Flet Dritan Shano, koordinator kombëtar, një nga hartuesit e programit
Programi i Partisë Demokratike parashikon një ulje të lartë taksash. Por, si do të kompensohet kjo ulje taksash në të ardhurat në buxhet. Dritan Shano, koordinator kombëtar dhe një nga hartuesit e programit pohon se rritja ekonomike, përmirësimi i administrimit fiskal dhe ulja e evazionit për shkak të uljes së taksave, do të mundësojnë që të ardhurat të rriten me të paktën 12% çdo vit.
Në programin e saj, Partia Demokratike shfaqet mjaft agresive në uljen e taksave dhe rritjen e shpenzimeve. A mund të na jepni disa shifra se sa do të jetë efekti konkret në buxhet i uljes së taksave në katër vitet e ardhshme dhe si do të kompensohet ai?
Komponenti fiskal i programit tonë për Republikën e Re është i mirëstudiuar, i konsultuar me ekspertizë cilësore gjermane dhe amerikane e, për më tepër, është provuar me sukses edhe në Shqipëri në vitet 2006-2013. Taksa e sheshtë 9%, taksa e biznesit të vogël, që përmbledh të gjitha taksat me jo më shume se 1,5% të xhiros, ulja drastike e taksës së punës etj., jo vetëm që nuk do t’i ulin të ardhurat, por do t’i shtojnë ato. Taksat e ulëta mbi sipërmarrjen e punën shndërrohen në më shumë investime e punësim e këto shndërrohen në më shumë të ardhura. Ulja e TVSH nga 20% në 15% gjithashtu do të nxisë konsumin, pra edhe rritjen e të ardhurave edhe nga kjo taksë. Kujtojmë se TVSH, 20 vite më parë, ka qenë 12.5% e ka funksionuar për bukuri.
Aktualisht, të ardhurat buxhetore janë rreth 26% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe shpenzimet rreth 27-28% të PBB-së. Me uljen e taksave, sa pritet të jenë të ardhurat dhe shpenzimet për 4 vitet e ardhshme?
Ne i kemi bërë mirë llogaritë me një model plotësisht realist të rritjes reale vjetore ekonomike prej të paktën 5% në vit, pra rreth 8% nominale. Duke shtuar këtu edhe efektet e përmirësimit të administrimit fiskal dhe uljes së natyrshme të evazionit për shkak të uljes së taksave, besojmë se të ardhurat do të rriten me të paktën 12% çdo vit. Me këtë projeksion, të ardhurat do t’i afrohen nivelit 29-30% të PBB-së. Nga ana tjetër, shpenzimet do të rriten gradualisht me rritjen e të ardhurave, për të mos e kaluar nivelin 31% të PBB siç kemi deklaruar në program.
Si e prisni treguesin e borxhit publik, që sot është rreth 71% e PBB-së?
Ky është një borxh dyfish i keq. Së pari, se është shumë i lartë. Së dyti, sepse është përdorur për luks qeveritar, për pllaka e palma e jo për investime zhvilluese. Asnjë nga këto nuk sjellin rritje, zhvillim, punësim a mirëqenie, përkundrazi. Siç argumentuam më lart, rritja më e lartë e të ardhurave kundrejt shpenzimeve në raport me PBB-në do të sjellë gradualisht uljen e peshës së borxhit. Ndryshimi më drastik do të jenë qëllimi i përdorimit të fondeve vetëm për projekte që mbështesin ekonominë dhe punësimin.
Sa vende të reja pune parashikoni të hapni në mandatin e ardhshëm dhe konkretisht përmes cilëve sektorë do të vije kjo rritje dhe si do ta nxisni ju?
Ne projektojmë një rritje ekonomike prej të paktën 5% në vit dhe një rritje edhe më të lartë, pasi të kaluar kriza në Eurozonë, që ka ardhur duke u zbutur vitet e fundit. Rritja reale e ekonomisë prej të paktën 5% do të thotë se duke veçuar sektorin shtetëror dhe atë bujqësor, rritja në sektorët e tjerë të ekonomisë duhet të jetë të paktën 6%. Vendet e reja neto të punës që do të krijohen çdo vit do të jenë aq sa prodhon një rritje e këtillë ekonomike, sipas ligjësive të hekurta ekonomike e jo sipas premtimeve të politikanëve me 300 mijë a 220 mijë. Sektorët kryesorë të punësimit, si të rëndësisë afatshkurtër dhe afatmesme, janë ata të punësimit masiv si turizmi, shërbimet e ndryshme, fasoneria, ndërtimi.
Sektorët e punësimit, si të rëndësisë afatgjatë, janë ata që lidhen me TIK dhe inovacionin, te të cilat do të investojmë shumë përmes arsimit dhe formimit profesional. Këto janë edhe punësimi me natyrë rinore dhe programi ynë i 10 mijë internship të paguar çdo vit për studentët më të mirë do lehtësojnë fillimin e karrierës së të rinjve sa më shpejt pas diplomimit. Ndërkaq në bujqësi nuk bën fare kuptim të flitet për rritje të numrit të të punësuarve, përkundrazi për ulje të tyre dhe në bujqësi duhet të flasim për shndërrimin e fermave në sipërmarrje agrare dhe agroindustriale, pra për rritje të produktivitetit dhe vlerës së shtuar, rritjes së shitjeve dhe të eksporteve që do t’i mbështesim me programin tonë prej 100 milionë eurosh grante çdo vit për fermerë dhe zinxhirin agropërpunues, si dhe 50 milionë euro çdo vit për investime në infrastrukturën bujqësore. Këto vitet e fundit, fondet u janë shpërndarë disa dhjetëra anëtarëve të klientelës së pushtetit.
Sot, në Shqipëri, rreth 30% e të punësuarve janë të vetëpunësuar në biznese mikro, niveli më i lartë i vetëpunësimit në Europë, pas Greqisë. Ky model nuk po funksionon më, për shkak të zgjerimit të qendrave tregtare dhe rrjetit të supermarketeve dhe njësive të tjera të mëdha tregtare. Kjo po çon në mbylljen masive të bizneseve të vogla, pavarësisht se taksat që paguajnë ata janë pothuajse zero. Si parashikoni që të zgjidhet ky handikap në ekonominë vendase?
Programi ynë projekton një ekonomi të fortë, moderne, konkurruese përmes vlerës së shtuar, TIK dhe inovacionit, model krejt i ndryshëm nga ai aktual që ju e përshkruani shumë saktë.
Sipërmarrjet në prodhim dhe agrobiznes, që punësojnë për dy vite me radhë mbi 50 punëtorë, do të kenë lehtësi fiskale.
Do të nxisim integrimin e teknologjisë së informacionit në çdo biznes, se kështu ai rritet me 2 deri në 3 herë në përputhje me strategjinë përkatëse të BE-së.
Cilët janë sektorët që ju konsideroni prioritarë dhe si do t’i nxisni konkretisht ata?
Ato që përmendëm më sipër, që sjellin punësim ose modernizim dhe përfshijnë një sipërmarrje krijuese, veçanërisht të të rinjve.
Çfarë modeli ekonomik propozoni për Shqipërinë dhe si do t’i orientoni bizneset drejt sektorëve prioritarë, teksa sot po shihet që sërish kapitali i lirë po derdhet në ndërtime masive?
Kjo që po ndodh sot është pasojë e ekonomisë oligarke dhe kriminale. Ajo që do të ndodhë nesër, do të jetë pasojë e sipërmarrjes së lirë dhe shtetit të drejtë, të përgjegjshëm e zhvillues. Krejt tjetër gjë. Konkurrenca e lirë dhe e ndershme, sigurimi dhe garantimi i saj do të favorizojë më të mirët.
Prona mbetet prej vitesh një problem madhor i Shqipërisë, që nuk po gjen zgjidhje prej dy dekadash, duke penguar zhvillimin e bujqësisë dhe ardhjen e investitorëve të huaj. Si prisni ta zgjidhni këtë problem?
Çdo e drejtë pronësore e fituar sipas legjislacionit në fuqi është e garantuar. E gëzofshin dhe e shtofshin.
Brenda vitit 2018 do të mbarojnë të gjitha proceset e regjistrimit, legalizimit e dixhitalizimit të pronës, që lidhet me sigurinë e së drejtës së pronësisë së çdo shqiptari, njësoj si në BE.
Ne do të përmbyllim procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave me drejtësi e vlerë tregu.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.