Paqja në kohën tonë

29/12/2018 10:03 PM 0 komente

Armëpushimi tregtar ndërmjet Amerikës dhe Kinës përfundoi thuajse pa filluar ende. Arrestimi i Meng Wanzhou të Huawei është cilësuar si një prej shkaqeve kryesore të rifillimit të armiqësive

 

Pas një darke pune midis Presidentëve Donald Trump dhe Xi Jinping, dukej sikur armëpushimi tregtar ndërmjet dy shteteve ishte i mundur. Edhe nga deklarata e z. Trump, menjëherë pas përfundimit të tij, duke e cilësuar produktiv dhe nga i cili ai ishte befasuar shumë, armëpushimi dukej pranë. Por tashmë ai qëndron në fije të perit nga rreziku se mund të shpërbëhet, shkruan The Economist.

Më 5 dhjetor, Departamenti i Drejtësisë në Kanada tha se, në të njëjtën ditë kur dy presidentët po darkonin, ai arrestoi Meng Wanzhou, zyrtaren e lartë financiare të Huawei, një prej prodhuesve kinezë më të mëdhenj të pajisjeve të telekomunikacionit, me kërkesë të Amerikës. Nga ana e Kinës, arrestimi u mor si një goditje politike.

Kompania Huawei është një prej shtyllave të ekonomisë kineze dhe znj. Meng është edhe vajza e themeluesit të kësaj kompanie. Fati i bisedimeve tregtare mund të varet edhe nga rrjedha që do të marrë çështja e saj. Arrestimi i znj. Wanzhou mendohet të jetë i lidhur me një hetim të kryer nga shteti amerikan për shkeljen e supozuar të sanksioneve të Huawei mbi shitjen e teknologjisë në Iran. Kompania tha se nuk ishte “e vetëdijshme për ndonjë keqbërje”. Një hetim i ngjashëm e çoi ZTE, një kompani më të vogël kineze po me seli në Shenzhen, sikurse edhe Huawei të merrte një goditje thuajse fatale, e cila i ndali firmat amerikane që t’i shisnin asaj pjesë të ndryshme, deri në momentin që ajo do të ndryshonte.

Pasojat që do të kishte një ndalim i tillë i ngjashëm ndaj Huawei do të ishin më të rënda për shkak edhe të madhësisë së saj.
Amerika ka ushtruar trysni edhe ndaj aleatëve të saj duke i detyruar këta të fundit që t’i japin fund marrëdhënieve të tyre me Huaëei për shkak të shqetësimeve lidhur me sigurinë kombëtare.

Gjatë takimit të fundit, z. Xi u zotua se Kina do të blinte më shumë mallra amerikane ndërsa z. Trump premtoi se do të shtynte deri më 1 mars ngritjen e tarifave, nga 10% në 25% mbi 200 miliardë dollarë mallra, që ishte caktuar të zbatohej që më 1 janar të vitit të ardhshëm. Edhe përpara lajmit të arrestimit të znj. Meng, investitorët ishin të shqetësuar, sepse mendonin se situata do të ndryshonte shumë shpejt dhe armiqësia do të fillonte sërish.

Ekipeve të tregtisë së dy vendeve u është dhënë kohë deri më 1 mars të këtij viti që të bien dakord mbi “ndryshimet strukturore” në Kinë në lidhje me “transferimin e detyruar të teknologjisë, mbrojtjen e pronësisë intelektuale, barrierat jotarifore, ndërhyrjet dhe vjedhjen kibernetike, sektorin e shërbimeve dhe bujqësisë. Autoritetet amerikane prej kohësh e akuzojnë qeverinë e Kinës se kjo e fundit ka detyruar kompani të ndryshme të huaja që t’i japin pronësinë e teknologjisë së tyre partnerëve kinezë. Por kërkesat nuk janë të përfshira në legjislacionin kinez.

Edhe pse kërkesat e kompanive amerikane për të hyrë në ndërmarrje të përbashkëta me ato kineze u hoqën, problemi mund të vazhdojë në praktikë. Larry Kudlow, këshilltari ekonomik i z. Trump, thotë se bisedimet mbi këto çështje tejet delikate kanë avancuar.
Dhe më 4 dhjetor të këtij viti, Kina shpalli dënime më të ashpra kundrejt të gjithë atyre që vjedhin pronësinë intelektuale, duke përfshirë kufizimet e aksesit të tyre ndaj financave. Por vetëm një cinik do të pohonte se Kina i ka pasur edhe më parë këto kufizimea. Ajo çka përbën shqetësim në këtë drejtim nuk është ashpërsia e penaliteteve të vendosura, por se sa ato do të zbatohen realisht.

Për më tepër, ekziston një hendek i madh midis asaj që të dy vendet thonë se po bashkëpunojnë me njëra-tjetrën. Amerika dëshiron ndryshime të thella, duke përfshirë kufizimet për subvencionimet industriale të Kinës. Kina thotë se dëshiron të vazhdojë reformimin e ekonomisë së saj në përputhje me planet ekzistuese. Kjo me siguri do të ishte shumë pak për Amerikën, madje edhe nëse do të “zbukurohej” me disa blerje shtesë të sojës amerikane. Nëse ky hendek nuk zvogëlohet, por bëhet dita-ditës më i madh, atëherë edhe bisedimet mund të dështojnë.

Z. Trump dhe zyrtarët e tij po u japin kinezëve një mundësi, në mënyrë që këta të fundit të tregojnë se po i marrin seriozisht negociatat. Sipas raporteve të fundit, kinezët po përgatiten për të blerë më shumë sojë amerikane dhe gaz natyror. Por kjo do të thotë shumë pak në lidhje me gatishmërinë e Kinës për të përqafuar ndryshime më të rëndësishme. Ndërsa zyrtarët kinezë, nga ana e tyre, sidomos pas arrestimit të znj. Meng, po vënë në pikëpyetje faktin nëse negociatat e amerikanëve po bëhen në mirëbesim apo jo.

Nëse koha është thjesht një rastësi, dhe z. Trump e ka bërë atë në mënyrë jo të qëllimshme, ky është një tjetër tregues i një Shtëpie Kaotike të Bardhë, gjë që nuk është aspak siguruese. Në Kinë, situata shihet thjesht si një shfaqe e fuqisë amerikane. Për të vazhduar armëpushimin, tashmë shumë të brishtë, amerikanëve do t’u duhet që të qetësojnë situatën e tensionuar në Kinë si pasojë e arrestimit te fundit të znj. Meng dhe në të njëjtën kohë edhe për t’i dhënë zgjidhje përpjekjes për të hequr koncesionet.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of