“Ajo që dallon buxhetin e vitit të ardhshëm për bujqësinë nuk janë thjesht ato 550 milionë lekë më shumë në krahasim me buxhetin e vitit që po mbyllet, por orientimi i këtyre financimeve në trajtën e pagesave direkte për bujkun, fermerin, bizneset bujqësore dhe ato agropërpunuese”, ka pohuar Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti, në një konferencë për shtyp lidhur me buxhetin për bujqësinë në 2014.
“Ajo që bën diferencën e këtij buxheti me buxhetin aktual, është kanalizimi i këtyre fondeve kryesisht për nxitjen e prodhimit, të agropërpunimit si dhe për materializuar atë që i mungon sot bujqësisë më shumë, lidhjen e prodhimit me tregun. Në këtë mënyrë ne do të gjallërojmë industrinë agropërpunuese të vendit në mënyrë që prodhimet tona të marrin vlerë të shtuar dhe të rritin konkurueshmërinë dhe të plotësojnë standardet e cilësisë dhe të sigurisë në treg”, tha ministri.
“Dhe pikërisht këtu buxheti për bujqësinë njeh një rritje në masën 50% të financimeve, duke arritur kësisoj nivele të panjohura më parë të mbështetjes financiare të fermëreve dhe bizneseve bujqësore. Por ajo që do të ndryshojë, ajo që do të na dallojë nuk është thjesht rritja në vlerë absolute e shifrave të pagesave, por është mënyra se si ne, cdo qindarkë të këtyre fondeve do t’i shpenzojmë në ndihmë të fermerit për të nxitur prodhimin.
Ne jemi të vendosur të mbështetim rezultatin, dhe jo fiktivitetin dhe përpjekjet pa perspective, sepse do të shpërblejmë kultivuesit dhe prodhuesit dhe jo klientelën.
Në nuk do të paguajmë asnjë qindarkë për ngastra që mbillen, regjistrohen e deklarohen sa për të përfituar paratë, e që më pas braktisën pa patur asnjë perspektive prodhimi. Por ne nuk do të paguajmë as për tufa bagëtish të cilat bëhen bashkë, sa për të arritur “numrin magjik” të krerëve që të lejojnë për të përfituar para subvencioni, por që më pas secili largohet për hesap të tij, duke përvetësuar e ndarë edhe paratë e përfituara padrejtësisht.
Por sigurisht që ne nuk do hezitojmë të paguajmë një për një, për çdo litër qumësht, për çdo kg mish, fruta dhe perime të prodhuara dhe të dorëzuara në pikat e grumbullimit dhe tregjet e shumicës, të bindur se kjo është rruga, ky është zinxhiri i cili lidh prodhimin me tregun, ky është mekanizmi i formalizimit të prodhuesve dhe prodhimit. Ky është modeli i vendosjes dhe i respektimit të standardeve të cilësisë dhe të sigurisë dhe i rritjes së konkurueshmërisë.
Dhe nëse bëhet fjalë për kooperimin e fermerëve në bujqësi, ky është hapi i parë dhe i vendosur i yni për të nxitur bashkëpunimin e fermerëve, bujqëve në treg duke ulur ndjeshëm koston dhe rritur efektivitetin e prodhimit dhe duke u mbrojtur atë nga spekulimet dhe spekulantët dhe konkurenca e pandershme.
E ky hap, sigurisht që me pas do të çojë në forma të tjera të kooperimit, të bashkimit të tokave dhe mjeteve të prodhimit, por për këtë ne duhet të konsolidojmë më parë tokën bujqësore duke shpërndarë çertifikatat e pronësisë duke çuar drejt finales ligjin 7501. Ky proces përmbyllës i një kalvari 20 vjeçar, ushqyes i fragmentimit të tokës dhe krijues i profilit të bujqësisë së ngastrës, do të fillojë në disa komuna pilot e për t’u zgjeruar më tej në gjithë vendin duke hapur kësisoj tregun e tokës dhe duke hedhur bazat për zgjerimin e sipërfaqes së saj.
Sigurisht ne jemi deklaruar dhe do të mbështesin financiarisht edhe inputet për të ulur çmimet e tyre dhe pa dyshim zerimi i tatimit mbi vlerën e shtuar për farërat dhe fidanët, plehërat dhe pesticidet është hapi i dukur.
Gjithashtu, ne kemi të gjithë ndjeshmërinë dhe shqetësimin për të furnizuar me naftë pa akcizë, serat me ngrohje, mekanikën bujqëore dhe peshkimin, duke qenë të ndërgjegjshëm se kjo ul koston e prodhimit duke rritur konkurencën, por kjo do të bëhet vetëm pasi të konsolidohen skemat e shpërndarjes së karburantit dhe vetëm kur të garantohemi për mbylljen e shtigjeve të abuzimit.
Kullimi i tokave dhe uji në çdo parcelë, mbeten objektiva tona të guximshme, dhe përparësi mbi të tjerat, duke qenë plotësisht të bindur se në toka që nuk kullojnë dhe që nuk vaditen nuk ka kuptim asnjë ndërhyrje dhe asnjë investim.
Këtë vit ja dolëm nxjerrim sistemin e kullimit nga kolapsi i borxheve dhe i detyrimeve të pa paguara prej tetë vitesh, duke shlyer këto detyrime në masën prej plot 850.000 dollarësh.
Dyqind milonë lekë do të investohen për vitin që vjen në këtë drejtim, të cilat së bashku me rreth 23 milion euro të financime nga donatorë do të mundësojnë arritjen e një ndryshimi transformues në këtë sektor.
Jam i bindur se ky buxhet i cili rrit ndjeshëm shkallën e mbështetjes financiare për bujqësinë për 2014, minimalisht do ta dyfishojë impaktin e tij pozitiv në zhvillimin e bujqësisë dhe të fshatit, sepse fondet nuk do të kullojnë në kanalet e klientelizmit dhe të abuzivizmit por do të shkojnë për prodhim dhe fitim,” përfundoi Panariti.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.