INSTAT publikoi Anketën e Forcave të Punës për vitin 2016, ku bazuar në vlerësimet e të dhënave numri i personave në forcën e punës është 1.365 mijë persona. Shkalla zyrtare e papunësisë, për popullsinë 15 vjeç e lart, është 15,2%. Për meshkujt, shkalla e papunësisë është 1,5 pikë përqindje më e lartë sesa për femrat. Krahasuar me vitin 2015, shkalla zyrtare e papunësisë ka rënë me 1,9 pikë përqindje. Shkalla e papunësisë për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç është 28,9%, (29,7% për meshkujt dhe 27,8% për femrat).
Krahasuar me vitin pararendës, shkalla e papunësisë së të rinjve ka rënë me 4,3 pikë përqindje. Në vitin 2016, të rinjtë e moshës 15-29 vjeç të cilët nuk janë të punësuar dhe nuk janë duke ndjekur shkollën apo ndonjë formim profesional përbëjnë 30,0% të të rinjve gjithsej.
Në grupin e të rinjve që nuk janë të punësuar dhe nuk janë as duke ndjekur shkollën apo ndonjë formim profesional, 39,2% klasifikohen si të papunë. Pjesa tjetër, janë jashtë tregut të punës për arsye se janë ose të dekurajuar (13,1%), ose duke përmbushur detyra dhe përgjegjësi familjare (10,0%), ose për arsye të tjera (27,7 %).
Femrat përbëjnë 43,4% të forcës së punës dhe meshkujt 56,6%.
Të punësuar janë 1.157 mijë persona, ku femrat përbëjnë 43,8% të të punësuarve dhe meshkujt 56,2%.
Numri i të papunëve vlerësohet të jetë 208 mijë persona, ndër të cilët 41% janë femra dhe 59% janë meshkuj.
Shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për popullsinë 15-64 vjeç është 66,2%. Për meshkujt e moshës 15-64 vjeç shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 15,8 pikë përqindje më e lartë sesa për femrat.
Shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 55,9%. Shkalla e punësimit për femrat është 49,7% dhe për meshkujt 61,9%. Hendeku gjinor në punësim për këtë grupmoshë është 12,2 pikë përqindje.
Sektori bujqësor dhe sektori i shërbimeve kanë përqindjen më të lartë të të punësuarve me përkatësisht 40,2% dhe 40,4% të të punësuarve gjithsej. Në vitin 2016, rezulton se 41,2% e të punësuarve janë të punësuar me pagë, 34,9% janë të vetëpunësuar (punëdhënës ose të vetëpunësuar pa të punësuar të tjerë) dhe 23,9% janë punëtorë pa pagesë në biznesin e familjes.
Qarqet
Një analizë mbi baza rajonale, tregon që në vitin 2016, qarqet me shkallë punësimi më të lartë për popullsinë 15-64 vjeç janë: Elbasani (64,5 %), Fieri (61,5 %) dhe Berati (61,5 %). Ndërsa qarqet me shkallë punësimi më të ulët janë Tirana (50,3%) dhe Kukësi (50,3 %). Për të njëjtën popullsi, qarqet me shkallë papunësie më të lartë janë Qarku i Vlorës me 25,1% dhe ai i Tiranës me 19,8% ndërkohë që shkalla më e ulët vërehet në Qarkun e Dibrës me 8,6 %. Në vitin 2016, në Qarkun e Tiranës, punësimi në bujqësi zë një përqindje shumë të vogël të punësimit gjithsej (5,4 %). Nga ana tjetër, pjesa më e madhe e të punësuarve janë të angazhuar në sektorin e shërbimeve (68,5%). Një peshë të konsiderueshme zë edhe industria (26,1%).
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.