Bitcoin.com, faqja zyrtare e monedhës virtuale bitcoin, ka pohuar se në Shqipëri ka disa tregtues të localbitcoin, megjithëse ajo pranon që ende ka një pjesë tregu shumë të vogël në këtë vend
Bitcoin ka referuar disa transaksione, ku këta tregtues shqiptarë, me emër të koduar, dëshirojnë që të shesin ose blejnë bitcoin dhe takimet, apo edhe transksionet i bëjnë gjithnjë në vende publike. P.sh. përdoruesi BtcExMtl do të shesë bitcoin me çmimin e luhatshëm 1876.14 EUR / BTC, ku shuma minimale që mund të fillojë tregtimi është 300 euro. Tregtuesi lë takim me të interesuarin për të blerë bitcoin në një ambient publik. Ky tregtues rezulton ta ketë hapur llogarinë tre vjet më parë dhe ka më shumë se 1000 tregtime të konfirmuara me 678 partnerë të ndryshëm.
Një tjetër tregtues, DragosWarrior, po në Tiranë, e blen monedhën virtuale me çmimin 1596.65 EUR / BTC. Në këmbim të blerjes së monedhës tregtuesi jep euro në cash. Ai thotë se vendi i preferuar i takimit është publik (ndonjë bar-kafe), ndërsa edhe shkëmbimi do të bëhet po në vend publik. Ky tregtues e ka krijuar llogarinë 2 vjet e 6 muaj më parë dhe ka 100 tregtime të konfirmuara me 92 partnerë të ndryshëm.
Lajmin dhe linkun e informacionit për tregtuesit, faqja zyrtare e Bitcoin.com e ka dhënë kur ajo ka ripublikuar një deklaratë të Bankës së Shqipërisë, e cila paralajmëronte publikun për 5 rreziqet e monedhës virtuale. “Kjo është hera e parë që Banka e Shqipërisë ka publikuar një paralajmërim rreth bitcoin, që ende ka një pjesë shumë të vogël tregu në vend dhe vetëm një grusht tregtuesish Localbitcoin.” Në fund të artikullit Bitcoin.com ka pyetur lexuesit se çfarë mendojnë ata rreth paralamërimit të Bankës së Shqipërisë.
Edhe Ethereum, sikurse Bitcoin, ka filluar të përdoret nga shqiptarët dhe gjithashtu është rritur edhe kërkesa për pajisjet kompjuterike, të cilat përdoren për të ndërtuar sisteme të fuqishme kompjuterike.
Një prej faqeve që promovon monedhën ethereum (Ethereum Albania), po shet edhe pajisjet të cilat ndihmojnë në zgjidhjen e algoritmit (proof of work system) që përkthehet në para.
Këto pajisje lidhen me njëra tjetrën duke krijuar sisteme te fuqishme kompjuterike. Në përshkrimin e faqes, administratorët e saj thonë se mundësojnë shitjen e të gjitha pjesëve përbërëse të ndërtimit të këtyre sistemeve me çmime të arsyeshme në treg. Çmimet për pajisje, sipas publikimeve në faqe, varjojnë nga 20 euro deri në 2600 euro.
Edhe në Kosovë ka filluar tregtimi i këtyre pajisjeve. Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, tha për KosovaPress se vetëm gjatë gjashtë mujorit të parë, në Kosovë janë importuar pajisje në vlerë prej 800 mijë euro.
Sipas tij, janë kartelat grafike ato që kushtojnë më shumë dhe siç tha ai, deri më tani janë rreth 4 mijë e 300 kartela grafike të evidentuara përgjatë kësaj periudhe. Por këto pajisje dogana i trajton si të gjitha pjesët e tjera të kompjuteri.
Aktualisht një ethereum po këmbehet me 226 dollarë. Në datën 1 janar monedha virtuale kushtonte vetëm 8 dollarë. Paqëndrueshmëria e madhe e çmimeve, është sipas ekspertëve një tregues i qartë se bumi i monedhave virtuale nuk është asgjë më shumë se një flluskë. Sipas tyre, flluska të tilla tërheqin paratë e individëve duke i joshur me fitime të larta prej çmimeve që rriten me shpejtësi. Më pas monedhat zhvlerësohen menjëherë duke sjellë humbje të mëdha për investitorët.
Bitcoin është monedha virtuale më e madhe në botë sipas kapitalizimit të tregut dhe ethereum është e dyta. Deri në mes të korrikut, bitcoin zinte 44% të kapitalizimit të tregut për të gjitha kriptomonedhat, me një rënie të fortë nga 87% në 25 shkurt. Ndërsa pesha e ethereum ka arritur në 24% të tregut të kriptomonedhave.
Banka e Shqipërisë ka paralajmëruar së fundmi se investimi në monedha virtuale nuk ka asnjë garanci, dhe se nuk ka kompani të licencuara për këtë qëllim. “Në kushtet e mungesës së rregullave që do të disiplinonin aktivitetin financiar dhe mbikëqyrjen e tyre, veprimtaria e këtyre subjekteve karakterizohet nga një shkallë e konsiderueshme rreziku dhe pasigurie, pa garanci të plota për mbrojtjen e klientëve nga humbja në investim. Nisur nga ky këndvështrim, përfshirja e çdokujt në këtë lloj veprimtarie mbetet një veprim në përgjegjësinë individuale të çdo personi që e ndërmerr atë”, ka pohuar BSH.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.