Paketa e re fiskale e vitit 2016 ka parashikuar heqjen e detyrimit për të paguar kontribute të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për familjarët që ndihmojnë kur biznesi është familjar. Deri tani në kur tatimorët konstatonin se në biznesin familjar ishin të angazhuar edhe të tjerë ( po pjesëtarë të familjes) ata kishin të drejtë të vendosnin masa ndëshkimore ( gjobe) për mos sigurimin me kontribute shoqërore dhe shëndetësore.
Ekspertët e sigurimeve thonë se kjo është një nismë pozitive, pasi shmang abuzimet që janë bërë deri tani nga ana e tatimorëve për vendosjen e gjobave të padrejta në rastet kur kanë gjetur në ambjentet e biznesit familjar persona të tjerë po të familjes.
Megjithatë biznesit familjar i lind detyrimi që të hartojë një listë përfshirë këtu edhe punonjësit e papaguar të familjes.
Hatuesit e këtij ndryshimi ligjor argumentojnë se : “Personat juridikë dhe fizikë ushtrojnë veprimtari ekonomiko-tregtare vetëm pas regjistrimit të tyre, në përputhje me ligjin nr. 9723, datë 3.5.2007 “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”. Dy ditë pune pas regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, personi juridik dhe fizik duhet të deklarojë në organin tatimor listën e të punësuarve, me pagën përkatëse, përfshirë dhe listën e punonjësve të papaguar të familjes së personit fizik mbi moshën 16 vjeç, me të cilët ai punon e bashkëjeton
ligjërisht dhe për sa më sipër propozohet që kategoria e fundit e tatimpaguesve të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Synimi është që t’i lihet diskrecionit të Këshillit të Ministrave që të përcaktojeë rastet kur është i detyrueshëm detyrimi i pagesës së kontributeve për punonjësit e papaguar të familjes, me qëllimin në vetvete, që një kategori e caktuar të përjashtohet nga kjo barrë.
Ndryshimi është bërë në nenin 10, të ligjit 104/2014, i cili ka përcaktuar se:
“Kontributi llogaritet dhe paguhet mbi pagën bruto, brenda kufijve të pagës minimale, në shkallë vendi, dhe pagës maksimale, për efekt kontributi për sigurimet shoqërore, miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, e cila është në fuqi në datën 31.12.2014. Pas datës 1.1.2015, paga maksimale, për efekt kontributi indeksohet në të njëjtën kohë dhe në atë masë që indeksohet paga minimale, në
shkallë vendi. Kontributi minimal për personin e punësuar, punëdhënësin dhe të vetëpunësuarin është i barabartë dhe llogaritet mbi bazën e pagës minimale në shkallë vendi.”
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.