëse të Ministrisë së Financave, e cila ka punuar me kohë për rishikimin e disa neneve. Ndryshimet vijnë fill pas publikimit të raportit të Bankës Botërore “Doing Business 2013”, ku Shqipëria rezultoi se kishte bërë hapa mbrapa në klimën e biznesit, ndërsa në pjesën e “pagesës së taksave”, vendi ynë paraqitej dobët në raport me fqinjët.
Ligji “Për tatimin mbi të ardhurat”, ndryshimi prek edhe shpërblimet
Bonuset nuk njihen si shpenzime,
ndryshon kreditimi dhe deklarata individuale
Ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” ndryshon në disa nene të tij, të konsideruara nga Ministria e Financave si problematikë në trajtimin e shumë rasteve. Duke u ndalur te neni 21 “shpenzime të panjohura”, Ministria e Financave ka vendosur edhe shpenzimin për bonuset ndaj punonjësve për performancë të mirë. Sipas zëvendësministrit Alfred Rushaj, analizimi i raporteve dhe bilanceve financiare në disa kompani të njohura ka nxjerrë në pah shuma të konsiderueshme bonusesh, duke ndikuar në reduktimin e tatimit ndaj fitimit (si pasojë e shpenzimeve të larta të njohura).
Më konkretisht, ministria propozon që shpenzimet për shpërblime apo bonuse që u janë paguar të punësuarve, përfshirë edhe administratorët, përveç pagës së tretë të dhënë në bazë të Kodit të Punës, që njiheshin si shpenzime të panjohura. “Nga kontrollet e ndryshme të ushtruara nga administrata tatimore në disa operatorë të rëndësishëm të ekonomisë, si dhe në pasqyrat financiare të tyre, evidentohen shuma të konsiderueshme të bonuseve apo shpërblimeve që u jepen të punësuarve, sidomos administratorëve të punësuar në këto kompani”, deklaron ministria. Sipas saj, bazuar në ligjin aktual, të tilla shpenzime njihen si shpenzime të zbritshme për efekt të përcaktimit të fitimit të tatueshëm, por për shkak të shumave të larta, ato ndikojnë ndjeshëm në uljen e masës së fitimit të tatueshëm. Pra, në fund të nenit 21 “Shpenzime të panjohura” shkronja o) ndryshohet me këtë përmbajtje. “Shpenzimet për shpërblime apo bonuse që u janë paguar të punësuarve, përfshirë edhe administratorët, përveç pagës së trembëdhjetë të dhënë në bazë të Kodit të Punës”.
Në nenin 8 propozohet që të shtohen si kategori e të ardhurave të përjashtuara përfitimet për dëmshpërblime të marra nëpërmjet vendimeve të formës së prerë të gjykatave, si dhe kompensimet e caktuara për kostot gjyqësore, si dhe të ardhurat e përfituara nga institucionet shtetërore për arritjet në shkencë, sport, kulturë. Këto të ardhura, për nga vetë natyra e krijimit të tyre nuk lidhen me të ardhurat e krijuara nga një aktivitet ekonomik apo të ardhura në kuptimin e fitimit neto të një individi.
Pra, në nenin 8/1 “Të ardhura të përjashtuara” pas pikës 8, shtohen pika 9 dhe 10 me këtë përmbajtje: “9. Përfitimet për dëmshpërblime të marra nëpërmjet vendimeve të formës së prerë të gjykatave, si dhe kompensimet e caktuara për kostot gjyqësore”, “10. Të ardhurat e përfituara nga institucionet shtetërore për arritjet në shkencë, sport, kulturë”.
Propozimet në nenin 2 dhe 3 të projektligjit “Për të ardhurat tatimore”, kanë të bëjnë në adresimin e një problematike të dalë midis administratës tatimore qendrore dhe vendore mbi faktin se kush do të bëjë rimbursimin e tatimit të paguar tepër. Kjo për arsye se kreditohen taksat vendore që një biznes i vogël ka paguar te bashkia/komuna. Me propozimin e projektligjit që taksa e biznesit të vogël do të mblidhet nga administrata tatimore qendrore për administratën tatimore vendore, propozohet që kreditimi i taksave vendore të hiqet nga Deklarata e të Ardhurave të Biznesit të Vogël.
Pra, në nenin 12/3 “Kreditimi i tatimit” shfuqizohet, kurse në nenin 12/6 fjalët “taksa vendore, e paguar gjatë periudhës tatimore pranë organeve të qeverisjes vendore, çdo shumë për t’u paguar apo për t’u rimbursuar”, hiqen.
Në nenin 4 të projektit trajtohet një çështje e dalë lidhur me Deklaratën e të Ardhurave Personale të Individit. Gjatë udhëzimit të Deklaratës Tatimore doli si problematikë rasti i të vetëpunësuarve, të cilët kanë një qarkullim nën 2 milionë lekë dhe sesi do ta plotësojnë deklaratën. Kjo çështje duhet të adresohet në ligj, duke i njohur “apriori” një përqindje të caktuar shpenzimesh kësaj kategorie biznesi. Për të vetëpunësuarit, të cilët kanë një qarkullim nën 2 milionë lekë, si e ardhur bruto të konsiderohet vlera 20% e të ardhurave vjetore bruto nga zhvillimi i aktivitetit ekonomik/tregtar apo shërbime (neni 32, pika 2).
Në nenin 6 të projektit propozohet njohja e mbartjes së humbjeve të subjekteve, kur pronësia e drejtpërdrejtë dhe/ose e tërthortë e kapitalit themeltar ose e të drejtave të votës, të një personi, ndryshon me më shumë se 25 për qind dhe konkretisht deri në 50%.
Pika 2 e nenit 27 “Mbartja e humbjeve”, të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat” përcakton se: Në rast se gjatë një periudhe tatimore, pronësia e drejtpërdrejtë dhe/ose e tërthortë e kapitalit themeltar ose e të drejtave të votës, të një personi, ndryshon me më shumë se 25 për qind, në vlerë ose në numër, paragrafi i mësipërm nuk zbatohet për humbjet e pësuara nga ai person juridik në atë periudhë tatimore dhe në periudhat paraardhëse të tatimit”.
Argumente për ndryshimin e masës nga 25 në 50%, sipas Ministrisë së Financave bëhen se ndryshimi i kësaj mase u krijon mundësi kompanive të mëdha që të ulin fitimin e tyre nëpërmjet përthithjes së kompanive të vogla me humbje. Duke marrë në konsideratë faktin se që prej vitit ‘98 në të cilin kjo dispozitë është vendosur, (pa ndryshuar deri më sot), format e menaxhimit të aksioneve kanë evoluar, alternativa që ministria propozon është ndryshimi i “pragut” nga 25 në 50%. Ky model është në fakt ai i përcaktuar edhe në ligjin e tatimit mbi të ardhurat të Kosovës, thotë ministria.
Ligji “Për procedurat tatimore”
Ndryshon regjistrimi dhe çregjistrimi
në QKR, pesëfish gjobat për mosdeklarim
Synimi i propozimeve në këtë projektligj kanë të bëjnë me rregullime ligjore të aspekteve të administrimit tatimor të konstatuar nga administrata tatimore gjatë zbatimit të kuadrit ligjor fiskal.
Në pikën 1 të nenit 9 të ligjit togfjalëshi “pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit” ndryshohet në “pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore”.
Sipas përmbajtjes aktuale të nenit 9, pika 1 të ligjit të sipërcituar, përfaqësuesi tatimor regjistrohet në QKR, kur kjo i kërkohet nga legjislacioni në fuqi. Konkretisht në legjislacionin tatimor, detyrimi për emërimin dhe caktimin e një përfaqësuesi tatimor është parashikuar në ligjin nr, 7928, datë 27.04.1995 “Për TVSH-në”, i ndryshuar dhe përfaqësuesi tatimor emërohet për përmbushjen e detyrimeve tatimore për TVSH-në në Shqipëri. Pra, për sa përfaqësuesi tatimor merr përsipër dhe ka vetëm përgjegjësi tatimore për TVSH-në, atëherë regjistrimi i tij në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit përveçse nuk është i nevojshëm, nuk është as i parashikuar sipas nenit 28 të ligjit “Për QKR-në”, pasi përfaqësuesi tatimor, përveç përgjegjësisë tatimore nuk ka përgjegjësi tregtare dhe nuk është person juridik apo fizik, i cili njihet ligjërisht nga ligji “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”. Konkretisht përfaqësuesi tatimor në Shqipëri emërohet për të paguar detyrimet tatimore të parashikuara (TVSH), për të cilën detyrohet personi jorezident, i cili e ka emëruar, person që nuk është themeluar sipas ligjeve shqiptare.
Përveç sa më sipër, për arsye të mungesës së bazës ligjore të regjistrimit të përfaqësuesit tatimor në QKR, regjistrim i cili nuk është parashikuar as në formularët përkatës të regjistrimit të QKR-së, edhe praktikisht rezulton që të dhënat e regjistrimit që QKR dërgon në administratën tatimore qendrore për përfaqësuesin tatimor nuk procesohen automatikisht dhe për pasojë nuk njihen dhe as nuk përpunohen nga Sistemi Informatik i Tatimeve. Kjo arsye e bën më kritike situatën, pasi çdo deklaratë, pagesë, etj., për këtë kategori tatimpaguesish të regjistruar si përfaqësues tatimorë duhet të kryhet manualisht si nga administrata tatimore dhe nga përfaqësuesi tatimor. Nisur nga sa kemi parashtruar më sipër, sugjerojmë që është i nevojshëm dhe i argumentuar ndryshimi ligjor për të përcaktuar që regjistrimi dhe çregjistrimi i përfaqësuesit tatimor të kryhet jo pranë QKR-së, por në Drejtorinë Rajonale Tatimore përkatëse.
Në nenin 2 të projektligjit propozohet që në piken 1 të nenit 45, pas pikës b), shtohet pika c) me këtë përmbajtje: Përfaqësuesi tatimor, me përmbushjen e detyrimeve tatimore si i tillë.” Në bazë të propozimeve të bëra në nenin 1. Kurse në nenin 3 të projektligjit propozohet që paragrafi i parë i pikës 3 të nenit 45 ndryshohet në përmbajtje si vijon:
“Qendra Kombëtare e Regjistrimit ose gjykata njofton organin tatimor kompetent për regjistrimin e hapjes së procedurave të likuidimit apo për kërkesën për çregjistrim të personit fizik, apo për aplikimin për çregjistrim të personit juridik edhe kur kemi të bëjmë me aplikimin për çregjistrim pa kryerjen e likuidimit”.
Ky propozim ka të bëjë me procedurën e çregjistrimit të subjekteve në QKR, si dhe detyrimin ligjor të QKR-së për të njoftuar organin tatimor për aplikimin për çregjistrim. Në paragrafin e parë të pikës 3, të nenit 45 të ligjit nr. 9920, datë 19.05.2008, “Për Procedurat Tatimore në RSH”, i ndryshuar është parashikuar që Qendra Kombëtare e Regjistrimit ose gjykata njofton organin tatimor kompetent për regjistrimin e hapjes së procedurave të likuidimit apo për kërkesën për çregjistrim të personit fizik.
Në rastin e çregjistrimit të shoqërive si rezultat i bashkimit sipas nenit 220, të ligjit nr. 9901, datë 14.04.2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, regjistrimi i bashkimit të shoqërive pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, përveç të tjerave, bën që shoqëria që përthithet të vlerësohet e prishur, ndaj çregjistrohet nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit, sipas seksionit V të Ligjit nr. 9723, datë 3.5.2007 “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”, pa kaluar në procesin e likuidimit. Ndërkohë, po sipas këtij ligji, në rastin e ndarjes së shoqërive, regjistrimi i ndarjes së shoqërisë pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, veç të tjerave, ka si pasojë dhe çregjistrimin pa kryerjen e likuidimit të shoqërisë që ndahet duke e vlerësuar si shoqëri të prishur, sipas seksionit V të ligjit nr. 9723, datë 3.5.2007 “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”.
Nga ana tjetër, sipas dispozitave të nenit 45, pika 3 të ligjit “Për Procedurat Tatimore në RSH”, QKR njofton organin tatimor, (në rastin e shoqërive) për hapjen e procedurave të likuidimit, ndërkohë që sa më sipër, në rastin e çregjistrimit të shoqërive si rezultat i ndarjeve apo bashkimit, çregjistrimet bëhen pa iu nënshtruar procedurave të likuidimit.
Meqenëse në rastet e ndarjes apo bashkimit të shoqërive, çregjistrimet bëhen pa likuidim, sipas parashikimit aktual të pikës 3, të nenit 45 të ligjit nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në RSH”, i ndryshuar, për QKR-në nuk buron detyrimi për njoftim të aplikimit për çregjistrim pa likuidim (njoftim i cili sipas ligjit aktual në fuqi bëhet nga QKR vetëm kur kemi aplikim për çregjistrim me likuidim të shoqërive). Duke e konsideruar njoftimin nga ana e QKR-së për organin tatimor si të domosdoshëm edhe në rastin e aplikimit të tatimpaguesit për çregjistrim pa likuidim (si pasojë e proceseve të ndarjes/bashkimit), propozohet ndryshimi ligjor.
Në nenin 4 të projektligjit propozohet që në nenin 114 “Mospagimi në afat i detyrimit tatimor apo i kontributit”, pas pikës 3, shtohet pika 4 me këtë përmbajtje: “Përjashtimit, dispozitat e këtij neni nuk aplikohen për rastet e institucioneve buxhetore të cilat vonesat në pagimin e detyrimeve tatimore dhe kontributeve i kanë bërë për shkak të vonesave në çeljen e fondeve buxhetore”. Ky ndryshim propozohet për të shmangur rëndesat me detyrime tatimore të institucioneve buxhetore, të cilat për shkak të vonesave në çeljen e fondeve buxhetore, ndodhen në paaftësi pagese, sipas afateve ligjore, të detyrimeve tatimore dhe kontributeve dhe padrejtësisht, për shkak të mungesës së dispozitave përjashtuese ligjore, penalizohen nga administrata tatimore me gjoba administrative të padrejta.
Ndërsa për shtetin ka lehtësi, për privatin shtohet barra e gjobave. Kështu, në nenin 5 të projektligjit propozohet që në nenin 119 “Mosdeklarimi i punonjësve” germat a) dhe b) ndryshojnë me këtë përmbajtje: tatimpaguesit e regjistruar si subjekte të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar dhe tatimit mbi fitimin, gjobë prej 500 000 lekësh; tatimpaguesit e tjerë, gjobë prej 250 000 (dyqindepesëdhjetë mijë) lekësh. “Synimi i këtij propozimi është rritja me pesëfish e masës së gjobave që aplikohet në raste të konstatimit të punonjësve të pasiguruar. Duhet luftojmë sistemin skllavërues të punëmarrësit ndaj punonjësit, duke mos i paguar kontributet”, u shpreh zëvendësministri Rushaj, në takimin e Këshillit Konsultativ të Biznesit.
Ligjet “Për tarifat doganore” dhe “Sistemin e taksave kombëtare”
Hiqet tarifa doganore për kafenë
e papjekur, vendoset për drurin
Ndryshimet në këtë projektligj synojnë bërjen 0% të tarifës doganore të kafesë së papjekur dhe synimi i këtij propozimi është ulja e kostove të lëndëve të para të industrisë së kafesë në vend.
Në bazë të ligjit nr. 61/2012 “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë” produkti kafe e papjekur është produkt akcize me nivelin 30 lekë/kg, ndërsa kafeja produkt i gatshëm, kafe e pjekur, ka nivelin e akcizës 140 lekë/kg. Me ligjin e ri të akcizës dhe dispozitat zbatuese të këtij ligji, është përcaktuar skema e pagimit të akcizës së kafesë së pjekur, sipas të cilët janë përcaktuar që humbjet e përpunimit të kafesë së papjekur janë 19%.
Gjithashtu, në bazë të ligjit nr. 9981, datë 08.09.2008 “Për miratimin e niveleve të tarifës doganore”, i ndryshuar, produkti kafe e papjekur ka nivelin 10% të tarifës doganore.
Vitet e fundit, në Shqipëri, është zhvilluar dukshëm sektori i përpunimit të kafesë së pjekur. Tashmë konsumatori shqiptar ka kaluar nga tradita e pjekjes së kafesë së papjekur në blerjen e kafesë së pjekur, konstaton ministria, ndaj, industria e kafesë kryesisht është shitja e kafesë së pjekur dhe në të tilla zhvillime, kafeja e papjekur është lëndë e parë për këtë sektor.
Para dy vitesh, akciza e kafesë së papjekur u ul nga 70 lekë/kg në 30 lekë/kg. Megjithëse vendet fqinje, nga të cilat importohet kafeja e papjekur në Shqipëri hoqën akcizën e kafesë, politika fiskale në këtë sektor, përcaktoi mbajtjen e të tillë produkti me nivel akcize, në funksion të monitorimit dhe evidentimit të të tilla importeve për të kaluar më pas në miradministrim tatimor të industrisë përpunuese në vend. Me bërjen zero për qind të tarifës doganore të kafesë të papjekur, efektet minus në buxhet, përfshi edhe llogaritjen e TVSh-së, arrijnë në 185 milionë lekë (llogaritjet janë bërë për importet e vitit 2011.)
Ndryshime të rëndësishme janë marrë edhe në projektligjin e taksave kombëtare, ku propozohet vendosja e taksës mbi eksportet e lëndëve drusore. Vitet e fundit është rritur eksporti i lëndëve drusore nga Shqipëria. Sipas të dhënave të administratës doganore, kemi një rritje mbi 2.5 herë të sasisë së eksportuar të lëndëve drusore, duke krahasuar vitin 2011 me vitin 2008. Kjo rritje e eksporteve të të tilla produkteve po shqetëson autoritetet për arsye të humbjes së pasurisë sonë kombëtare siç janë lëndët drusore.
Pavarësisht nga masat e marra nga ministria përgjegjëse për administrimin e pyjeve, ky fenomen duhet të kufizohet dhe dekurajohet me anë të një politike fiskale. Për këtë arsye, propozohet që për të mbrojtur mjedisin dhe pasurinë, njëkohësisht për të mbrojtur industrinë vendase përpunuese dhe konkurrencën me vendet e rajonit, të taksohet në eksport lënda e parë dhe gjysmë e gatshme e produkteve drusore me kodet tarifore përkatësisht nga 4401 deri në 4406 dhe nga 4407 deri në 4409, në masën 30% të çmimit të shitjes.
Vendosja e kësaj takse është bërë me kujdes nga ministria, për shkak të rrezikut të cenimit të marrëveshjes me OBT (Organizatën Botërore të Tregtisë). Me anëtarësimin tonë në OBT në vitin 2000 dhe me hyrjen në fuqi të MSA në vitin 2009, Shqipërisë i është ndaluar prezantimi i masave kufizuese në eksporte dhe aktualisht vendi ynë nuk aplikon kufizime në eksporte për asnjë produkt.
Duke iu referuar praktikave të vendeve të tjera, konkludohet se masa të reja, të cilat kufizojnë eksportet, në veçanti ato që lidhen me lëndët e para dhe produktet bujqësore janë prezantuar nga shumë vende, përfshirë ekonomitë G20, të tilla si taksa në eksporte apo kuota në eksport. Kufizimet në eksporte mund të vendosen për objektiva të rëndësishme të tilla si mbrojtja e ambientit, ruajtja e burimeve natyrore, promovimi i industrive prodhuese, kontrolli i presioneve inflacioniste apo rritja e të ardhurave fiskale. Dy janë masat më kryesore që ndërmarrin vendet për kufizimet e eksporteve, Taksa në eksport ose Ndalim të Eksporteve
Gjithnjë, duke mbetur te druri, taksa në eksport normalisht aplikohet si një përqindje mbi vlerën e produktit të eksportuar ad valorem. Në rast se ky produkt ka konsum të brendshëm, kjo masë konsiderohet edhe si një lloj subvencioni që i bëhet konsumit brenda vendit. Sipas OECD, numri i vendeve që aplikojnë taksë në eksport është rritur shumë në dekadën e fundit. Në 2009, taksa në eksporte aplikohej nga gjysma e vendeve anëtare të OBT-së dhe kryesisht për burimet natyrore, në veçanti prodhimet bujqësore, lëndë drusore, lëkurë, produkte peshku, etj. Pra, nisur nga analiza dhe hapësirat që japin marrëveshjet me OBT dhe MSA, Ministria e Financave propozon që: Në ligjin e taksave kombëtare të prezantohet taksa e re në eksporte për lëndët e para dhe gjysmë të gatshme drusore, për një periudhë pesëvjeçare dhe masa e taksës të jetë 30%.
Kjo taksë do të mblidhet nga Administrata Doganore në momentin e eksportimit.
Në nenin 3 të projektligjit propozohet që agjenti tatimor i mbledhjes së kësaj takse do të jetë administrata doganore. Efektet financiare vjetore pozitive në të ardhurat e buxhetit të shtetit janë 235 milionë lekë. Mënyra e llogaritjes është aplikimi i masës së taksës 30% mbi vlerën statistikore të eksporteve të lëndëve për vitin 2011.
Makinat
Në nenin 5 të projektligjit propozohet falja e detyrimeve të prapambetura të taksës vjetore të qarkullimit rrugor për mjetet e sekuestruara dhe të konfiskuara me vendim të formës së prerë të Gjykatës së Krimeve të Rënda të Shkallës së Parë dhe të Apelit, të cilat i kalojnë në administrim Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.
Ligji “Për sistemin e taksave vendore” prek edhe njësitë akomoduese
Taksa e biznesit të vogël
i rikthehet Tatimeve
Qëllimi i propozimit të këtij projektligji lidhet me një kërkesë të hershme të administratës vendore, lidhur me mbledhjen e taksës së biznesit të vogël. Viti 2006 ishte viti reformues i kalimit të kësaj takse pranë pushtetit vendor. Me kalimin e viteve, u vu re se kapacitetet administrative të administratës vendore të taksave nuk ishin në nivelin e duhur për menaxhimin dhe mbledhjen e kësaj takse, thotë Ministria e Financave. Për këtë arsye, propozohet administrata tatimore qendrore si agjent i mbledhjes së taksave vendore bazuar në vështirësitë që kanë bashkitë dhe komunat në mbledhjen e taksave të tyre.
Aktualisht, në nenin 5/ç/ii) të ligjit nr. 9632, datë 30.10.2006 është përcaktuar parimi i përgjithshëm për bashkitë dhe komunat që me përjashtim të rasteve kur në këtë ligj përcaktohet shprehimisht ndryshe, këshilli i bashkisë ose i komunës përcakton mënyrën e mbledhjes së taksës, përfshirë zgjedhjen e agjentit fiskal dhe detyrimet e ndërsjella.
Në nenet në vijim, ligji ka përcaktuar nominalisht vetëm një agjent për mbledhjen e një takse vendore, zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme (neni 28) si agjent të taksës së kalimit të së drejtës se pronësisë së pasurisë së paluajtshme si dhe u ka lënë të drejtë bashkive dhe komunave që të përcaktojnë nëse tarifat vendore do të mblidhen nga vetë strukturat bashkiake ose komunale apo nga një agjent. Në rastin e agjentit (për mbledhjen e tarifave vendore), këshilli vendos rregullat bazë kufizuese në raport me agjentin, ndërsa kryetari i bashkisë ose i komunës bën përzgjedhjen e agjentit, si dhe lidh kontratë me të (neni 35). Në këto përcaktime, lidhja e kontratës midis këshillit bashkiak apo komunal dhe agjentit bëhet vetëm për tarifat vendore e jo taksat e tjera vendore.
Bazuar sa më sipër, në nenin 1 të projektligjit përcaktohet si agjent tatimor Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve nëpërmjet drejtorive rajonale tatimore me mbledhjen, arkëtimin dhe transferimin në llogaritë e buxhetit të qeverisjes vendore, të të ardhurave nga taksa e biznesit të vogël.
Neni 2 i projektit përcakton procedurën e bashkëpunimit midis administratës tatimore vendore, subjekteve të biznesit të vogël dhe administratës tatimore qendrore për njoftimin e masës së taksës së biznesit të vogël. Me regjistrimin e biznesit në QKR, QKR i përcjell njoftim drejtorisë tatimore/strukturës përgjegjëse për tatimet, të bashkive dhe komunave, ku ka vendndodhjen biznesi për këtë regjistrim. Brenda datës 15 janar të vitit paraardhës, drejtoria tatimore/struktura përgjegjëse për tatimet, e bashkisë dhe komunës nxjerr Njoftim Vlerësimin për çdo biznes lidhur me taksën vjetore vendore të biznesit të vogël, e ndarë në katër këste vjetore, në bazë të qarkullimit vjetor të deklaruar nga biznesi. Biznesi mund të ankimojë këtë Njoftim Vlerësimi brenda 30 ditëve nga marrja e tij. Në rast se aktiviteti i biznesit hapet gjatë vitit fiskal, subjekti është i përjashtuar nga pagesa e taksës vendore të pushtetit vendor. Administrata tatimore, për shërbimin që kryen si agjent tatimor, merr një komision në masën 3 për qind.
Hotelet
Neni 6 i projektligjit lidhet me përmirësimin e procedurës së administrimit nga pushteti vendor të taksës së fjetjes në hotel. Konkretisht propozohet që të gjitha hotelet të afishojnë çmimet e tyre çdo gjashtë muaj. Bashkitë dhe komunat miratojnë çmimet çdo gjashtëmujor, për efekt të taksës së fjetjes në hotel, bazuar në sondazhet e kryera në treg.
Ligji “Për TVSH”, jo detyrimisht të gjitha mallrat do të importohen pa paguar taksën
Shtohen kushtet për heqjen e
TVSH-së të makinerive dhe pajisjeve
Synimi i këtij projektligji është përjashtimi nga pagesa e TVSH-se, në doganë, për importimin e makinerive dhe pajisjeve, në rast të investimeve me vlerë të konsiderueshme, në dhe mbi 50 milionë lekë. Por kjo është vetëm njëra anë, pasi sipas zëvendësministrit të Financave, jo detyrimisht të gjitha pajisjet që importohen shkojnë për investime dhe se autoritetet doganore duhet të kenë kujdes se skema mund të përdoret për qëllime përfitimi të shitjes së mallit në treg dhe jo për investime.
Ky propozim lidhet me uljen e kostove të investimeve të mëdha të cilat në momentin e parë të punimeve kanë investime të konsiderueshme në makineri dhe pajisje dhe përkatësisht TVSH e paguar për importet e tyre rrit me 20% koston e të tillë investimeve.
Aktualisht, në nenin 26 “Importimi i mallrave” të ligjit nr. 7928, datë 27.04.1995, “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar” i ndryshuar, pagesa e TVSH-së në importin e makinerive dhe pajisjeve, pavarësisht nga vlera e investimit, shtyhet deri në një vit nga administrata doganore dhe në rast se cikli i investimit dhe fillimit të prodhimit është më i madh se një vit, subjektit, pas plotësimit të një seti dokumentacionesh, i akordohet një shtyrje e dytë me Autorizim nga ministri i Financave, deri në momentin e fillimit të prodhimit. Në momentin e fillimit të prodhimit, e gjithë TVSH e shtyrë në import, është e kreditueshme tek administrata tatimore, duke rritur në këtë mënyrë kërkesat dhe shumat për rimbursim nga kjo administratë. Në bazë të të dhënave të administratës doganore, për vitin 2011, TVSH e shtyrë në import për investime ka qenë 4 miliardë lekë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.