Presidenti Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim buxhetin e vitit 2019 në Kuvend nxitur nga zhvillimet e fundit në vend. Në një njoftim për shtyp jepen edhe detajet rreth këtij vendimi që ka për bazë ndër të tjera protestat e studentëve që kanë ditë që vijojnë dhe kërkesat e tyre lidhur me financimin e arsimit . Zhvillimet e fundit duket se një efekt zinxhir në vendimmarrjen e disa prej hallkave kryesore institucionale ku më herët ishte qeveria e cila bëri gati draftin që lidhej me një VKM për tarifat por që mbetet ende i pamiratuar.
“Presidenti i Republikës SH.T.Z. Ilir Meta, duke ndjekur me shumë vëmendje situatën politike më të fundit në vend, si dhe duke vlerësuar konsensusin e gjerë publik mbi kërkesat e studentëve, të cilat janë konsideruar nga të gjithë aktorët politikë si, të drejta, legjitime dhe të realizueshme, duke synuar interesin më të mirë në përmbushjen e objektivave sociale të parashikuara në nenin 59 të Kushtetutës, si dhe në garantimin e stabilitetit në vend, me dekretin nr. 10997, datë 13.12.2018 ka vendosur “Kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr.99/2018 “Për buxhetin e vitit 2019”, me qëllim rishqyrtimin e tij.
Presidenti i Republikës, ka besimin e plotë se Kuvendi i Shqipërisë do të reflektojë një bashkëpunim gjithëpërfshirës me qëllim plotësimin e kërkesave të studentëve dhe interesit publik” thuhet në njoftim.
Studentët kanë vijuar edhe këtë të enjte protestat e tyre pranë Parlamentit ku po mbahet edhe seanca plenare e radhës. Ata vijojnë të këmbëngulin për plotësimin e tetë kërkesave duke theksuar se nuk do të ketë dialog me qeverinë deri në plotësimin e tyre.
Reagimi i Ramës
Pas njoftimit për kthimin e buxhetit në Kuvend për rishqyrtim ka reaguar në Twitter edhe Kryeministri Edi Rama.
“Interesant! Presidenti kthen buxhetin e Shqipërisë pas prezantimit të kërkesave të LSI-së. Asnjë çudi! Vazhdon papushim e në çdo formë, presioni mbi studentët për të qëndruar në kor kundër Dialogut! Miq! Dilni nga kurthi i atij kori dhe bëhuni individë që flasin në emër të vetes” shkruan Rama.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.