Kriza politike, që ka mbërthyer vendin muajt e fundit, po eklipson një nga problemet më të mëdha, atë të ringjalljes së burimeve të financimit të ekonomisë shqiptare. Të dhënat statistikore të Bankës së Shqipërisë tregojnë se ekonomia pothuajse nuk po kreditohet. Edhe ajo rritje prej 2-3% e huasë në total që u konstatua në 2016-n, ka ardhur kryesisht nga kreditimi për kompanitë jashtë vendit. Shtesa vjetore e stokut të kredisë për bizneset jashtë vendit, në janar 2017, ishte 27.5 miliardë lekë, ndërsa ajo për bizneset vendase (korporatat jofinanciare) ra me 3.6 miliardë lekë për të njëjtën periudhë.
Bankat, – që duhet përmendur janë ndër institucionet më të zhvilluara dhe më të qëndrueshme në Shqipëri – kanë misionin parësor, atë të ndërmjetësimit të parave të lira, duke mbledhur kursimet e popullatës dhe duke i kanalizuar ato në ekonomi përmes kreditimit të bizneseve apo dhe individëve që duan të financojnë konsumin apo të bëjnë blerje të mëdha.
Por kjo nuk po ndodh. Shifrat tregojnë se paratë e lira, bankat po i përdorin për të financuar borxhin e qeverisë, po i vendosin jashtë vendit, apo po japin hua për kompanitë në shtetet fqinjë (shiko shkrimin në faqet e brendshme të revistës). Arsyet janë të shumta, duke filluar nga niveli ende i lartë i kredive të këqija (ulja e këtij treguesi vjen në pjesën më të madhe nga fshirja e kredive që kanë më shumë se tre vjet që nuk kthehen), nga shtrëngimi i kushteve nga bankat (sidomos për korporatat e mëdha), kërkesa e dobët për hua nga bizneset, mungesa e projekteve të besueshme nga ana e kompanive, maturimi i shumë sektorëve e të tjera arsye.
Shqipëria ka si depozita në banka rreth 70% të asaj që prodhon ekonomia në një vit (PBB), një ndër nivelet më të larta në rajon, ndërsa kreditimi është vetëm 35% e PBB-së, përqindje kjo ndër më të ulëtat në rajon. Kjo tregon se sa pak shqiptarët po përfitojnë nga pasuria e tyre, që me aq mundim e kanë krijuar në vite.
Dhe mbi të gjitha, po krijohet një krizë besimi te monedha vendase. Në një shtet sovran që ka monedhën e vet kombëtare, kursimet në valutë zënë 52% të totalit, teksa vitet e fundit, vetëm kjo kategori depozitash ka shënuar rritje të shpejtë (depozitat në valutë u shtuan me 242 milionë euro vitin e kaluar, ndërsa ato në lekë ranë me 34 milionë euro për të njëjtën periudhë). Blerjet e mëdha sërish kryhen me euro. Euroizimi i lartë ka shqetësuar dhe Bankën e Shqipërisë, që së bashku me Ministrinë e Financave dhe Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, nënshkruan së fundmi një memorandum për të kufizuar përdorimin e saj në vend.
Kriza e besimit nuk është e pakët as te bizneset. Bankierët pohojnë se kërkesa për kredi është e ulët, nuk ka projekte të besueshme dhe nuk ka oreks për të investuar, sidomos nga sipërmarrjet e mëdha. Këtë e tregon dhe ecuria e vakët e huadhënies në dy muajt e parë të këtij viti.
Fati i një sistemi që ka likuiditet të kënaqshëm po kthehet në mallkimin e tij dhe të të gjithë vendit, teksa pasuria nuk po përdoret në të mirën e vendit. I gjithë ushqimi që marrin bankat përmes kursimeve të popullatës nuk po arrin të transmetohet në trupin e ekonomisë, duke e zgjatur më tej shërimin aq të mirëpritur të saj.
Bankat janë institucione private, që parësore kanë ruajtjen e shëndetit të tyre, çka e ka bërë sjelljen e tyre tepër të kujdesshme vitet e fundit, sidomos pas nivelit të lartë të kredive të këqija, problemeve me ekzekutimin e kolateralit dhe vonesën e zbatimit të planit të Bankës së Shqipërisë për të ulur huatë e pakthyera në afat. Për më tepër, një pjesë e konsiderueshme e kapitalit të tyre është pjesë e grupeve të mëdha perëndimore, që në vetvete kanë si strategji reduktimin e aktivitetit në Europën Lindore e Juglindore. Ndaj, nuk mund të presim që në një mjedis të pasigurt, bankat të marrin stafetën për të furnizuar ekonominë me injeksionin e nevojshëm. Janë shumë faktorë që shkojnë kundër ekonomisë në këto momente dhe rrezikojmë që likuiditetin që bankat kanë, të vazhdojnë ta kanalizojnë jashtë.
Dhe në vend që ta trajtojmë këtë si një çështje kombëtare, e kemi mendjen te muhabetet, pazaret apo llokoçitjet politike, duke i lënë bankat të vetme në këtë nyje të pazgjidhur…
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
bizneset vodhen bankat,keto banka vodhen me pare njerezit e thjeshte