Norma e papunësisë ka shënuar sërish rënie në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, sipas të dhënave të raportuara nga INSTAT. Në tremujorin e katërt 2017, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri është 13,4%. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2016, shkalla e papunësisë si për meshkujt dhe për femrat ka rënë me 0,8 pikë përqindje. Edhe në raport me tremujorin e mëparshëm, papunësia ka rënë me 0.2 pikë përqindje. Ky është niveli më i ulët rekord i papunësisë, që është regjistruar pas viteve 1990.
Sipas INSTAT, shkalla zyrtare e papunësisë për meshkujt është 13,7% dhe për femrat është 12,9%. Shkalla e papunësisë për femrat është 0,8 pikë përqindje më e ulët sesa për meshkujt.
Shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë është 24,6%. Në terma vjetorë, shkalla e papunësisë së të rinjve shfaq tendencë në rënie. Krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2016, shkalla e papunësisë për të rinjtë në tremujorin e katërt të vitit 2017 është 3,5 pikë përqindje më e ulët. Krahasuar me tremujorin e tretë 2017, shkalla e papunësisë për të rinjtë ka pësuar rënie prej 1,4 pikë përqindje.
Shkalla e papunësisë për grupmoshën 30-64 vjeç është 10,5%. Në terma vjetorë, ky tregues pësoi një rritje të lehtë prej 0,1 pikë përqindje. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm për këtë grupmoshë, shkalla e papunësisë u rrit me 0,1 pikë përqindje.
Rritet punësimi, kryesisht nga industria
Shkalla e punësimit për meshkujt është 65,6%, ndërsa për femrat 50,8%. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2016, shkalla e punësimit për meshkujt është rritur me 2,8 pikë përqindje dhe për femrat me 1,2 pikë përqindje. Shkalla e punësimit të të rinjve është 34,9%. Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e katërt 2017, shkalla e punësimit është 69,4%.
Ritmi vjetor i rritjes së punësimit për popullsinë 15 vjeç e lart, nga tremujori i katërt i vitit 2016 në tremujorin e katërt të vitit 2017, është 4,3%. Në terma vjetorë, rritja e punësimit sipas sektorëve kryesorë të ekonomisë është: 8,4% në sektorin e shërbimeve dhe 7,3% në sektorin e industrisë. Në sektorin e bujqësisë pati një rënie të punësimit prej 1,5%.
Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, në tremujorin e katërt 2017, punësimi për popullsinë 15 vjeç e lart shënoi një rritje prej 0,9%. Punësimi u rrit në sektorin e industrisë me 4,5%, ndërsa në sektorët shërbimeve dhe bujqësi është në thuajse të njëjtin nivel.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Cjon kto rrena kshtu bre. Kaq e ka gjetmania