Kompanitë CMA CGM Agencies Worldwide dhe Pelikan Sh.p.k në cilësinë e ndërmarrjeve mëmë janë bashkuar, duke krijuar një ndërmarrje të re të pavarur CMA CGM Albania Sh.p.k. Njoftimi bëhet I ditur nga Autoriteti i Konkurrencës, që ka miratuar përqendrimin.
Sipas Autoritetit, ndërmarrja e përbashkët CMA CGMA Albania Sh.p.k, është krijua në bazë dhe në zbatim të “Marrëveshjes së Ortakëve”, në të cilën shoqëritë Pelikan Sh.p.k dhe CMA CGM Agencies Worldwide kanë rënë dakord që të investojnë pjesë të kapitalit të tyre themeltar për krijimin e ndërmarrjes së përbashkët CMA CGM Albania Sh.p.k, përkatësisht:
• Pelikan Sh.p.k është zotërues i 40% të kuotave të kapitalit themeltar;
• AMC AGM Agencies Worldwide, është zotërues i 60% të kuotave të kapitalit themeltar.
Ndërmarrja e përbashkët CMA CGM Albania Sh.p.k nuk do të funksionojë si një ndërmarrje për të bashkërenduar veprimtarinë e mëmave të saj, por si një ndërmarrje e përbashkët në përputhje të plotë me nenin 10.3 të Ligjit dhe për pasojë përbën një përqendrim në kuptim të tij.
Pelikan Sh.p.k, në cilësinë e ndërmarrjes mëmë, është një shoqëri e cila funksionon në bazë të legjislacionit të Shqipërisë me seli në adresën: Rr. Egnatia, kulla “Fly”, Durrës. Shoqëria ushtron veprimtarinë në aktivitetin e Agjencisë Doganore, Agjenci Detare, Agjenci spedicionere në transportin detar, tokësor, automobilistik, transport mallrash dhe udhëtarësh brenda dhe jashtë vendit si dhe çdo aktivitet tjetër i cili nuk bie ndesh me ligjin dhe është në dobi të shoqërisë.
CMA CGM Agencies Worldwide, në cilësinë e ndërmarrjes mëmë, është një shoqëri e cila funksionon në bazë të legjislacionit të Francës me seli në adresën: 4 Quai d’Arenc, 13002, Marseille, Francë. Objekti i shoqërisë është : (i) zotërimi i kompanive holding me qëllim për të përfaqësuar kompanitë e transportit detar dhe të mbajë komision prej tyre; (ii) të ndërmarrë përfaqësinë e të gjitha shoqërive të transportit detar dhe aktivitete të tjera transporti në treg; (iii) të blejë dhe të menaxhojë stoqet dhe aksionet në shoqëri; (iv) pajis , vë në veprim, ndërton , shet , blen dhe jep me qira të gjitha llojet e anijeve dhe realizon aktivitet të transportit të pasagjerëve; (v) krijon linja transporti detar dhe operon në të gjitha aktivitetet dhe trafiqet e transportit detar; (vi) ofron çdo lloj shërbimi tjetër në sektorin e operacioneve detare. CMA CGM është gjithashtu aktive në transportin e ngarkesave të kontenierizuara nga deti përmes linjave të rregullta që veprojnë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë dhe deri tani e ka ushtruar këtë aktivitet nëpërmjet shoqërisë Pelikan Sh.p.k.
Kompania e re e krijuar, CMA CGM Albania Sh.p.k, në cilësinë e ndërmarrjes së re të pavarur do të ushtrojë aktivitetin e saj në përputhje të plotë me statutin e saj dhe me legjislacionin shqiptar. Objekti i saj do të jetë aktiviteti e import eksportit në fushën e transportit detar me kontejnerë.
Si do të funksionojë kompania e re
Sipas Autoritetit të Konkurrencës, CMA CGM Albania sh.p.k. në mënyrë të pavarur nga aktiviteti i shoqërive mëma, duke mos cenuar dhe interferuar në asnjë rast veprimtarinë e tyre apo pozitën e tyre në treg, do të veprojë në cilësinë e agjentit të shoqërisë CMA CGM, duke pritur dhe trajtuar kontenierët e kësaj linje që mbërrijnë dhe nisen nga Shqipëria (import/eksport).
Shoqëria Pelikan sh.p.k. nga ana e saj, me krijimin e ndërmarrjes së përbashkët (JV) CMA CGM Albana sh.p.k., do të heqë dorë nga aktiviteti të cilin e kryente deri tani si agjent i shoqërisë CMA CGM dhe do të vazhdojë punën e saj në aktivitetet e tjera të transportit dhe logjistikës sipas Statutit dhe Akt Themelimit të saj.
Krijimi i shoqërisë CMA CGM Albani sh.p.k. nuk do të sjellë asnjë efekt në strukturën e tregut dhe konkurrencën në tregun vendas.
Me krijimin e kësaj shoqërie të re JV, palët besojnë se do të ketë rritje të përfitimeve në dobi të konsumatorëve në aspektin e rritjes së cilësisë së shërbimeve si edhe rritje të kapaciteteve transportuese.
CMA CGM S.A. do të vazhdoje aktivitetin e saj në transportin e ngarkesave të kontenierizuara (import/eksport) brenda territorit të Republikës së Shqipërisë me ndryshimin e vetëm se kontenierët e shoqërisë CMA CGM S.A që mbërrijnë dhe nisen nga Shqipëria që deri me tani janë trajtuar nga shoqëria Pelikan sh.p.k., me krimin e shoqërisë CMA CGM Albania sh.p.k. do të trajtohen prej saj.
Si konkluzion, ky përqendrim, pra krijimi i shoqërisë (JV) CMA CGM Albania sh.p.k. nuk do të sjellë ndryshime në strukturën e tregut dhe konkurrencën në tregun vendas.
Sa më sipër, ky përqendrim nuk shfaq shenja të kufizimit të konkurrencës në treg ose në një pjesë të tij në veçanti, si rezultat i krijimit ose forcimit të pozitës dominuese dhe për këto arsye duhet të autorizohet në përputhje me nenin 56/1 të Ligjit nr 9121, datë 28.7.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, i ndryshuar.