Panairet janë një nga instrumentet më të rëndësishëm të marketingut, jo vetëm për prezantimin e produkteve dhe shërbimeve të çdo kompanie, por edhe për krijimin e kontakteve dhe tregjeve të reja. Pjesëmarrja nëpër panaire u krijon mundësinë kompanive të ndryshme që të njihen jo vetëm në rajon, por dhe në nivel ndërkombëtar, të njohin konkurrentët e tyre duke bërë njëkohësisht dhe një krahasim të çmimeve dhe cilësisë së ofruar, si dhe të bashkëpunojnë me kompani të tjera. Panairet shihen edhe si një mënyrë kontakti e drejtpërdrejtë me klientin dhe shkëmbim informacioni dhe përvoje. Vetëm aty krijohet mundësia e njohjes së tregut botëror dhe e nivelit më të fundit të teknologjive dhe arritjeve.
Por në këtë drejtim, duket se kompanitë shqiptare “çalojnë” ende, me gjithë shanset që panairet, sidomos në Gjermani, të japin.
Gjermania është një nga vendet më të rëndësishme dhe më interesante për zhvillimin e panaireve në botë, duke zënë dhe vendin e parë në botë në këtë drejtim.
Nismat e pjesëmarrjes vijnë kryesisht nga institucionet shtetërore shqiptare, ndërsa vetë kompanitë private rrallë interesohen për të ekspozuar në panaire jashtë, ndër to edhe në Gjermani. Me siguri që është një instrument marketingu, i cili mund të nxiste më tej eksportet, prodhimin vendas dhe rritjen e konkurrueshmërisë së tyre.
Faktorët kryesorë janë pozicioni gjeopolitik i Gjermanisë, cilësia e infrastrukturës dhe organizimit, ekonomia shumë e zhvilluar e vendit si dhe tradita e zhvillimit të panaireve, 2/3 e panaireve globale zhvillohen në Gjermani.
Një prej panaireve me rëndësi botërore, që zhvillohet çdo vit në Mynih është “Bauma”. Këtë vit, “Bauma” organizohet në periudhën 15 deri në 21 prill dhe është panairi më i madh në fushën e ndërtimit për të gjitha llojet e makinerive e materialeve të ndërtimit, makineritë e sektorit minerar, automjetet dhe pajisjet e ndërtimit, të cilat janë të ekspozuara në një hapësirë të jashtme prej 555,000 m² me rreth 3000 kompani ekspozuese dhe 420.000 vizitorë.
Ky panair impresionon me organizimin e tij, me firmat pjesëmarrëse, me mënyrën e prezantimit, si dhe me risitë që sjell në fushën e ndërtimit. Këtu bizneset shqiptare, jo vetëm do të mund të njihen me risitë dhe teknologjitë më të fundit në ndërtim, por edhe të krijojnë kontakte direkte me gjigantët më të mëdhenj në botë në këtë sektor.
Përfitimet
Rëndësi të veçantë ka dhe pjesëmarrja e kompanive të huaja në panairet gjermane, të cilat arrijnë shifrën e rreth 92.254 kompanive, nga të cilat, rreth 51,5% janë kompani të komunitetit të Bashkimit Europian.
Faktet ekonomike tregojnë gjithashtu atraktivitetin e Gjermanisë në organizimin e panaireve, duke marrë parasysh se 5 nga 10 kompanitë e panaireve me xhiron më të lartë në botë e kanë vendndodhjen e tyre në Gjermani, si dhe 4 nga 5 ambientet, hapësirat e panaireve më të mëdha në botë janë në këtë vend. Nëpërmjet panaireve realizohet një qarkullim vjetor rreth 3 miliardë euro, si dhe sigurohet një numër i madh vendesh pune.
Në Gjermani ka rreth 24 salla panairesh, me një sipërfaqe prej rreth 2.7 milionë m². Duke marrë parasysh sipërfaqen e sallave të panaireve, qytetet kryesore në të cilat zhvillohen dhe panairet më të rëndësishëm janë Mynihu, Këlni, Hanoveri, Frankfurti, Këln, Dyseldorfi, Mynih, Berlini apo Nyrenbergu.
Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA) është përfaqësuese e disa prej kompanive organizatore të panaireve, Messe-München dhe Koelnmesse në Mynih dhe Këln dhe ofron konsulencë dhe mbështetje në përgatitjen e vizitës së shumë kompanive shqiptare në panairet e zhvilluara në Mynih dhe Këln, por edhe në qytete të tjera. Në varësi të panairit, ajo informon kompanitë që mund të kenë interes duke iu ofruar mundësi që jo vetëm të vizitojnë panairet, por edhe të prezantojnë produktet apo shërbimet e tyre në këto panaire me rëndësi botërore.
Mynihu është një prej qyteteve, i cili pret rreth 30.000 kompani ekspozueses, si dhe 2 milionë vizitorë nga e gjithë bota çdo vit, të cilët janë të interesuar për panairet e ndryshme të zhvilluara në ambientet e mjediset tepër moderne dhe me një sipërfaqe rreth 180.000 m².
Me rreth 40 panaire nga fusha e ndërtimit, pasurive të paluajtshme, mjedisit, teknologjive të reja, transportit e logjistikës dhe mallrave të konsumit, Messe-München është një prej kompanive më të rëndësishme të panaireve në botë. Sidomos panairet e sektorit të ndërtimit janë me interes për Shqipërinë, si panairi i materialeve të ndërtimit “Bau”, i cili u zhvillua në janar të këtij viti dhe pati rreth 200 vizitorë nga Shqipëria, apo edhe panairi më i madh në botë, ai i makinerive të ndërtimit “Bauma”. Panairet e shumta të organizuara në Mynih janë ato të ndërtimit, fotografisë, transportit, ushqimeve dhe pijeve etj.
*Business Counsulting në DIHA (Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri)
Nga Admir Lleshi*
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.