Shkaku kryesor i papunësisë së madhe ndër të rinjtë e Ballkanit është cilësia e dobët e sistemeve të arsimit, të cilat nuk prodhojnë shkathtësi dhe njohuri që përputhen me kërkesën për punë. Në këtë kontekst, politikat për rritjen e konkurrencës së ekonomisë dhe tërheqjen e Investimeve të Huaja Direkte (FDI) janë të vështira për t’u arritur, analizon Banka Botërore në lidhje me sistemet arsimore në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Vrojtimet kanë gjetur se, cilësia e dobët e arsimit është gjithashtu pasojë e mungesës së marrëdhënieve formale ndërmjet shkollave dhe kompanive. Megjithëse legjislacioni siguron një bazë dhe kërkesë që shkollat të komunikojnë dhe të koordinojnë hartimin e kurrikulave të tyre me bizneset dhe prindërit përmes këshillave trepalëshe, në praktikë kjo nuk ndodh. Është e vështirë të sigurohet praktika me cilësi të lartë për studentët, gjë që nganjëherë arrihet përmes vullnetit të mirë të stafit mësimdhënës dhe menaxherëve të kompanive. Në anën tjetër, punëdhënësit shpesh nuk janë të interesuar të bashkëpunojnë me shkollat.
Punonjësit i gjejnë në kanale joformale, siç janë lidhjet me miqtë dhe të afërmit, sesa nëpërmjet një procesi rigoroz përzgjedhjeje. Prandaj, shkollat nuk kanë informacion për avancimin e nxënësve në tregun e punës dhe në këtë mënyrë, nuk janë në gjendje të fusin kurrikula të reja shkollore në bazë të nevojave të tregut të punës. Në të njëjtën kohë, punëdhënësit nuk janë të gatshëm të përballojnë koston e trajnimit fillestar të stafit të ri, ndërsa qeveritë nuk kanë politika për nxitjen e punësimit.
Një pengesë e madhe me të cilën ballafaqohen studentët në tranzicionin e tyre nga arsimi i lartë në tregun e punës është mungesa e përvojës, e cila vlerësohet shumë nga punëdhënësit gjatë rekrutimit.
Sipas analizës së Bankës Botërore, në 100 studentë të rinj që hyjnë në sistemet e arsimit të lartë në një vit, vetëm 13 diplomohen dhe gjejnë një punë të përshtatshme.
Kjo tregon nivelin e ulët të efikasitetit të sistemeve të arsimit të lartë në Ballkan. Në mënyrë që sistemet e arsimit të lartë të japin një kontribut më të mirë në ndërtimin e kapitalit njerëzor dhe në rritjen e ekonomisë, nevojiten reforma domethënëse të sistemeve të arsimit të lartë dhe tregut të diplomuar të punës, dhe duhet të inkurajohet bashkëpunimi më i mirë ndërmjet punëdhënësve dhe shkollave.
Banka Botërore lajmëron se të gjitha llojet e boshllëqeve të aftësive pritet të rriten në të ardhmen. Rritja më e madhe e pritur në boshllëqet e aftësive është në aftësitë analitike dhe vendimmarrëse.
Banka rekomandon reformë thelbësore në kurrikula dhe përmirësime të mëdha nën cilësinë e mësimdhënies. Qeveria duhet të nxisë programet e trajnimit për të stimuluar produktivitetin e edukatorëve dhe mbi një ndërlidhje shumë më të ngushtë midis institucioneve arsimore dhe sektorit të biznesit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.