Pasuri- e paluajtshme: Euro corienton banesat

27/09/2009 00:00 0 komente

A po ndikohet kërkesa në tregun e pasurive të paluajtshme në vend nga zhvlerësimi i monedhës vendase, që tashmë i ka bërë më të shtrenjta apartamentet që shiten në euror Kërkesa dhe çmimet vazhdojnë rezistencën në qendër të kryeqytetit, por periferia ul çmimet. Presidenti i Shoqatës së Ndërtuesve, Dulaku: Jashtë vijës së verdhë, çmimet edhe 270 euro/m².


Kosto e euros
Vetëm nga shtrenjtimi i euros, çmimet e banesave në qendër janë rritur me rreth 8 për qind të konvertuara në lekë, ndërsa rënia e çmimeve të banesave në periferi nuk është ndier shumë. Një apartament që shitet sot me 400 euro/m2 në periferi kushton pothuajse njësoj sa banesë që dy vjet më parë shitej me 450 euro/m2

Zhvlerësimi i lekut i ka bërë automatikisht më të shtrenjta shtëpitë që prej vitesh shiten në euro, duke u dhënë një shans ndërtuesve që të ulin çmimet e shitjes në euro, duke realizuar fitime më të mëdha në lekë dhe nxitur kështu kërkesën që pranohet që vitin e fundit ka qenë relativisht e ulët.
Por një ulje çmimesh në euro po vihet re vetëm në periferi, në hapësirat jashtë vijës së verdhë të Tiranës, ndërkohë që kryeqyteti “brenda” vazhdon të rezistojë me kërkesë të lartë dhe çmime të palëkundura.
“Në zonat e qendrës nuk ka asnjë stepje të kërkesës për apartamente. Blerësit kërkojnë të kryejnë transaksione edhe pse çmimet nuk janë ulur”, thotë Dritan Caka i “Dev Information”.
Të njëjtin fakt e konfirmon edhe Gjin Biba, drejtor i “Century 21 Albania”, sipas të cilit gjatë muajit shtator kërkesa ka pasur një rigjallërim. Pas një apatie të kërkesës në muajt e verës, ku blerësit shpresuan në një rënie çmimesh, tani ka një rikthim të saj dhe të blerjeve të pasurive të patundshme.
“Duhet thënë se ka mjaft blerje nga emigrantët këtë periudhë, të cilët nuk preken as nga zhvlerësimi i lekut në vend”, shton z. Biba.
Por agjentët imobiliarë dhe ndërtuesit bien dakord kur bëhet fjalë për periferinë. Kërkesa për këto zona është e ulët, ndërkohë që edhe çmimet kanë vijuar tendencën rënëse.

Periferi, çmimet deri në 270 euro/m²

Shumë pesimistë për situatën duken ndërtuesit vendas, të cilët ndryshe nga agjencitë imobiliare që kryejnë transaksione edhe në pallatet ekzistuese, u duhet të shesin veçse apartamentet e reja, shumica e të cilave ndodhen në zonat e periferisë.
Presidenti i Shoqatës së Ndërtuesve, Artan Dulaku, konfirmon për “Monitor” se zhvlerësimi i monedhës po ndikon në tregun imobiliar në vend në dy drejtime: qoftë në koston e ndërtuesve, qoftë në detyrimet e klientëve që në të gjitha rastet janë në euro. “Zhvlerësimi i lekut bën që brenda ditës të rritet çmimi i një apartamenti dhe kjo sigurisht që sjell stepje të kërkesës”, thotë z. Dulaku.
Ai shpjegon se gjatë muajve të fundit, kur euro ka vijuar forcimin, ndërtuesit janë kundërpërgjigjur me ulje të çmimeve, në ato zona ku ka ndërtime.
“Nuk ka asnjë spekulim në kurriz të konsumatorëve. Në zonat brenda Tiranës nuk ka ulje çmimi, sepse nuk ka as ndërtime të reja si pasojë e mungesës së lejeve. Por në zonat ku oferta është e lartë, d.m.th jashtë vijës së verdhë, çmimet kanë arritur deri në 270 euro/m²”, shpjegon presidenti i Shoqatës së Ndërtuesve.
Uljen e kërkesës dhe të çmimeve në zonat periferike e konfirmojnë edhe agjentët imobiliarë. Sipas Gjin Biba, ka një rënie të çmimeve në zona të caktuara të Tiranës, sidomos larg qendrës.
“Në shumë zona, çmimet janë korrigjuar, pasi çmimi që ofronin nuk ishte në përputhje me vendndodhjen apo me cilësinë e ndërtimit. Tani blerësit janë bërë më kërkues dhe kjo ka bërë që para se të vendosin për të blerë një apartament të mendohen më gjatë”, thotë ai. Sipas z. Biba, nëse më parë apartamentet bliheshin që në gropë, sot një individ viziton 3-5 shtëpi përpara se të bëjë zgjedhjen.

Kredia për shtëpi, bie 60%

Sipas Artan Dulakut, “fajin” kryesor për këtë situatë negative, qoftë për ata që kërkojnë të blejnë një shtëpi e qoftë për ndërtuesit, është i bankave që “padrejtësisht janë shumë inaktive në kreditimin për shtëpi”.
Ky fakt konfirmohet edhe sipas të dhënave të publikuara nga Shoqata e Bankave në Shqipëri. Kredia e re për individë për pasuri të paluajtshme gjatë janar-qershorit të këtij viti është 60% më e ulët se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Njëherësh është ulur edhe kredia e re për bizneset për pasuri të paluajtshme, rreth 67% më pak se janar-qershori i një viti më parë. Kanë qenë pikërisht kreditë për pasuri të paluajtshme ato që kanë pësuar rënien më të madhe në totalin e kredive të reja për 6-mujorin e parë të 2009-ës.

Në fakt, ata që rezultojnë më të prekur nga një dobësim i lekut dhe njëherësh shtrëngim e shtrenjtim i kredive nga bankat janë shtresat e mesme, që kryesisht janë individë, të cilët paguhen në lekë.
Vetëm nga shtrenjtimi i euros, çmimet e banesave në qendër janë rritur me rreth 8 për qind të konvertuara në lekë, ndonëse çmimet në euro nuk kanë ndryshuar gjatë dy viteve të fundit. Edhe rënia e çmimeve të banesave në periferi nuk është ndier shumë. Një apartament që shitet sot me 400 euro/m2 në periferi kushton pothuajse njësoj sa banesë që dy vjet më parë shitej me 450 euro/m2.

“Shtrenjtimi i euros e ka frenuar edhe më shumë blerjen me kredi, kjo sepse më të prekurit janë pikërisht shtresa e mesme, që i kanë të ardhurat në lekë. Ata që paguhen në euro mund të përfitojnë nga kjo situatë”, shpjegon Gjin Biba i “Century 21 Albania”.
Ajo që vihet re në tregun vendas imobiliar është fakti që shumica e apartamenteve blihen me para në dorë, sidomos në zonat e qendrës e rrotull saj. Sipas “Century 21 Albania”, vetëm një e katërta e transaksioneve në tregun imobiliar bëhen me kredi bankare.
“Nëse Shqipëria nuk u prek rëndë nga kriza, siç ndodhi edhe në shtete pranë nesh, është fakti se shumica e familjeve, 95% e tyre, e kanë blerë apartamentin me para në dorë dhe jo me kredi. Edhe ato pak që mund ta kenë blerë me kredi, e kanë blerë për banim, dhe jo investim”, shpjegon agjenti imobiliar Lefter Sila.

Ndërtuesit: Tregu do të rigjallërohet, në gjysmën e dytë të 2010-ës

Aktualisht ndërtuesit shqiptarë nuk duken aspak optimistë. Përveç efekteve negative të krizës financiare, që e kanë prekur më shumë se çdo sektor tjetër ndërtimin, tregut i shtohet edhe ndikimi i zhvlerësimit të monedhës vendase.
Sipas presidentit të Shoqatës së Ndërtuesve, Artan Dulaku, viti 2009 pritet të mbyllet me një bilanc negativ për sektorin dhe për tregun imobiliar në përgjithësi. E vakët pritet të vazhdojë situata edhe për gjysmën e parë të vitit të ardhshëm.
“Në parashikimet tona kemi vlerësuar që monedha europiane do të arrijë të kuotohet deri në 1600 lekë dhe kjo pritet ta dëmtojë më shumë tregun imobiliar”, shpjegon z. Dulaku. Sipas tij, vetëm në 6 muajt e fundit të vitit 2010 do të mund të shohim një rigjallërim të sektorit të ndërtimit, kur do të kryhen edhe shpenzimet buxhetore.
Edhe Ilir Hebovija, nëndrejtor i Shoqatës, thotë se ndryshimet e kursit të këmbimit dhe luhatjet më të vogla kanë pasoja në ndërtim, për shkak se të gjitha shkëmbimet bëhen me euro dhe bie drejtpërdrejtë mbi konsumatorin në shitje apo mbi investitorin kur shitja është kryer.
Në të dyja rastet, tregu deformohet për shkak të ndërhyrjeve të sforcuara jashtë një trendi normal.
“Në një situatë kur rënia ekonomike është frenuar, por ku nuk shihen ende shenja të rritjes, manipulime me tregun përkeqësojnë ndjeshëm situatën, duke çorientuar financat e kompanive. Sipas parashikimeve tona, gjysma e dytë e vitit 2010 do të rrisë kërkesat në treg për blerje, duke filluar zhbllokimin e tregut dhe tendencën për të shkuar drejt normalizimit të tij”, thotë Hebovija.

çmimet, deri në 2000 euro/m²
Në zonat e ish-Bllokut dhe TVSH-së, çmimi minimal i shitjes është 1300 euro m² dhe ai maksimal 2000 euro/m², me një mesatare 1500 eurosh/m². Mbas këtyre dy zonave, çmime më të larta ka zona e qendrës me 1000 euro/m² minimal dhe 1400 euro/m² maksimal, më tej zona rreth unazës me 750 euro/m² minimal dhe 1000 euro/m² maksimal. Dhe në zonat në periferi të Tiranës, ku çmimet janë më të ulëta, rezulton 270 euro/m² çmimi minimal dhe 550 euro/m² çmimi maksimal.

TABELA
        Rrotull qendrës        Periferi
Viti 2007    900            450
Viti 2008    1000            500
Viti 2009    1000            400

Shkruaj një koment

Ju duhet të logoheni për të komentuar.