Parqet fotovoltaikë dhe eolikë, ERE do ndryshojë çmimet, kushte të reja në treg

13/09/2018 11:01 AM 0 komente

Enti Rregullator i Energjisë nisi kete te enjte procedurën standarde  për përcaktimin e çmimit të blerjes së energjisë elektrike të prodhuar nga burimet e vogla të rinovueshme nga dielli me fuqi te instaluar deri 2 MW  dhe era me fuqi te instaluar deri 3MW për vitin 2018. Për herë të fundit këto çmime u caktuan me një vendim të veçantë në korrik të vitit 2017 kur u vendos çmimi 100 Euro/MWh  për burimet e energjisë nga dielli me fuqi te instaluar deri 2 MW dhe 76 Euro/MWh për burimet e energjisë nga era me fuqi deri 3MW. Pritshmëria e ERE është që çmimet e reja të ndryshojnë për shkak se edhe kushtet në terren sot kanë ndryshuar.

“Kur ne bëmë përllogaritjen për çmimin vitin  e kaluar më shumë u ndalëm tek studime nga rajoni dhe tek situata jonë në treg që në atë kohë nuk është se kishim raste konkrete. Gjatë vitit të kaluar madje kostoja e investimit për 1MW llogaritej 1.45 milionë euro dhe kthimi i investimit 8 për qind. Sot që flasim situata ka ndryshuar. Kemi disa operatorë të licencuar dhe që kanë nisur ndërtimin e centraleve fotovoltaikë. Ne mund të analizojmë në bazë të dokumenteve të tyre kostot e punës, te mirembajte, vlerat reale te investimit dhe elementë të tjerë për të nxjerrë një çmim sa më të saktë. Edhe kostoja e investimit për vitin 2018 ka ndryshuar për 1MW duke qenë rreth 1.4 milionë euro çka do të thotë që thjesht me këtë element mund të kemi një ndryshim tek çmimi” u shpreh Rajmonda Islamaj nga Drejtoria e Tarifave pranë Entit Rregullator të Energjisë.

Sipas saj përcaktimit të tarifave mund ti shërbejë edhe kryerja e monitorimeve si dhe marrja e informacionit nga MIE mbi planet e bizneseve apo studimet e fizibilitetit të subjekteve që tashmë kanë mbyllur kontratat me MIE.

Në këtë pikë edhe kryetari i Bordit të ERE Petrit Ahmeti nënvizoi se është e rëndësishme që të caktohet kalendari për këto monitorime në kushtet kur jemi një sërë subjektesh që kanë nisur punën në terren dhe kanë avancuar. Sakaq ai theksoi se korrespondenca me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë do të jetë pjesë e kësaj axhende.

Lidhur me parqet eolike nga ana e ERE u tha se ende nuk ka ndonjë investim të ri domethënës.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of