Pas disa vitesh në territor negativ, çmimet e veshjeve kanë nisur të rriten këtë vit të ndikuara kryesisht nga rritja më e lartë se mesatarja historike e veshjeve dhe këpucëve për fëmijë.
Çmimet në këtë grup veshjesh shënuan rritje vjetore me mbi 6% në mars- prill 2018 pas një rënie sistematike gjatë vitit të kaluar, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT.
Këto zhvillime po vijnë teksa numri i fëmijëve është në ulje të shpejtë, për shkak të rënies së numrit të lindjeve. Në tremujorin e parë të vitit, INSTAT lajmëroi se kanë lindur 20% foshnja më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Por tregu i veshjeve për fëmijë duket se nuk po ndikohet për këtë shkak.
Rritja e çmimeve në veshjet për fëmijë ndikoi në kahun rritës të të gjithë grupit të veshjeve.
Sipas vëzhgimeve nga tregu, çmimet po nxiten nga një kërkesë më e lartë për markat e fëmijëve. Të dhënat nga operatorë të tregtimit të veshjeve të fëmijëve konfirmojnë se shitjet kanë shënuar rritje gjatë vitit 2017, në vlerat 20-30%.
Aktorët e tregut tregojnë për një tendencë të prindërve shqiptarë për të blerë veshje cilësore e marka, ndërsa ekspertë të çështjeve psikologjike citojnë rrjetet sociale si një ndër faktorët ndikues. Ata raportojnë për një rritje të shitjeve të veshjeve dhe aksesorëve për fëmijë vitet e fundit, edhe për moshat e vogla.
Sipas të dhënave të Fashion Group Albania, vitin e shkuar janë rritur shitjet në sektorin e fëmijëve. Dyqanet për fëmijë të këtij grupi kanë pasur ecuri më të mirë se sa ato për të rritur. “Nga klientët kuptojmë se, përgjithësisht, shpenzimet më të mëdha bëhen për fëmijët, duke lënë mënjanë nevojat e tyre në veshje, për të gjitha markat pjesë të grupit”- tregojnë përfaqësuesit e Fashion Group.
Sipas tyre, Okaidi, Prenatal, Terranova dhe Geox, që ka edhe këpucë për fëmijë, shitjet janë rritur mesatarisht 20% krahasuar një vit më parë. Përfaqësuesit e grupit tregojnë se për secilin nga dyqanet, mesatarisht kanë pasur 2947 vizitorë në muaj në total vitin e shkuar.
Ndërsa menaxherja e rrjetit italian Chicco Albania, Eva Demirlika, tregon për “Monitor” se vitin e shkuar kanë pasur një ndryshim 15-20% më shumë të shitjeve. Sipas saj, shqiptarët shpenzojnë shumë për fëmijët, duke vëzhguar tendencat e 10 viteve të fundit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.