Nga Nini MANO
Plot 76 vite më parë, në një reportazh të qershorit 1938-s në gazetën “Drita”, gazetari Gjergj Bubani shkruante: “Në mbrëmjet e ngrohta të verës, Bulevardi Zog I i Korçës është vendi më i pëlqyer për shëtitjet. Qindra vetë, gra e burra, shëtisin krah për krah dhe grupe-grupe nëpër Bulevard, një pamje e bukur oksidentale që nuk mund ta paraqesë sot për sot asnjë qytet tjetër. Një kafehanë-kopsht në fund të Bulevardit dhe një tjetër, më e madhe e më e bukur nga udha e Mborjes, e saze dhe vënd të posaçmë për të kërcyer, i japin vizitorit një vEnd të freskët e të pëlqyer shplodhje në netët e ngrohta…. T’a dashurojmë e ta ndihmojmë Korçën, pse nga çdo pikëpamje e meriton”.
…Gjithçka vijon edhe sot, ku një shëtitje vere në Korçë afron shumë gjëra njëherësh, që i shijon përgjatë bulevardit, apo drejt Mborjes, apo në parkun e madh këto mbrëmje të freskëta gushti, ku sapo u mbyll Festa e Birrës në një sezon veror plot aktivitete kulturore, që nisi në Qershor me Karnavalet. Shijohen vërtet ndryshe, se shëtitjet shoqërohen me muzikë e këngë “live” në shumë lokale, me kërnackat e famshme me qepën e ëmbël të zonës dhe rigonin e Moravës, lakrorët e petullat e fshira dhe krikllat e ftohta të birra “Korça”. Por sivjet, si risi, shëtitjeve, u “bashkohen” shumë figura patriotësh, që punuan për të bërë shtetin shqiptar, që vijnë mbrëmjeve në oborrin e Muzeut Kombëtar “Mësonjëtorja e parë Shqipe”, ku çdo njeri ulet dhe dëgjon si flet historia.…Korëa është sot qyteti që disa-fishohet jo vetëm nga korçarët emigrantë, që rikthehen çdo vit me pushime, por dhe të tjerë nga vendi e të huaj të shumtë, që zgjedhin të pushojnë dhe në fshatrat turistike si Voskopoja, Dardha, Vithkuqi….Kështu, Korça ofron një paketë të plotë turistike “Made in Korça”, që ka mbërritur jo rastësisht, por si filozofi e plotë zhvillimi, bazuar në traditat e qytetit, ndërthurur bukur me modernen.
Gjithçka nisi 8 vjet më parë kur kreu i atëhershëm i Bashkisë, Niko Peleshi mblodhi rreth vetes një grup të rinjsh të mirëarsimuar të dashuruar pas vendlindjes, me të cilët vendosën t’i rikthenin vlerat e humbura në vitet e komunizmit. Duke përfshirë edhe bizneset lokale, ja dolën të ringrenë bukur traditat aq dalluese nga qytetet e tjera me serenatat, birra “Korça”, lakrorët, kërnackat, paçet, turshitë, glikotë, petkat, trahani i ëmbël deri tek patenta turistike e sotme. Serenata dhe shpirti i mbrëmjeve korçare
Ndërsa më parë vetëm në lokalet përreth Parkut gjallëronin nga serenatat korçare, dy vitet e fundit ato dëgjohen bukur dhe në Këmbësoren e re, ku Bashkia ka angazhuar këngëtare dhe grupe muzikore dhe këngëtarë serenatash. Në lokalet në dy anët e saj çdo mbrëmje qindra qytetarë shijojnë zërin e bukur të Jorgjeta Lalazit, ose “Lalazka” sic e quajnë me përkëdheli zërin e bukur korçar, që mban shpirtin gjallë. Se “Lalazka” këndon pastër, ndryshe nga disa të tjerë këngëtarë korçarë, që pas emigrimit në Greqi, fusin nota të muzikës greke në serenatat e famshme. Jorgjeta këndon dhe këngën greke, maqedonase, italiane, por nuk i ndryshon asnjë lloj timbre serenatave korçare, ndaj aty i gjen korçarët e dashuruar pas këngëve, me të cilat u rritën. “I kam mësuar mbrëmjeve nga babai, një serenatist i vërtetë”, thotë këngëtarja e rritur në një familje plot muzikantë, që vjen si ripërtëritje e traditës, ndaluar viteve të komunizmit, por aspak mbrëmjeve, kur serenatat këndoheshin me kitara në sobalkat e thella të shtëpive korçare. Shpirti lirik korçar këndon kudo, ndaj këngëtarët i gjen nga Lulishtja “Skënderbeu” në nisje të Parkut, e deri tek Panda nën fabrikën e Birra Korçës. Dhe kur ora zyrtare 12.00 mbyll siparet mbrëmësore të këngës live, grupe të vogla qejflinjsh dëgjohen nëpër rrugica me tre e katër zëra të plotë në këngë “dhembkash”, nanurisëse kujtimesh të shkuara për të mëdhenjtë, ëndërrime rinore të dashuruarish.
Në krah të Këmbësores, si u pëlqen korçarëve ta quajnë pedonalen në zemër të qytetit, drejtori i talentuar pas koleksioneve historike, Niko Kotherja, tek mjediset e Muzeut Kombëtar të Arsimit “Mësonjëtorja e parë Shqipe”, çdo mbrëmje shfaq copëza historish të Korçës së dikurshme, “Paris i vogël”, ku ecin radhë histori patriotësh dhe njerëz të famshëm të qytetit juglindor. Në stolat tek oborri aty vijnë, shikojnë dhe ikin duke falënderuar grupmosha të ndryshme korçarësh, që historitë e qytetit i mbajnë me kujtime gjallë.
“Korça ka marrë pamjen e një qyteti Europian”, thotë plot kënaqësi Bendis Boçari, një tiranase, që ka mbërritur nga Pogradeci ku pushon prej ditësh vetëm për të shijuar një natë të tillë. Në fakt, ka prekur të vërtetën, që ka mbërritur pas një pune plot pasion të një brezi 35-vjeçarësh korçarë, që duke zgjedhur të jetojnë aty, punojnë plot pasion për t’i dhënë vulën e cilësisë markës turistike “Made in Korça”. Nuk është pak, nëse e krahason me rininë në qytetet e tjera, që i largohen vendlindjes për t’u vendosur në Tiranë. Se ky qytet për një korçar është krenari identiteti, por e spikatur ama, me shumë punë.“E pse të largohem nga Korça? Këtu kemi gjithçka si Tirana, ndofta më shumë”, thotë Rinela Prifti, një ekonomiste e re e, që ndalet mbrëmjeve kur ka kohë, në lokale, ku kënga këndohet apo kërcehet. Ajo shpjegon me pasion se Korça jo vetëm që ofron argëtime të ngjashme me Tiranën, por ka dhe të veçanta, si skitë në dimër, shëtitjet në Moravë, Dardhë, Voskopojë. Qyteti jep argëtim gjithëvjetor, jo vetëm në verë, por edhe në dimër, ku qyteti vijon të gjallërohet nga këngëtarët, që kulmojnë me Krishtlindjet.
Nuk ishte rastësi që serenatat rinisën në vitin 1994. Pas një emisioni me serenatistët e vjetër, pjesë e traditës së jetës qytetare, Radio-Korça mori nismën duke ringritur serenatën me incizimet e 4 kasetave të para nga këngëtarët e grupit “Lira”, që sot nuk jetojnë më, por vetëm fizikisht. Ata kanë lënë zërat e tyre në shirita muzikorë, që ndër vite janë shumëfishuar e shpërndarë nëpër botë ku jetojnë korçarët e përmalluar për vendlindjen.
Të gjitha këto vlera po rivijnë, por koçcarët e dinë se asgjë nuk përfundon me kaq. Bashkia ka nisur disa projekte të reja për të afruar traditën me modernen si punimet për rikonstruksion në sheshin para Teatrit, rrjet i ri kanalizimesh, shpejt do të nisë dhe rikonstruksioni i Muzeut të ri të Artit Mesjetar dhe Pazarit të Vjetër, një restaurim dhe kthim në identitet. “Këto projekte u prezantuan së fundi në tryezë diskutimi me kryeministrin Edi Rama, zv.kryeministrin Niko Peleshi, kryebashkiakun Sotiraq Filo dhe shumë qytetarë nga fusha të ndryshme”, tregon me kënaqësi nënkryetarja e Bashkisë, Benila Terova. Rikonstruksioni i Pazarit të Vjetër është projekt i shumëdëshiruar nga korçarët, që e dinë se jo vetëm do të konservojë të shkuarën, por do të nxjerrë vlera të reja, si pjesë e një qyteti të së ardhmes. Debatues për nga natyra për çdo projekt, korçarët këto ditë shijojnë gjithçka, duke menduar sfidat e radhës “Made in Korça”, që nuk do të jenë pak. Se reforma e re territoriale si pjesë të Bashkisë përfshin fshatrat turistike: Voskopojë, Dardhë, Vithkuq, ku prej vitesh mijëra turistë zgjedhin të pushojnë ne verë për freskinë dhe në dimër për të shijuar dëborën dhe skitë.
Voskopoja e vjetër “fle” nën rrënoja
Në Voskopojë, dhjetëra banesa e hotele, të tjera në ndërtim, rrjet dyqanesh, shërbime, restorante dhe rrugë, që rishtrohen me kalldrëm, po ringjallin qytetin e vjetër pas 340 vitesh tek ndërtesat me gurë të skalitur të kuqërremtë, të njëjtë me ato në Kishën e Shën Kollit, ndërtuar në shekullin e 16. Ende asgjë nuk afron me gravurën e vitit 1742 nga Voskopoja-qytet me urbanistikën, rrugët, lagjet, ndërtesat, kishat, çezmat, që mbetet enigmë e pazbuluar. Në shek. XVIII, Voskopoja, banuar nga shqiptarë dhe arumunë arriti lulëzimin në vitet 1720-1769, falë tregtisë me vendet e Ballkanit dhe Europës. Tregtarët voskopojarë, që çelën agjenci tregtare e krijuan lagjet e tyre në Vjenë e Budapest, sollën në Voskopojë ndikimin europian. Voskopoja ishte qendër e shqipes ku Kavaljoti, Adam Haxhiu, Grigori shqipëruan Dhiatat me alfabet të posaçëm për shqipen e vllahishten. Aty shkolla e parë që u çel më 1710 financuar nga esnafët e tregtarët, në 1740 gjimnazi laik “Akademia e Re”, ku mësohej në shqip e vllahisht me programe mësimore, kontribuuan në lindjen e iluminizmit shqiptar. Aty studiuan djem nga qytetet Vithkuq, Berat, Elbasan, etj., mes tyre, Theodhor Haxhifilipi, (Dhaskal Todri i Elbasanit), Kostë Ikonomi i Beratit, Evstrat Vithkuqari, etj. Në vitin 1720, në Voskopojë, dijetarët çelën shtypshkronjën, më e madhja në Ballkan, që drejtohej nga Theodhor Kavaljoti, Grigor Voskopojari, Mihal Gorari, etj.
Çdo kryqëzim rrugësh të kujton Voskopojën e vjetër nga tabelat me emra njerëzish të shquar. Diku rruga “Gjergj Simon Sina”, pasaniku voskopojar, që pas djegies së parë të qytetit në 1769, u vendos në Vjenë, krijoi bankën “Sina”, kontribuoi me 500 mijë lira angleze për ndërtimin e urës mes Dudës dhe Peshtit dhe fitoi titullin “Baron”. Më tej, tabela “Rruga e Beratit”, e vetmja me kalldrëm me gurë të bardhë mesjetar, tregon rrugën e karvanëve të voskopojarëve në portet e Durrësit, Vlorës për Venetik, Trieste. Vijon rruga “Akademia”, ku sot nuk ka asnjë gjurmë nga rrënojat e Akademisë së famshme, shtypshkronjës dhe bibliotekës. Pas prishjes së Voskopojës, fshehtazi një pjesë librash u dërguan te Manastiri i Shën Pjetrit në Vithkuq dhe disa në kishat e Korçës, shumë të tjera u grabitën për vite me radhë dhe sot mbetet pre e vjedhësve, të cilët vazhdojnë të gërmojnë në kodra, dikur lagjet e qytetit.
Gjithçka që sot mësohet nga historia, nuk dëshmohet në gërmime. Qyteti mesjetar fle disa metra nën tokë e mban “peng” misteret e Voskopojës, dikur me 60 mijë banorë e 25 mijë shtëpi në shekujt XVI-XIX. Shkatërrimi nisi me sulmet e banorëve dhe feudalëve përreth në vitin 1769, rrënimi i parë katastrofik, që bashkë me dy të tjerët brenda 140 viteve, larguan çdo qytetar drejt Beratit, Durrësit, Fierit, Tiranës, Greqisë, Maqedonisë, Rumanisë, Hungarisë, Bullgarisë, Austrisë, etj. Çdo gjë mbaroi me djegien e tretë në 1916, kur pas ikjes me lebeti të voskopojarëve të fundit drejt Korçës, aty mbërritën të ardhur nga zonat përreth. Nuk mbeti askush që të kujdesej për lavdinë e madhe dhe sot gjurmët e saj qëndrojnë nën rrënojat e hershme. Trishtim për një histori që mbetet vetëm disa metra nën dhe…
Në qendër të fshatit, te banesa e mësuesit të vjetër Dhori Fallo, i vetmi që ka shkruar e botuar disa libra me histori të Voskopojës së hershme, i biri, Anton Fallo, kthyer nga emigracioni, shërben në hotelin, që afron gjithçka komode në banesën 130-vjeçare. Nën rrënojat e vjetra të banesës mesjetare ka gjetur e nxjerrë gurët e latuar, por ndryshe nga të tjerët, gurin e gdhendur me mbishkrim e ka vendosur në hotel, shkruar me germa të një shqipeje arkaike: “Ndërtuar në 1729 për familjen Malajama”. Ndofta shqipja e Kavaliotit?….Në librin e Dhori Fallo “Tragjedia e Voskopojës” ka foto banesash të dikurshme, në ngjashmëri me banesat mbi 300-vjeçare në Berat, në lagjet karakteristike me shumë dritare, njëlloj si në banesat e dikurshme të Voskopojës. Se shumë familje me ikjen prej qytetit në tre djegiet u vendosën në Berat bashkë me traditën e ndërtimit me shumë dritare. Historiani i artit dhe profesor në Shkollën e Luvrit në Paris, francez me origjinë familjare nga Voskopoja mesjetare, Maximilien Durand me librin “Sikstina e Ballkanit”, quan pikturën murale të kishës së Shën Thanasit në Voskopojë, punuar nga vëllezërit Zografi në stil postbizantin. Nga 24 kishat e dikurshme, sot mbijetojnë “Shën Mëria”, “Shën Thanasi”, “Kryeengjëjt Shën-Mëhill dhe Gabriel”, “Shën Nikolla”, “Profeti Ilia”, ku pjesa më e madhe e pikturave murale janë në gjendje të mjeruar si dhe në Manastirin e Shën Prodhomit. Sot, Voskopoja, qyteti i dikurshëm, rrezikon prishjen nga varetë e dorës së të paditurit lakmitar, ku në çdo cep ndërtohet, por asgjë nuk afron me gravurën e vitit 1742 të Voskopojës. Ka aq shumë punë për të ndriçuar qytetin e vjetër, një sfidë edhe për Bashkinë e Korçës tashmë.
Në Vithkuq, turizmi ende i pazbuluar
Edhe në Vithkuq turizmi mund të jetë vjetor, se ka natyrë, pyje e lëndina, histori, kulturë e objekte të vizitueshme,20 km larg Korçës ku gjelbërimi rreth 7 kodrave fsheh shtëpitë e gurta, që bashkohen në rrugët e asfaltuara ndër kthesa. Qyteti vjen nga dokumentet e vjetra turke të viteve 431-32 me 491 emra kryefamiljarësh dhe sot, me histori, ca si legjenda, ca si rrëfenja nga kohët kur Vithkuqi-qytet konkurronte me Voskopojën. Prej aty vjen krijuesi i të pares abetare, “Fort i përdorçim Evëtar shqip”, botuar në 1844 me 32 shkronja, Naum Bredhi (Veqilharxhi), shënjti i parë shqiptar shën Nikodhimi, bamirësi Thoma Turtulli, që i dha fytyrën urbane Korçës, etj. Aty-këtu, sot në tre lagjet, banesa të vjetra 3-katëshe tregojnë qytetërimin e dikurshëm si dhe dukja e banorëve, gra e burra, veshur mirë, çehre plot shëndet në fshatin ku jetojnë 220 familje dhe 1000 banorë. Kanë nisur të blejnë tokë për ndërtim shtëpish kryesisht nga Korça e Tirana dhe vithkuqarë të larguar, që vijnë të verojnë në banesat e gjyshërve, apo në shtëpi që japin dhoma me qira për verim si turizëm familjar. Në qendër të fshatit dy hotele konkurrojnë njëra-tjetrën.
Shenjat e para të jetës në Vithkuq nisin në shekullin IV p.e.s, me varre antike, mbeturina fortifikimesh dhe tuma, ndërsa zona të tjera arkeologjike janë ende pazbuluar. Vithkuqi, që cilësohet “qytet” në regjistrat osmanë të shekullit XV, kulmin e zhvillimit ekonomik dhe kulturor e arriti në shekujt XVII-XVIII me tregti e zeje, 15 mijë banorë, 24 kisha e dy manastire. Kodikët e tregojnë Vithkuqin si një nga qendrat më të mëdha të zonave të Juglindjes, përpunuesin kryesor të lëndëve të para bujqësore e blegtorale, qendër furnizimi e shkëmbimi, me zejtarë dhe tregtarë të dëgjuar në Ballkan. Qyteti ra pre e anarkisë së bejlerëve të zonave përreth në harkun kohor 52-vjeçar, u dogj e plaçkit tri herë.
Në të dalë drejt fshatit Shtyllë, gjendet kisha e Shën Mëhillit, ku ruhen varrezat e vjetra, e shpallur “Monument Kulture”, ndërtuar në fund të shek. XVII ku ikonat mbajnë firmat e emrave të David Selenicasit, vëllezërit Zografi dhe Konstantin Shpatarakut. Në oborrin e kishës një kryq i madh mbi varrin e quajtur “Varri i Pagëzimit” tregon rrëfenjën, ku një i ri u bë me djalin e parë dhe donte ta pagëzonte në gjuhën shqip, por mitropoliti i Korçës vonoi lejen, foshnja nuk mundi të mbijetojë nga të ftohtit dhe vdiq në prag të kishës, e më pas, dhe e ëma me dy gjyshërit e më pas, dhe i ati. Kryqi i gërryer e vjetruar nga koha qëndron në këmbë, si simbol i luftës mes kishës greke dhe shqiptarëve, që kësaj ane thirren “arbërorë”, por për të nuk kujdeset askush. Mihal Grameno pasi qëndroi ca kohë në Vithkuq i kushtoi varrit dhe historisë së tij një roman. Manastiri i Shën Pjetrit, ndërtuar në vitet 1764-1773, ndër më të mëdhenjtë e zonës, dikur me 50 dhoma, 500 kokë dhen, prona, 25 dyqane në Korçë, ka ikonostasin e larë në flori. Aty ishte një bibliotekë të pasur ku ruheshin edhe vëllimet e Voskopojës, që nuk i shpëtoi shkatërrimit në Luftën e Dytë Botërore. Vithkuqi, mbetur ende jashtë hartës së turizmit, tashmë kërkon ringritjen se aty ruhen shumë vlera, që mund të “flasin”. Ndofta do të bëhet si dikur?
Turzëm dimëror dhe natyror në Dardhë
Nga qyteti i Korçës, pas rreth 20 km rruge të vështirë malore shfaqet Dardha vendosur në shpatin e malit me shtëpi të vjetra mbuluar me rrasa guri gri dhe mes tyre, shumë të restauruara, me pamje vilash. Pranvera e ndezur me blerim, vera plot freski, vjeshta me petale piktoreske, dimri me borën e bardhë janë turizmi gjithëvjetor që tërheq çdo turist drejt Dardhës. Kalldrëmet, krojet e shumta dhe një numër të madh kishash, mes tyre, ajo e Shën Gjergjit, dëshmojnë zhvillimin tipik të një fshati emigrantësh, ndër të parët e zonës 200 vite më parë në Rusi, Anadoll, Greqi, Amerikë, ku dardharët u mblodhën në shoqëritë patriotike. Përveç dhomave në banesat e dardharëve, sot aty gjen tre hotele luksoze, ku bëhen gatime tradicionale, si lakrori i famshëm dardhar, mishi i pjekur e shumë specialitete të tjera bio.
Këto fshatra sot janë pjesë e Bashkisë së Korcës dhe banorët atje e dinë mirë se ndryshimi tashmë është i afërt kur të jenë lagje të mëdha plot histori vlera dhe tradita, si vetë qyteti, që u rrit e zhvillua falë bijve të tyre, kur u vendosën në fushë…
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.