Parku kombëtar japonez humb rreth 25 milionë jen

08/11/2018 12:01 PM 0 komente

Shinjuku Gyoen, një park kombëtar në Tokio të Japonisë, akuzon një prej punonjësve të tij se ka lejuar hyrjen e 125,000 personave pa prerë bileta.

Kjo i ka shkaktuar parkut një humbje të madhe që shkon deri në 170,000 paund (25 milionë jen), duke qenë se bileta e hyrjes kushton 1.40 paund.

Ngjarja në këtë park, i cili menaxhohet nga Ministria e Mjedisit, është zbuluar në janar të këtij viti por është bërë publike vetëm kohët e fundit.

Punonjësi që ka kryer shkeljen, një burrë në të 70-at, është shprehur se ka pasur frikë t’u kërkojë turistëve të huaj për të paguar biletën hyrëse. Por edhe pse nuk i ka kërkuar asnjërit prej tyre që të paguajnë, ai i ka pajisur ata të gjithë me bileta, sepse pa to hyrja është e pamundur pasi përmbajnë një kod identifikues.

Shkelja ka qenë e pamundur për t’u zbuluar në momentin që është bërë, sepse punonjësi 70-vjeçar i ka kërkuar një kolegut të tij, të regjistronte çdo turist sipas barkodit dhe të mos i shënonte fare biletat e papaguara, në mënyrë që të mos kishte mospërputhje me numrin e turistëve që kishin vizituar parkun dhe vlerës së të ardhurave.

Mashtrimi u zbulua rastësisht nga një koleg tjetër, i cili lajmëroi menjëherë personat përgjegjës në Ministri. Të moshuarit iu caktua një gjobë prej 10% e pagës së tij muaj për muaj, por ai kërkoi të dilte menjëherë në pension, duke shlyer detyrimin ndaj shtetit me gjysmën e bonusit të pensionit të tij, rreth 300,000 jen.

Shinjuku Gyoen është një prej më të vjetërve në Japoni dhe daton që prej vitit 1867 kur funksiononte si park botanik. Ai u prish gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe u ndërtua në vitin 1949 si një park kombëtar.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of