Vetëm një në dhjetë gra në Kosovë është e punësuar dhe një në dhjetë do të dëshironte të gjente punë.
Tetë në dhjetë as nuk janë të punësuara e as nuk kërkojnë punë – ato janë dekurajuar nga kjo për shkak se tashmë janë të zëna duke u kujdesuar për fëmijët dhe të moshuarit apo për shumë arsye të tjera.
Kështu thuhet në punimin e ri të Institutit Demokraci për Zhvillim me titull “Sa kushton patriarkati?”.
Në punim thuhet se mungesa e transportit publik e bën të vështirë që gratë nga zonat rurale të shkojnë në vendin e tyre të punës, mungesa e shkathtësive të kërkuara e bënë gjetjen e punës pothuajse të pamundshme për to, derisa kultura patriarkale në Kosovë i heq nga lista shumë profesione si të papërshtatshme për gratë, shkruan Zëri.
Remitancat gjithashtu mund ta zvogëlojnë gatishmërinë për pranimin e punëve me pagesë të ulët.
Përveç 80% të grave joaktive, rreth 40% e burrave janë gjithashtu joaktiv, ku gjithsej përbëjnë 60% të personave në moshë madhore në Kosovë që janë të aftë për punë.
Me një përqindje aq të lartë të popullatës që nuk kontribuon në aktivitetin formal ekonomik, nuk është çudi që Kosova e ka të vështirë që të krahasohet me shtetet fqinj.
Autorët e punimet janë fuqimisht të bindur që pabarazia gjinore nuk është vetëm çështje e barazisë, por edhe faktori kryesor që e mbanë Kosovën të paarsimuar dhe të pazhvilluar.
Hendeku gjinor në rezultatet e tregut të punës është shumë më i lartë në Kosovë se në rajon.
Këto dallime sugjerojnë që ekzistojnë faktorë të theksuar specifik për gjininë në këtë kontekst që luajnë rol kyç në përfshirjen e gruas në aktivitet ekonomik.
Si rezultat i kësaj, niveli disproporcional i papunësisë te gratë nuk mund të zgjidhet duke kërkuar rritje të përgjithshme të punësimit. Ndikim i madh në zhvillimin e Kosovës mund të bëhet vetëm nëse politikat e shënjestrojnë në mënyrë specifike papunësinë e grave.
Femrat aktive në biznes janë me siguri kategoria më e guximshme dhe inteligjente në vend. Shumicës së grave që janë të suksesshme në biznes, përveç gjetjes së mënyrës për të arritur tek përfitimi, iu është dashur të tejkalojnë shumë.
Mospërfshirja e grave në treg të punës është pengesë kryesore për zhvillimin e vendit si dhe pengesa tjera – si: paragjykimet dhe dyshimet e familjes së tyre, shokëve e shoqeve dhe ta fitojnë besimin e klientëve të biznesit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.