By pass-i i Tepelenës është projekti i radhës që pritet të zbatohet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. Ky i fundit hapi procedurën e prokurimit këtë të premte duke llogaritur një fond limit për realizimin prej rreth 18 milionë euro. Projekti përfshin lidhjen e segmentit të sapondërtuar Levan-Tepelenë, me segmentin Tepelenë-Gjirokastër-Kakavijë.
Projekti parashikon përmirësimin e gjurmës ekzistuese. Rruga fillon ku ndërpritet segmenti levan-Tepelenë dhe përfundon me pikëtakimin me segmentin Gjirokastër-Tepelenë. Gjatësia është 2.2 kilometra. Një pjesë e këtij aksi është nën kala me gjatësi 475 metra për të cilën është propozuar që të zgjerohet duke e projektuar këtë zgjerim me një gjysmë urë nga rruga ekzistuese ndërsa pjesa tjetër si një rrugë konvencionale malore.
“Rruga është konceptuar si e ndare ne dy segmente dhe tre nyje. Fillon me nyjën 1 zgjatimi i te ciles lidhet me rrugën ekzistuese, pastaj kalon ne nje zone poshtë kalasë me ure tip rame deri ne fund te shtrirjes se kalasë. Për shkak te shpatit te kalasë rruga ne ketë zone zgjerohet tërësisht nga ana e shpatit. Pas kesaj vazhdon rruge e zakonshme me dysheme fleksibel deri ne sheshin e qendrës, nyjet 2-3-4. Ne këtë zone kemi zgjerimin e ures ekzistuese hark” thuhet në dokumentet që shoqërojnë procedurën e prokurimit.
Afati për paraqitjen e ofertave nga operatorët ekonomikë të interesuar për këtë projekt është lënë 18 qershori . Kompania që do të plotësojë kushtet dhe do të shpallet fituese nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave do të ketë 22 muaj kohë për të zbatuar projektin nga momenti që nënshkruhet kontrata
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.