Gjurmët e krizës bankare do të zbehen me vështirësi
“Flluskat që duhej të shpërthenin kanë shpërthyer”, shprehet Mario Deaglio, ekonomist në Universitetin e Torinos, në lidhje me bankat e Italisë, shkruan The Economist. Një prej më të fundit ka qenë ajo e Bankës Cargie, e cila kaloi nën administrim të përkohshëm të Bankës Qendrore Europiane (BQE) më 2 janar, njëkohësisht edhe hera e parë që rregullatori europian e ushtron një fuqi të tillë. Lëvizja u shoqërua me një takim të gjatë të aksionerëve që fatkeqësisht dështoi në miratimin e këstit të parë të rritjes së kapitalit prej 400 milionë eurosh (455 milionë dollarësh amerikanë).
BQE-ja caktoi tre administratorë, duke përfshirë edhe ish-shefin ekzekutiv dhe kryetarin e Bankës Carige, duke u dhënë atyre tre muaj kohë për të ulur totalin e kredive të këqija 3 miliardë euro dhe të arrinin krijimin e një bashkimi. Qeveria italiane lëshoi një dekret për të garantuar obligacionet e bankës deri në 3 miliardë euro dhe për të mbështetur rikapitalizimin paraprak, në rast se ai do të kërkohet. Më 18 janar, Banka Carige tha se do të emetojë obligacione të mbështetura nga qeveria në shumën 2 miliardë euro dhe ndoshta edhe 1 miliard euro shtesë. Ajo tha se duhet të gjejë edhe një zgjidhje të tregut.
Administratorët e zgjedhur të bankës do të paraqesin një plan biznesi në muajin e ardhshëm. Banka Carige, huadhënësi i dhjetë më i madh i Italisë, ka kaluar një periudhë jo të qetë sidomos në vitet e fundit, ku mund të përmendim skandalin financiar që shpërtheu në 2017. Problemet e saj të fundit datojnë në vjeshtën e kaluar, kur BQE-ja identifikoi humbjet e saj prej 200 milionë eurosh. Bankës Carige iu kërkua që të përpiqej që të mos lejonte më rënie të kapitalit ose të arrinte krijimin e një bashkimi deri në fund të këtij viti. Përpjekjet për të lëshuar obligacione në treg dështuan, dhe në nëntor fondi ndërbankar i garancisë së depozitave të Italisë, një skemë vullnetare, u përfshi duke ofruar një vlerë prej 320 milionë eurosh. Rritja e planifikuar e kapitalit në dhjetor 2018 përfshinte konvertimin e këtyre obligacioneve në kapital.
Legjislacioni i shpëtimit ka një ngjashmëri të fortë me atë të miratuar nga qeveria e mëparshme në 2017, për të shpëtuar një bankë tjetër me probleme, Monte dei Paschi di Siena, banka e katërt më e madhe e Italisë. Megjithatë, situata problematike e këtyre dy bankave nuk është e ngjashme. Banka Monte dei Paschi di Siena kërkoi një injeksion kapitali prej 8 miliardë eurosh, ndërsa Banka Carige kërkon një zbritje prej 400 milionë eurosh, 320 milionë euro prej të cilave i ka tashmë.
“Kjo është shenjë stabiliteti”, shprehet Nicolas Véron nga një institucion financiar në Bruksel. Tre vjet më parë, sistemi bankar i Italisë nuk kishte asgjë të ngjashme me këtë që është sot, tha ai më tej. Totali i kredive të këqija, duke përfshirë ato në ndjekje dhe ato që klasifikohen si të pamundura për t’u shlyer, janë ulur nga vlera e lartë prej 341 miliardë eurosh në vitin 2015 në 211 miliardë euro në shtatorin e kaluar.
Shitjet e kredive me probleme (NPL) vitin e kaluar arritën vlerën 66 miliardë lekë; Banka IFIS, një huadhënës që po ndërton një portofol të borxheve të këqija, parashikon shitje prej 50 miliardë eurosh në 2019. Një raport i PwC thotë se ky vit mund të shënojë fillimin e shlyerjes së kredive që klasifikohen si të pamundura për t’u paguar, si dhe një rritje në tregun sekondar të NPL-ve. Monte dei Paschi di Siena, nga ana e saj, lëshoi më 23 janar të këtij viti obligacione pesëvjeçare me vlerë 1 miliard euro, të garantuara nga hipotekat rezidenciale. Kërkesa e tejkalonte vlerën 2 miliardë euro. Vitin e kaluar ajo hoqi një vlerë prej 24.1 miliardë eurosh kredi të këqija, por paqëndrueshmëria e tregut ia ndërlikoi ecurinë e mëtejshme më shumë sesa mund ta kishte imagjinuar. Këtë viti ajo duhet t’i paraqesë BQE-së një plan për riprivatizimin e saj. Ajo pritet të shitet brenda 2021.
Bankat e Italisë janë ende të brishta. Vlera e kredive të këqija mbetet e lartë, rentabiliteti është i ulët dhe bankat vazhdojnë të jenë shumë të ekspozuara ndaj borxhit sovran. Këto vështirësi fatkeqësisht pritet të rriten, shprehet Giovanni Razzoli nga Banka Equita. Operacionet afatgjata të rifinancimit të Bankës Qendrore Europiane, të cilat u ofronin kredi me norma të ulëta interesi bankave të Eurozonës, pritet të përfundojnë shumë shpejt. Ndërkohë që BQE-ja kërkon që këto banka me probleme të heqin të gjitha kreditë e tyre më probleme brenda një kohe të shkurtër dhe shumë me shpejt sesa pritej, brenda 2025. Ajo çka është e qartë nga situata e mësipërme, është se gjurmët e kësaj krize bankare do të zbehen me vështirësi.