Lëvizjet në ditën e dytë të Panairit të Punës ishin më të rralla dhe kjo sipas përfaqësuesve të kompanive prezentë ishte deri diku e pritshme, duke qenë se fluksi më i madh parashikohet në ditën e fundit të tij.
Pjesa më e madhe e kompanive të pranishme( nga 130 në total) i përkasin sektorëve si ai call center, teknologjisë së informacionit, telekomunikacionit apo edhe ndërtimit, por nuk mungonin edhe paraqitjet e insitucioneve publike, si ujësjellës, posta apo edhe ai i energjisë.
Të binte më shumë në sy fakti se pranë stendave kishte më shumë femra të kuruara për imazhin sesa përfaqësues të burimeve njerëzore, që duhet të realizojnë intervistat. Të pyetur nga “Monitor” përfaqësues nga kato kompani janë shprehur se individëve iu jepet më shumë mundësia për të paraqitur CV-të e tyre, ndërsa intervistat në bazë të nevojave të kompanisë do të realizohen në një fazë të dytë.
Kërkesën më të lartë për forcë pune e kishin kompanitë e sektorit të call – center që kanë edhe prezencë më dominuese.
Pjesa më e madhe e vendeve të punës të prezantuara ishin për punonjës të kualifikuar, me përvojë pune me kualifikime, njohje gjuhësh të huaja.
Dominonin më shumë kërkesat për specialistë të IT-së, ekonomistë, menaxherë shitjesh, recepsionistë. Të rinjtë, që popullonin më shumë stendat e kompanive i shikoje me CV në duar duke iu drejtuar kompanive të call – center që i shohin si shpresa e fundit edhe pse mund t’i përkasin fushave të ndryshme të dukimit.
Ndërsa moshat më të vjetra ( kryesisht meshkuj )orientoheshin drejt kompanitë e ndërtimit apo institucioneve publike duke i konsideruar si më të besueshme dhe të sigurta.
Pavarësisht përpjekjeve për të zbuluar nivelet e pagave që ofroheshin nuk arrihej të krijohej një ide e qartë, pasi pothuajse të gjithë përsërisnin se kjo është një politikë e brendshme e kompanisë, e cila mund të saktësohet vetëm nëse kandidati plotësonte kërkesat e specifikuara. Me pak fjalë ishte e vështirë të gjejë pagën e “ëndërrave” atë që fliste për 3,000 euro në muaj.
Të pyetur nga “Monitor” ata që i drejtoheshin stendave për të marrë informacione mbi vendet e punës ishin skeptikë, duke mos besuar shumë tek këto praktika që përfundonin me shtrëngime duarsh dhe me fjalinë : “ Do t’ju njoftojmë”.
Një tjetër detaj që të binte në sy teksa vizitoje të dy katet në të cilat zhvillohet panairi ishte edhe kurimi deri në detaje i stendave, me detaje imazhesh dhe arredimi që të tërhiqnin.
Në ditën e parë të tij qeveria shpalli rreth 8,000 vende pune të lira nga zanatçinj të nivelit fillestar tek inxhinierë dhe ekonomistë të lartë; nga shërbimet tek industritë prodhuese e përpunuese.
Po sipas të dhënave, vitin e kaluar gjatë panairit të punës u arritën të mbyllen 800 kontrata.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.