Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti, në një takim me prodhuesit e miellit, deklaroi se kanë rënë dakort për të përcaktuar kriteret e përdorimit të miellit të tipave të ndryshëm, për destinacione të ndryshme.
Panariti bëri të ditur se ulja e përqindjes së proteinës në 9 përqind për miellin është konform standardeve të BE, si dhe një rritje me 2% e standardit krahasuar me atë ekzistues.
“Standardi i ri, baza e poshtme e nivelit të proteinave prej 9% , është brenda sandarteve të BE dhe është një rritje e standardit, pasi deri në këtë moment kemi ecur me një standard që ka qenë 7%. Ne futemi në një standart të ri, që ka si kufi të poshtëm standartin 9% dhe shkon sipas produkteve të veçanta deri në 12%”, deklaroi Panariti.
Në fjalën e tij, ai u shpreh se Ministria e Bijqësisë, duke bashkëpunuar me institucionet nën mbikëqyrjen e saj, po punojnë për përcaktimin e të gjitha llojeve të brumrave, për nga cilësia, jo vetëm ato që importohen nga Kosova dhe vendet e tjera të Bashkimit Europian.
“Bashkë me prodhuesit vendosëm të përcaktojmë kriteret e përdorimit të miellit të tipave të ndryshëm, për destinacione të ndryshme. Që natyrisht do të kenë nivele të përcaktuara me akt normativ të proteinave.
Kjo do të rregullojë, do të disiplinojë pa dyshim edhe destinacionin e millrave, miell që do jenë për konsum për bukë integrale, popullore, për baza picash, makarona, ëmbëlsira. Shqipëria për herë të parë do të ketë një paketë integrale standartesh që do të mbulojnë të gjitha këto kategori prodhimesh prej brumi”.
Panariti deklaroi se nuk do të ketë më monopole në industrinë e miellit, duke u shprehur se “standardi i bukës do ketë atë që meriton” dhe gjithashtu theksoi se bizneset duhet të operojnë sipas standardeve.
Një ditë më parë prodhuesit e miellit në Shqipëri thanë se do të mbyllnin aktivitetin, pasi Ministria e Bujqësisë kishte nxjerrë një udhëzim për uljen e përqindjes së proteinës në këtë produkt nga 12.5 në 9 përqind, ndërkaq ministri u shpreh se Shqipëria nuk importon vetëm miell nga Kosova, pasi merr dhe nga vendet e tjetra. Sipas tij, është kthyer në mit sikur duam të ‘sulmojmë’ çështjet tregtare me Kosovën.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.