Autoriteti Rrugor Shqiptar ka rihapur këtë të enjte procedurën e prokurimet që ka në objekt rehabilitimin e segmentit rrugor mbikalimi i pallatit me shigjeta rreth rrotullimi Shqiponja Loti 1. Bëhet fjalë për të njëjtin lot për të cilin ARRSH klishetë lidhur më herët një kontratë me FDH Albania, kompani e cila rezultoi se kishte falsifikuar dokumentet. Në njoftimin e ARRSH për procedurën e prokurimit fondi limit I përcaktuar për veprën është më shumë se 2.2 miliardë lekë, e njëjta vlerë fondi e zbatuar edhe në procedurën e mëparshme të zhvilluar nga ARRSH.
Për vitin 2019 në buxhet lidhur me këtë vepër janë parashikuar 539 milionë lekë. Operatorët do të duhet të paraqesin ofertat deri më 14 janar 2019 ndërkohë që koha për ekzekutimin e kontratës është 24 muaj.
Historia me DH Albania
Në javën e parë të dhjetorit në media u bë publik fakti që një nga kompanitë që fitoi tenderin për ndërtimin e lotit të parë në Unazën e re kishte paraqitur dokumente të falsifikuara. Nga ana e ARRSH u bë prishje e kontratës ndërkohë që Ministria për Infrastrukturën dhe Energjinë bëri me dije se kishte bërë një komunikim shkresor me Ambasadën Amerikane. Materialet që do të vijnë nga SHBA sipas ministrisë do t’i kalojnë Prokurorisë e cila do të bëjë edhe hetimin e çështjes. Kompania DH Albania e cila fitoi procedurën e prokurimit si bashkim operatorësh rezultonte e regjistruar në Delaware të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pas prishjes së kontratës asaj do t’i sekuestorohet 10 për qind e vlerës së procedurës së prokurimit e lënë si garanci.
Ajo kishte fituar edhe një tjetër procedurë me Operatorin e Sistemit të Transmetimit me një vlerë 12 milionë euro ndërkohë që edhe nga OST është prishur në mënyrë të njëanshme kontrata.
Pas problematikës së shfaqur me kompaninë DH Albania nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë është kërkuar një ndryshim ligjor që lidhet me pjesën e prokurimeve ku është propozuar që për operatorët fitues verifikimi i dokumenteve që paraqiten të jetë i detyrueshëm ndërkohë që sot është opsional nëse ka tregues apo dyshime që tregojnë të kundërtën.
Sakaq në daljen para mediave pak ditë më parë ministri Damian Gjiknuri deklaroi se projekti I Unazës së Madhe do të vazhdonte përpos situatës së krijuar.
“Dua të garantoj qytetarët e Tiranës se projekti i zhvillimit të Unazës së Madhe do të vazhdojë pa u ndalur për tu përmbyllur brenda afateve. Menjëherë, Autoriteti Rrugor Shqiptar do të shpallë procedurën e garës për lotin 1 të Unazës së Madhe” tha Gjiknuri.
Projekti ka në total tre lote ku në lotin 3 dhe 2 kontratat vijojnë të jenë aktive.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.