Editorial, Monitor Print/Opinioni publik ka disa kohë që po jeton me paradoksin më “të bukur” ndonjëherë. Mazhoranca qeverisëse thotë se ekonomia është në krizë, ndërsa opozita thotë Jo!! Kur për çdo arsye në botë ndodh zakonisht e kundërta. Megjithatë, edhe kjo e ka një shpjegim. Ky paradoks lind sepse palët nuk po shohin drejt së ardhmes, por nga e shkuara, dhe çdo argument e kundërargument jepet nga këto pozicione, por edhe sepse nga qeveria e sotme ende nuk kemi një plan konkret të së ardhmes mbi të cilin mund të diskutohet, e ku më i shpejti dhe më domethënësi është buxheti i ri.
Edhe drafti i paketës së re fiskale, i bërë publik nga mediat, duket se është produkt i ngjashëm i këtij paradoksi. Sepse ai merr përsipër të korrigjojë të shkuarën, në mënyrën e taksimit të të ardhurave individuale, kryesisht nga paga, që sipas socialistëve është shkaktuar nga taksa e sheshtë e demokratëve, tetë vitet e fundit në pushtet. Është më se e logjikshme dhe racionale që një mazhorancë të jetësojë premtimet elektorale për të cilën është votuar për të qeverisur, por draft-paketa e re fiskale nuk e rrit sigurinë e së ardhmes, por, përkundrazi, do të tentojë të fuqizojë elementët e riskut, të cilët mund të zerojnë apo dhe më tej të zhbëjnë efektet afatshkurtra që mund të jenë pozitive.
Së pari, sepse thyerja e taksës, përmes shkallëve progresive, rrit të ardhurat e shtresave të asistuara në momentin e parë, që socialistët thonë se janë 90% e popullsisë, por nuk garanton rritjen e të ardhurave në vijimësi, nga ato shtresa që vërtet mund të jenë më të pakta në numër, por më të rënda në peshën e të ardhurave. Sepse do të ketë gjithnjë një përpjekje nga këto shtresa për të fshehur të ardhurat. Vetë sistemi me shumë thyerje e favorizon këtë. Të njëjtën situatë favorizon edhe diferencimi i tatimit mbi fitimin për bizneset, të cilat do të tentojnë të deklarohen në kufirin sa më të poshtëm të detyrimit. Prej këtej rrjedh edhe problemi i dytë të cilin nuk e zgjidh drafti i ri i paketës fiskale. Sepse për shkak të rritjes së shanseve për fshehje të ardhurash do të provokohej një rritje e informalitetit, duke bërë që në afat të gjatë baza tatimpaguese të mbetet e njëjtë, në mos më e vogël. Pra paketa, në vend që të zgjidhë një problem, do të rrisë një problem ekzistues në përmasa më të mëdha duke cenuar rëndë burimet afatgjatë të të ardhurave në buxhet. Ndaj problemi kryesor mbetet rritja e bazës së tatueshme sepse nuk jetojnë dot të gjithë mirë, nëse nuk paguajnë të gjithë dhe në mënyrë të drejtë. Por paketa fiskale me aq sa përmban si draft nuk e ka të shprehur presionin për rritjen e bazës, ndërkohë që ajo nuk përmban brenda saj as elementin stimulues që do të nxiste individin dhe biznesin të paguante taksën e shtuar nga ky propozim i ri. Në draft, paketa nuk ka pasuruar listën e shpenzimeve të zbritshme, qoftë edhe si shpërblim për ata që paguajnë më shumë, një mekanizëm ky funksionues që nxit vetëdeklarimin. Ku është kërbaçi, duhet edhe kulaçi sepse e kundërta do të ishte vetëvrasje buxhetore.
Kështu siç është propozuar deri tani, paketa fiskale nuk punon as për përmirësimin e një treguesi shumë të rëndësishëm, atij të punësimit. Rëndimi i tatimit mbi fitimin ul pjesën e paracaktuar për investim nga bizneset, si përpjekje për të mbajtur të paprekur pjesën e tyre të fitimit neto. Në kushtet kur likuiditeti është bërë i vështirë dhe kërkohet më shumë frymëmarrje me kapitale, rëndimi i taksës disfavorizon investimet e për pasojë edhe punësimin, i cili është objekti më madhor i çdo qeverisje.
Rruga më racionale për qeverinë do të ishte mbase pritja. Koha e pamjaftueshme dhe presioni buxhetor mund të kenë çuar në detyrimin për një paketë të re fiskale. Por qeveria ka gjithë të drejtën për të njohur dhe vlerësuar situatën, ashtu sikundër ka kërkuar sepse gabimet nga nxitimi nuk ndreqen dot as me falje nga publiku, i cili është i vetmi që do të paguajë. Demokratët e kanë një përvojë. Edhe pse kishin në dorë gurin e çmuar të taksës së sheshtë që përgjysmoi barrën dhe funksionoi në ekonomi, nuk u nxituan pa njohur më parë mjedisin ekonomik dhe pritshmëritë e tij, duke e aplikuar vetëm në vit e gjysmë pasi erdhën në pushtet.
Sot, ky mjedis, duket jo fort mikpritës ndaj draftit të fundit të qeverisë edhe për një arsye tjetër, sepse biznesi jo vetëm që nuk ka qenë pjesë e diskutimeve por edhe sepse, me aq sa është informuar, kërkojnë më shumë maturi, për të mos prodhuar të tjera paradokse të provuara edhe më parë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.