Teksa tregu i pasurive të paluajtshme po rritet vrullshëm nga volumet e ndërtimeve të reja për banesa në Tiranë dhe rrethet kryesore të vendit, bankat tregtare po i shohin me skepticizëm zhvillimet në këtë sektor.
Banka e Shqipërisë pyet një herë në tre muaj bankat tregtare në vend se çfarë standardesh kanë aplikuar për kreditimin e bizneseve dhe individëve dhe çfarë projeksionesh kanë për tremujorin në vijim.
Në vrojtimin për kredinë në tremujorin e parë të 2018 bankat tregtare pohuan se kanë shtrënguar kushtet për kreditimin e individëve për shkak të zhvillimeve në pasuritë e paluajtshme. Këto zhvillime bashkë më përkeqësimin e gjendjes financiare të individëve ishin dy faktorët themelore që dhanë balancat më të larta negative ne shtrëngimin e kushteve të kreditimit për individët.
Duke shpjeguar këtë tendencë ekspertët e bankave pohuan për Monitor se perceptimi i tyre pesimist për tregun e pasurive të paluajtshme lidhet me rënien e fluksit të shit-blerjeve në tregun e pasurive të paluajtshme. Bankat kanë vërejtur se nuk ka shumë kërkesë për blerje banesash, ndërkohë që oferta është e lartë dhe nga ana tjetër çmimet nuk bien. Por, bankierët theksojnë se ata masin në fakt tregun formal.
Por ndërkohë po gjendemi para një paradoksi çmimet nuk po bien, kërkesa është e ulët dhe oferta është e lartë. Ata shpjegojnë se kjo ecuri nuk bën sens në ekonominë formale. “Nëse kurba e kërkesës për pasuri të paluajtshme shkon poshtë, nuk ka mundësi që dy të tjerat (çmimet dhe oferta) të shkojnë lart”, shpjegon eksperti, sipas të cilit sektori i ndërtimit po furnizohet nga paratë e pista, të cilat po furnizojnë kërkesën.
Ata parashikojnë që kjo situatë do të sjellë flluksën e ardhshme në ekonomi në momentin kur burimet e paligjshme do të fillojnë të reduktohen.
Të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se kredia e re për shtëpi për individë në 2017-n u rrit me vetëm 4%.
Banka e Shqipërisë në raportin e fundit të vrojtimit të kredisë pohoi se në tremujorin e parë të vitit 2018, standardet e kreditimit për individët u raportuan të shtrënguara, si për kredinë për blerje banese, ashtu edhe për kredinë për konsum. Standardet e kreditimit priten të mbeten të shtrënguara edhe në tremujorin e dytë të vitit, si për kredinë për blerje banese, ashtu edhe atë për financimin e konsumit.
Ekspertët pohuan dhe tendencën e re te konsumatorëve: Njerëzit presin që me lejet e reja, mund të ketë ofertë edhe me të lartë për banesa dhe për pasojë çmime më të ulëta, duke frenuar kërkesën.
Tregu real në gjallërim
Teksa bankat po tregohen pesimiste ne zhvillimet në tregut imobilar, vetë aktorët e tregut të pasurive të paluajtshme janë optimistë.
Agjencitë e pasurive të paluajtshme flasin për ecuri pozitive të tregut në tremujorin e parë të 2018-s, ndërsa çmimet kanë qëndruar stabël, pas rritjes së shpejtë të tyre në fund të vitit të kaluar dhe muajt e parë të 2018-s, kur apartamentet u shtrenjtan me nga 100-250 euro për metër katror.
Aktorët kryesorë të tregut të pasurive të paluajtshme tregojnë se së fundmi tregu ka pasur rritje të blerjeve për investim, brenda Unazës së Vogël të Tiranës.
Jo zyrtarisht, aktorët e tregut pohojnë se pjesa më e madhe e blerjeve po bëhet cash.
Sipas agjencive të pasurive të paluajtshme, përqindja e individëve që po blejnë për investim ka qenë në rritje këtë fillim viti. Më së shumti, shitjet kanë qenë brenda Unazës së Vogël të Tiranës. Blerësit në këtë zonë janë familjarët, por duhet shtuar se një përqindje e konsiderueshme e shitjeve kanë qenë për investim, thotë ekspertet nga agjencia e pasurive të paluajtshme DevInf.
Agjenti i DevInf shton se ka pasur kërkesë të lartë për blerje dyqanesh, si një formë e mirë investimi ose vetëpunësimi, mirëpo oferta për këtë kategori mungon. Edhe inxhiniere Xheni Jahja, tregon se tremujori i parë 2018-s ka qenë pozitiv, si për shitjet ashtu edhe për qiranë. Jahja shton se ka pasur kërkesë për blerje, jo vetëm nga shqiptarët, por edhe të huajt.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.