Në Tiranë, tashmë është e mundur që aplikimi për regjistrimin e pasurive të paluajtshme të bëhet online pranë noterit, ndërsa Ministria e Drejtësisë ka gati planin për ofrimin e shërbimeve edhe në rrethe.
Pas botimit në Fletoren Zyrtare, Ministria e Drejtësisë ka nënshkruar edhe një marrëveshje me Dhomën Kombëtare të Noterëve. Me këtë sistem mundësohet kalimi i të gjithave transaksioneve nëpërmjet zyrës noteriale si dhe një sërë shërbimesh të tjera që janë parashikuar.
“Aplikimi që është bërë deri më sot dhe vazhdon dhe bëhet në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtura, mund të bëhet tek zyra e noterit dhe të çohet online në zyrën e regjistrimit. Menjëherë personi përgjegjës në zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtura verifikon dokumentacionin dhe kthen përgjigje online tek zyra e noterit.
Kjo është një mundësi, një lehtësim që ju jepet qytetarëve për ta marrë këtë shërbim tek zyra e noterit me çelsa në dorë.
Noterët tashmë po marrin trajnime në zyrat e Ministrisë së Drejtësisë se si ta përdorin këtë sistem.
Dhoma Kombëtare e Noterisë do ta shtrijnë këtë proces edhe me dhomat e tjera të noterisë në të gjithë Shqipërinë.
Mësohet se deri në fund të Shkurtit do të jenë trajnuar të gjithë noterët dhe ky shërbim do të jepet në të gjithë vendin.
Kjo është pjesë e reformës që Ministria e Drejtësisë ka nisur në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtura me qëllim dixhitalizimin dhe azhurnimin e të gjithë informacionit.
Gjithësej janë 27 shërbime që do të realizohen nëpërmjet zyrave noteriale. Ky projekt fillon me Tiranën dhe më pas do të shtrihet edhe në Durrës e me qytete të tjera. Qytetarët do të kenë 200 sportele ku do të drejtohen për të marrë shërbimet e tyre.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.