“PANAIRI I TURIZMIT NDËRKOMBËTAR TIRANA 2019” sjell më të mirën e Shqipërisë
“Bashkimi bën fuqinë”
Shndërrimi në brand të Qarkut të Gjirokastrës është misioni që kanë marrë përsipër DMO Albania, një organizatë jofitimprurëse, e cila ka fituar një projekt të Risi Albania. Në stendën e Gjirokastrës janë bërë bashkë 18 biznese nga sektorë të ndryshëm, për të sjellë një produkt të unifikuar. Drejtuesit e këtij projekti shprehen se qëllimi kryesor i projektit është të bëjnë të njohur Gjirokastrën si një destinacion dhe promovimi i ofertës së tyre. Oferta e këtij qarku është përtej qytetit të Gjirokastrës, trashëgimi e UNESCO-s, por edhe të promovojë turizmin e aventurës, historinë, kulinarinë, e një rajoni të pasur në kulturë dhe traditë.
Nxitja e turizmit rajonal dhe promovimi i destinacioneve turistike shqiptare e rajonale ishin epiqendra e eventit më të rëndësishëm të turizmit, që vjen edhe si një prolog para hapjes së sezonit të ri turistik veror në vend. Bëhet fjalë për Panairin e Turizmit Ndërkombëtar Tirana 2019, i cili këtë vit regjistroi edicionin e tij të tretë. Pjesë e këtij Edicioni ishin aktorët kryesorë rajonalë, operatorë turistikë, destinacione, agjencitë, hotele, përfaqësues të turizmit detar dhe malor, kulinarisë.
Aida Lutaj, Drejtore Ekzekutive e Expocity Albania, në fjalën e hapjes së eventit theksoi se qëndrueshmëria dhe përfshirja e këtij organizimi si një ndër ngjarjet më të rëndësishme ndërkombëtare të turizmit në botë, është një ndër sfidat që do të ndiqet me ngulm, së bashku me partnerët, për edicionin në vijim. Fokusi i veçantë te turizmi, sipas Lutajt, vjen jo rastësisht, në kushtet kur ai cilësohet si një sektor prioritar në politikat e qeverisë, por edhe një nga motorët kryesorë të zhvillimit ekonomik.
Ndër bashkëpunëtorët kryesorë të Edicionit të 3-të ishin Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Kombëtarë e Turizmit, Visit Albania, Prestige Resort, Natura 2000, etj. Ndonëse të dhënat mbi turizmin në shifra janë optimiste dhe referojnë zhvillimin dhe potencialin e këtij sektori, pasi si numri i turistëve, edhe i strukturave akomoduese janë rritur prej 2013-s, Adrian Kamenica, Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, u shpreh se nuk janë qëllimi primar. Gjatë fjalës së tij në Edicionin e 3-të, z. Kamenica shtroi objektivin për të vënë në funksion një mekanizëm për të bërë bizneset që operojnë në këtë sektor të suksesshme. “Kemi një paketë fiskale mjaft të favorshme dhe Shqipëria ka një potencial në këtë sektor, si dhe ofron mundësitë për të zhvilluar produkte të reja turistike. Unë shikoj këtu që janë të pranishme bizneset më të mëdha të këtij sektori”, – u shpreh Adrian Kamenica.
Jo vetëm det dhe rërë
Kornelia Ferizaj, Drejtore e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, theksoi se tashmë Shqipëria nuk identifikohet vetëm si një destinacion i rërës dhe i detit. Shqipëria tashmë është shndërruar në një destinacion me rritje të shpejtë të numrit të turistëve, të cilën zonja Ferizaj e argumentoi me kapjen e tregjeve të reja, diversifikimin e produkteve turistike dhe koordinimin rajonal. “Politikat për rritjen e investimeve në këtë sektor, kanë bërë të mundur që Shqipëria të mos jetë destinacion i detit dhe i rërës, por të zgjojë interesin e të huajve për burimet e pashtershme të Shqipërisë. Ky panair do t’i japë mundësi biznesit që të prezantojnë produktet e tyre”, – tha Kornelia Ferizaj, e cila u shpreh e hapur për bashkëpunim me të gjithë aktorët pjesëmarrës. Ndër të tjera, sektori i turizmit ka rëndësi të veçantë në zhvillimin ekonomik të vendeve dhe për krijimin e vendeve të reja të punës. Sfidë mbetet arritja e objektivit prej 10 milionë turistësh në vitin 2021. Për këtë, sipas zonjës Ferizaj, është rritja e konkurrueshmërisë në tregun botëror duke ofruar një turizëm rajonal.
Rajoni, si një produkt i vetëm turistik
Pjesëmarrësit në edicionin e tretë ishin nga vende të ndryshme si: Shqipëria, Greqia, Turqia, Italia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Kosova, Bosnjë-Hercegovina, Serbia, Kroacia, Franca, Gjermania, Zvicra, por kishte edhe përfaqësues nga vende aziatike si India, Kina, Pakistani, Filipinet.
Qazim Hoxhic, zëvendësministër i Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Turizmit në Malin e Zi, e vuri theksin te rëndësia që ka turizmi si një produkt rajonal. Së fundmi, vendet e rajonit po tërheqin turistë ndërkombëtarë të cilët kanë për interes që të vizitojnë të gjitha vendet e rajonit si një produkt unik.
Zëvendësministri Hoxhic shtoi se interesi për të qenë të pranishëm në tregun shqiptar është i lartë. Ai iu referua shifrave për vitin e fundit, ku Mali i Zi u vizitua nga 16% më shumë turistë nga Shqipëria në krahasim me një vit më parë. Zëvendësministri e vlerësoi bashkëpunimin të një niveli të lartë dhe shtoi se turizmi shqiptar ka arritur një rritje të konsiderueshme.
Zhvillim i qëndrueshëm dhe me cilësi
Enver Mehmeti, president i Shoqatës Shqiptare të Turizmit (ATA), u shpreh se trendi në rritje i destinacioneve, pjesëmarrja e operatorëve të huaj dhe rajonit, do të nxisë interesin për tregjet tona. “Tashmë, Shqipëria ka hyrë në hartën botërore të destinacioneve dhe ne jemi në fillimin e një rruge, ku shumë emra të mëdhenj në turizmin ndërkombëtar e kanë vendosur Shqipërinë në katalogun e tyre. Ne kemi detyra për të zhvilluar një turizëm të qëndrueshëm dhe me cilësi”,- përfundoi z. Mehmeti.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.