Partitë e vogla në programet e tyre i japin prioritet çështjeve të veçanta, në varësi të fokusit të lëvizjes së tyre. Për Lëvizjen për Zhvillim Kombëtar, prioritet kanë pronat dhe kompensimin fizik dhe financiar.
Partia Agrare Ambientaliste ka si qëllim kryesor zhvillimin e bujqësisë, një sektor i rëndësishëm që zë 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Fryma e Re Demokratike (FRD) në programin e saj synon të ruajë stabilitetin makroekonomik. SFIDA, në programin e saj zyrtar, ajo parashikon rigjallërim të ekonomisë, ulje të taksave, nxitje të bizneseve.
LIBRA do të përcaktojë minimumin jetik në jo më pak se 16,900 lekë në muaj.
Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, në programin e saj të zhvillimit ekonomik mendon se, Shqipëria ka nevojë për një rigjenerim të thellë politik dhe moral. LZHK mendon se, Shqipëria ka sot probleme serioze me ndërtimin e shtetit të së drejtës, ndërtimin e institucioneve të pavarura, ndërtimin e një administrate shtetërore profesionale, të aftë dhe jopolitike ngritur mbi meritokracinë, ka ende të pazgjidhur çështjen e pronësisë, integrimin dhe dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë, tema që mbajnë peng progresin e mëtejshëm dhe integrimin e vendit në Bashkimin Europian.
LZHK është e bindur se zgjidhja e çështjes së pronësisë si një nga kushtet kryesore për integrimin në BE, është vënia në vend e një padrejtësie të regjimit komunist, por edhe një nga çështjet kryesore që përcakton drejtpërsëdrejti zhvillimin e vendit në planin ekonomik dhe shoqëror. E drejta e pronës është institucioni më i rëndësishëm që përbën pengesën kryesore për investimet private dhe zhvillimin. Për këtë, LZHK angazhohet që të përmirësojë kuadrin ligjor për çështjen e pronësisë në Shqipëri.
Kompensimi fizik dhe financiar të përfundojë, brenda këtij mandati. Kompensimi fizik të bëhet vetëm me prona të mirëfillta shtetërore, ndërsa në kompensimin financiar, vlera e pronës të llogaritet me vlerën e tregut.
LZHK mendon se reformimi i ekonomisë shqiptare kërkon hapësirë për biznesin, i cili nuk duhet të ketë pengesa në nismat e tij, si dhe luftë kundër monopoleve e oligopoleve. Ato duhet të zhduken për t’i hapur në treg vend konkurrencës së lirë. Duhet të përmirësohen legjislacioni dhe strukturat zbatuese për prokurimet, koncesionet, kontrollit të pasurisë së bashku me konfliktin e interesave dhe nepotizmin, sipas përvojës më të mirë perëndimore dhe të mbahen në nivelin më të ulët të mundshëm taksat mbi biznesin. LZHK vë në funksion themelor rolin që shteti shqiptar duhet të ketë për investimet e biznesit vendas dhe të qytetarëve shqiptarë, pra dhe të bankave ku depozitat janë, në disa fusha prioritare si energjia, infrastruktura, industria agroushqimore, qoftë dhe duke qenë në formën e një Partneriteti Publik-Privat, duke krijuar për këtë Grupe financiare, që do të siguronte biznesin vendas për leverdinë e investimeve dhe mundësitë janë të mëdha për shfrytëzimin nga shqiptarët të pasurive kombëtare.
Për një ekonomi të zhvilluar, sigurimi i të ardhurave është me rëndësi të dorës të parë. Për të përballuar dhe për të kapërcyer krizën globale shteti duhet të rishohë qëndrimin e tij për politikat e kreditimit nga bankat, sigurimin e likuiditetit, përqindjen e interesit dhe sigurimin e depozitave, siç po veprojnë gjithë vendet e tjera. Duke konsideruar Ndërtimin si një fushë të rëndësishme për ekonominë e vendit, propozon krijimin e Fondit Kombëtar i Rrugëve, ku do të kalojnë fondet buxhetore, donacionet dhe të ardhurat e tjera nga ky aktivitet. Ndër pasuritë e rëndësishme të vendit tonë, që lidhen me prodhimin e energjisë, janë uji dhe ajri – pasuri kombëtare. Një fushë tjetër është ndërtimi i burimeve të reja energjetike ku mundësitë në Shqipëri janë të mëdha. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për burime të tjera të rinovueshme.
Partia Agrare Ambientaliste ka në fokusin e saj zgjidhjen e problemeve të bujqësisë, peshkimit, blegtorisë, mjedisit, agroturizmit dhe të gjithë agrobiznesit, do të krijojë mundësinë që këto aktivitete të zënë vendin e duhur në zhvillimin ekonomik të vendit.
PAA-ja synon të ofrojë ekspertizën e saj për përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të BE-së, ristrukturimin e institucioneve përgjegjëse, përdorimin e teknologjive bashkëkohore, aplikimin e rezultateve shkencore në praktikë, bashkëpunimin dhe kooperimin e fermerëve, shtrirjen e shërbimit të këshillimit, aplikimin e praktikave më të mira, si dhe mbështetjen e sektorit me investime publike dhe private.
“Ne jemi të vendosur të punojmë së bashku për të zgjidhur problemet që shqetësojnë sot shqiptarët, duke synuar: zhvillim të qëndrueshëm, mundësi të barabarta dhe një mjedis të denjë fizik e social”, thotë Agron Duka, kreu i PAA-së.
PAA-ja mbështetet në vendosjen e një sistemi të taksimit të pronësisë mbi tokën me vlera modeste, i cili do të funksionojë menjëherë pas regjistrimit të tokave. PAA propozon rritjen e kontributit të bujqësisë në GDP e vendit; Rritje të investimeve publike në zonat rurale; Zhvillimin dhe modernizimin e agroindustrisë dhe sektorit të peshkimit duke mundësuar rritjen e punësimit në këta sektorë; Ndryshimin domethënës të raportit import-eksport për produktet me origjinë bimore dhe shtazore; Kontrollin për sigurinë ushqimore, standardet e produkteve dhe imputeve bujqësore; Politika efektive për subvencionet dhe ndryshim të skemës së përfitueseve; Mbrojtjen e mjedisit në kuadër të zhvillimit të qëndrueshëm.
Si një forcë e orientuar nga bujqësia, kontributi i saj do të konsistojë në zbatimin e politikave ekonomike që i japin impulse zhvillimit të bujqësisë duke stimuluar zhvillim të aktiviteteve të reja, zgjerim të atyre ekzistuese dhe mbështetje të fermave familjare, të shoqëruara me perfeksionim të marketingut të produkteve të tyre. Aplikimit të politikave për konsolidimin e fermës; uljes së
kostos së prodhimit; sigurimit të financimit; rajonizmit të prodhimit, si një mundësi paraprake për specializimin; nxitjes dhe zhvillimit të alternativës koperuese; rritjes së ofertës dhe të partneritetit
të prodhuesve në tregje; integrimit prodhues-përpunues dhe rritjes së nivelit të përfitueshmërisë të të gjithë aktorëve që marrin pjesë në sistem.
Fryma e Re Demokratike (FRD) në programin e saj synon të ruajë stabilitetin makroekonomik, duke tentuar që në 4 vitet e ardhshme të ulë borxhin publik shumë të lartë që po penalizon ekonominë, duke synuar një deficit të vogël vjetor, në mënyrë që ritmet e rritjes së borxhit të mos jenë më të larta se ritmet e rritjes së PBB-së, duke tentuar që borxhi publik të mbahet nën kufijtë e 60% të PBB-së. Ky objektiv do të arrihet nëpërmjet uljes së deficitit tregtar, deficitit buxhetor, si dhe rritjes së investimeve të huaja.
FRD propozon një taksë relative për pagat, ku do të përjashtohen nga tatimi personat me pagë minimale dhe më pas do të aplikohet një sistem me dy nivele. Tatimi për llojet e tjera të të ardhurave mbetet i sheshtë në normën 10%.
Aplikimi me dy shkallë për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), me një normë të reduktuar 10% për një shportë të caktuar mallrash.
Heqja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për furnizimet e medikamenteve dhe të shërbimeve mjekësore.
Rishikimi i pragut të TVSH-së në funksion të miradministrimit të kësaj takse.
Përjashtimi nga tatimi për pagat deri në 30 mijë lekë, normë tatimi 5% për pagat 30-50 mijë lekë dhe normë tatimi 10% për pagat mbi 50 mijë lekë.
Reduktimi i tatimfitimit për bizneset që paguajnë më shumë TVSH për xhiro, pra ato biznese që investojnë, bëjnë inovacione dhe rrisin efektivitetin, do të paguajnë më pak sipas një skeme të detajuar që s’do të lejojë hapësirë për abuzime.
Lejimi i bartjes së humbjeve për veprimtaritë investuese nga burime të brendshme dhe të jashtme për një periudhë 5-vjeçare. Shfuqizimi i ligjit aktual për kalimin në falimentim të kësaj kategorie shoqërish nëse dalin me humbje për dy vjet rresht.
Rishikimi i shkallës tatimore të akcizave, duke analizuar nivelet që zbatohen nga vendet e rajonit për të njëjtat mallra, me qëllim eliminimin e avantazheve tarifore që stimulojnë kontrabandën ndërrajonale. Administrimi real i ligjit të akcizave, sidomos për mallrat e akcizës që prodhohen brenda vendit, të cilat janë përgjithësisht jashtë kontrollit.
Krijimi i incentivave fiskale mbi të ardhurat e shoqërive dhe bizneseve të sferës prodhuese që operojnë në zona të konsideruara të pazhvilluara dhe me nivel të lartë papunësie. Përjashtimi i tyre nga tatimi mbi fitimin korporativ për tre vitet e para të veprimtarisë.
Incentiva dhe lehtësi fiskale në fushën e turizmit, sektor jetik ky për zhvillimin e vendit dhe thithjen e investimeve të huaja.
“SFIDA! Për Shqipërinë” i qëndron vizionit se papunësia, gjendja e shëndetësisë, arsimi dhe korrupsioni i kudogjendur janë disa nga problemet kryesore të vendit.
Në programin e saj zyrtar, ajo parashikon rigjallërim të ekonomisë, ulje të taksave, nxitje të bizneseve.
Në fokus do të jenë edhe investimet strategjike në arsim dhe shëndetësi; përqendrim në shkencë, teknologji, inxhinieri, informatikë; ngritja e cilësisë së shërbimeve spitalore; garantimi i sigurisë ushqimore.
Zhvillimi ekonomik, sipas programit të saj, do të arrihet përmes favorizimit të zhvillimit ekonomik në sektorët strategjik për zhvillimin ekonomik të bazuar mbi STEM; krijimi i zonave “Tax Free Economic Development Zone” për prodhime me destinacion për eksport. Favorizimi tatimor për familjet; inkurajimi për mbledhjen e taksave mbi pronën si edhe ulje e taksave për biznesin e madh dhe të mesëm.
Synimit për zhvillimin e teknologjisë së informacionit do t’i shërbejë edhe arsimi. Synohet investim nga shteti në infrastrukturë dhe trajnimin e mësuesve; Investim i veçantë në STEM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri, Matematikë); Bursa deri në 100% të vlerës për studentët që janë të varfër; Krijimi i një sistemi qendror të kredive të buta (student loans) të vlefshme për sistemin publik dhe privat; Dy filtra për të hyrë në universitet, si dhe ndërtimi i një rrjeti të mirëfilltë shkollash profesionale.
Për shëndetësinë, Sfida synon transparencë për çmimet në transaksionet publike; publikim të dokumenteve që realizojnë marrëveshjet mes palëve. Transparencë lidhur me besueshmërinë e partnerëve, specifikim të hyrjes së barnave me leje importi ministror. Ngritje të cilësisë së shërbimeve spitalore. Luftë kundër korrupsionit dhe garantim i cilësisë ushqimore, si element thelbësor i shëndetit.
LIBRA, në programin e saj ekonomik, do të përcaktojë minimumin jetik në jo më pak se 16,900 lekë në muaj, pavarësisht nga gjendja, mosha, vendbanimi a mundësitë për punë. Ky akt, sipas LIBRA-s, do të nxjerrë nga mjerimi ekstrem qindra mijë shqiptarë. Do të përfitojnë të papunët, familjet në ndihmë ekonomike, shqiptarët me aftësi të kufizuara, pensionistët.
Synohet ulja e TVSH-së për ushqimet bazë nga 20% në 5%. Kjo do të sjellë që këto ushqime të blihen 15% më lirë se sot. Ky akt do të rrisë cilësinë e jetës së 1 milion të varfërve dhe pensionistëve si dhe do të rrisë konsumin.
LIBRA ka në programin e saj uljen e taksave për shtresat e mesme. Tatimi për pagat e mesme deri në 130 mijë lekë do të ulet nga 13-10%, ndërsa tatimi 23% mbi pagën 130 mijë lekë do të ulet në 13%. Do të krijohet skema e rimbursimit të një pjese të tatimit mbi të ardhurat dhe TVSH për individët.
LIBRA parashikon normë tatimi zero për bizneset me fitime vjetore deri në 500 mijë lekë dhe rritje progresive nga 5% deri në 25% për bizneset e mëdha që fitojnë mbi 500 milionë lekë.
Synohet krijimi i fondit kombëtar të investimeve. Ky fond minimalisht do të investojë 500 milionë euro në vit në projekte me interes kombëtar.
LIBRA parashikon të eliminojë tatimin mbi interesat për kursimet e individëve deri në 2.5 milionë lekë.
Parashikohet të ulen me 20% shpenzimet për energjinë për të gjitha familjet dhe do të rishikojë të gjitha monopolet në sektorët e ekonomisë.
Do të synohet nxitja e rikthimit të emigrantëve, duke i përjashtuar nga tatim fitimi për të paktën katër vjet. Nuk do të ketë asnjë taksë mbi investimet 100 mijë euro të çdo emigranti.
Do të dyfishohet buxheti për arsimin, duke shkruar në 5% të PBB-së dhe do të përgjysmojë tarifat e arsimit të lartë publik.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.